Pranvera shqiptare në Maqedoninë e Veriut fillon nga Kosova-Bekim Qoku

Nuk ka, por as ka patur ndonjëherë subjekt politik që i përbashkon shqiptarët në këtë përmasë e intensitet qysh nga Rilindja Kombëtare. Nga të gjitha trojet i janë bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje!


Në ndërkohë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kurrë nuk kanë qenë më të çorientuar e më të davaritur politikisht se tani. Synimi për BE dhe NATO duket se është më shumë tërheqje nga jashtë sesa shtysë nga brenda. Ky raport forcash na ka plogështuar e na ka lënë pa qëllime të qarta e të sakta brenda-shoqërore e kombëtare, sa që shtrëngohemi të ndjekim turlisoj agjendash të huaja.
Dhe në kësi plogështie, edhe fqinji i keq, sado i dobët, na shfaqet me fuqinë anonime të ndërkombëtarit. Ne ulim dozën kombtariste të shtetimeve tanë, ndërsa ata ushtrojnë dhunshëm hegjemoninë e tyre politike dhe kulturore mbi ne. Rezultati: arratisje, nënshtrim, asimilim. Diktati politik e kulturor në Maqedoni po shkon deri aty sa po na shpik e po na i vë mbi krye ne shqiptarëve të gjithë autoritetet politike e kulturore. Shkurt, ministër, deputet, rektor, futbollist, këngëtar, profesor, drejtor shqiptar bëhesh vetëm në qoftë se pëlqehesh, miratohesh, flet, mendon, këndon si ata, pra si klasa me pushtet (jo në pushtet).
Një mungesë e tillë legjitimiteti ontologjik, një mungesë e një përligjjeje të këtillë ekzistence të entiteve socio-politike i ka detyruar të sipërpërmendurit të qëmtojnë burime alternative legjitimimi! Këtu nis shpërfytyrimi i normave themeltare të demokracisë. Mungesën e legjitimitetit nga poshtë e kanë zëvendësuar me legjitimitet nga lart – faktori ndërkombëtar –, e sidomos dhe fillimisht nga anash – Tirana dhe Prishtina zyrtare. Sa herë që u është lëkundur pozita sunduese, veçanërisht politikanët shqiptarë janë mirëpritur nga krye -tari, -ministri dhe -parlamentari i Shqipërisë e Kosovës si të së njëjtës sërë. Fotot e takimeve me buzë në gaz e krah mbi supe qarkullojnë portaleve dhe lajmeve televizive pajanda.
PD, PS, PDK, AAK, BDI, PDSH nuk kanë qenë vetëm parti që kanë dominuar jetën politike të dy dekadave të fundit duke mbjell mjerim, shthurje, dëshpërim dhe shpopullim, por ato, ç’është më e keqja, kanë legjitimuar njëra-tjetrën. Janë bërë si njëra dorë që lan tjetrën. Këto parti janë zinxhiri që po robëron tërësinë e popullit shqiptar. Ky zinxhir kërkon të përfitojë deri në asgjësimin total të kombit. Ata që duan të shpëtojnë, si mundësi e zgjidhje shohin vetëm arratinë, Gjermaninë.
Rebelimi?
Mu në këtë mes hyn Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje! Albini, Lëvizja, është tronditja e këtij populli që e shkërmoq zinxhirin. Lëvizja hyn si pykë dhe çan e përndan rrethin vicioz që ka përthekuar e ka ndrydhur pafundësisht shqiptarët. Albini dhe Lëvizja bëhen shpresa dhe kthesa. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Lëvizja dhe Albini nuk janë thjesht objekte analizash teknike, të tipit kaq deputetë, me këtë apo atë koalicion. Ata janë frymë, fryma e kohës. Për shqiptarët e MV ata nuk janë tema muhabeti kafesh apo çështje tifozllëku, siç bëhet rëndom me PS, PD, PDK, LDK, etj, por identifikim me një instancë morale dhe politike të një standardi epëror. Janë koncept i mirëfilltë politik. Bashkëpunimi i Albinit dhe Lëvizjes me shqiptarët e gjitha trojeve nuk ka qenë kurrë i reduktuar në biznes, kontrabandë, interes të ngushtë klanor e fisnor, siç kemi dëgjuar për lidhjet e H. Thaçit me Ali Ahmetin, apo R. Haradinajt me Menduh Thaçin dhe Ilir Metën. Liderët shqiptarë nga Tirana e Prishtina, në përgjithësi, ndërhyrjet në zhvillimet e jetës politike në MV kanë qenë vetëm nga distanca. Kanë qenë deklarata të “moderuara” në emër të stabilitetit rajonal, paçka se bashkëkombësit e tyre janë nëpërkëmbur, torturuar, burgosur e vrarë nga regjimet sllave përgjatë gjithë këtyre kohërave.
Jo vetëm ndryshe, por përkundër tyre, Albin Kurti ka vepruar aktivisht në ngjarjet dhe jetën politike. Qysh herët është bërë përpjekje për të bashkuar faktorin politik dhe shoqërinë civile shqiptare. Lëvizja ka qenë tepër e ashpër ndaj dhunës dhe padrejtësive në kurriz të shqiptarëve në MV. Ajo vazhdimisht ka qortuar Tiranën dhe Prishtinën për indiferencën dhe sjelljen e “moderuar” të tyre. Albin Kurti bashkë me disa figura tjerat të Lëvizjes morën pjesë personalisht në protestën që organizoi opozita shqiptare në M. e Veriut kundër padrejtësive dhe diskriminimit që u bëhen shqiptarëve.
Albin Kurti ka meritën e njehsimit të qëndrimeve të politikës shqiptare në Maqedoni. Çfarë u kurorëzua në Tiranë me një platformë të përbashkët të palës shqiptare, nisi në Prishtinë, tek zyrat e Lëvizjes dhe u selit vazhdimisht nga insistimi i Albinit. Pra, nëse shqiptarët konsiderohen si faktorët dhe aktorët kyç të përmbysjes së regjimit shovinist gruevskian, një meritë e jashtëzakonshme i takon pikërisht rolit aktiv të Albin Kurtit.
Për ngjarjet e tmerrshme të 27 prillit në parlamentin e Shkupit, ishte vetëm Lëvizja që reagoi institucionalisht me një konferencë shtypi që e mbajtën Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Një delegacion i gjerë me deputetë kuvendi e funksionarë të Lëvizjes vizitoi më pas Ziadin Selën. Këtë s’e bënë as presidentët, as kryeministrat, asnjë parti tjetër politike, as të Tiranës e as të Prishtinës. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve heshtnin kur rrihej një përfaqësues tjetër politik i shqiptarëve.
Ishte Albin Kurti që përkrahu kandidatin e vetëm shqiptar Blerim Reka në fushatën zgjedhore presidenciale; ai me një grup të madh deputetësh të Lëvizjes morën pjesë në disa tubime të fushatës zgjedhore. E po njësoj, tërë përfaqësuesit zyrtarë të shqiptarëve në rajon heshtën. Ama Ramush Haradinaj nuk harroi të përkrahë presidentin portokalli të Ukrainës.
Nga i gjithë spektri politik zyrtar shqiptar në rajon, vetëm Lëvizja reagoi për rastin e Kumanovës. Shqiptarët vriteshin, dhe politikanët e tyre nuk e vinin ujin në zjarr.
Ishte vetëm Lëvizja ajo që reagoi për përgjimet në MV. Heshtja e partive të tjera për këtë skandal i bën shumë të besueshme disa përgjime ku dëgjohen politikanë të niveleve të larta nga Shqipëria e Kosova duke bërë aktivitete të paligjshme me funksionarë shtetëror shqiptarë e sllavomaqedonas. Deklarata e Albinit “Shqiptarët në Maqedoni janë brenga ime më e madhe” është epike. Është e tillë, sepse kur e thotë ai, tingëllon e besueshme.
Le t’i kthehemi edhe njëherë jetës politike në MV. Është e pamundur t’i shmangemi konstatimit që vendin e ka pllakosur amullia. Maqedonia është kthyer në një moçal nga ku s’është pamundur të dilet. Ikja e frikshme e popullatës vitale jashtë vendit dhe ndrydhja e brendshme e atyre që mbeten, e ka thelluar shpërfilljen ndaj politikës, rrjedhimisht ndaj jetës në përgjithësi. Këtë gjendje e përforcon edhe mungesa e modeleve dhe vokacioneve joshëse politike. Figura publike që ka ndërtuar Albini me paraqitjet e tij ka frymëzuar dhe stimuluar shumë vajza e djem të rinj për t’u angazhuar politikisht. Asnjë subjekt tjetër politik shqiptar, kudoqoftë, përveç Lëvizjes, nuk ka në radhët e tij aktivistë politikë nga jashtë shtetit ku ndodhen apo juridiksionit me të drejtë vote për atë parti. Lëvizjes i janë bashkuar aktivistë nga Shqipëria, M. e Veriut, Luginës, Malit të Zi. LVV është çlirim vullnetesh gjithandej ku emetohet dhe receptohet veprimtaria e saj.
Andaj slogani “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova” mbart një fuqi madhështore besimi në MV. Në Kosovë filloftë pranvera, ardhtë në verë ndër shqiptarët e Shkupit, Strugës, Kumanovës, Gostivarit, Kërçovës, Tetovës, Manastirit, Ohrit.

Bekim Qoku


Loading...
loading...