Pse nuk mbyllen kazinot e bastoret në Maqedoni

Anketa e “djallit” për Ligjin e lojërave të fatit

NGA: Alpin Ollogu

Në kuptim figurativ, për nga pesha negative që kanë lojërat e fatit në shoqëri dhe për nga pesha negative që kanë mbrojtësit e lojërave të fatit në vendin tonë, mund ta cilësojmë anketën e poshtshënuar, si anketa e “djallit”. Së bashku me LSDM-në e Zaevit, dhe VMRO-në e Mickovskit (Gruevskit), të cilët mbrojnë aktivitetin e bixhozit për interesa qeverisëse sekondare, financimesh partiake e gjetiu, së fundmi, në mbrojte të lojërave të fatit, nuk do të mungonte as Asociacioni i Bastoreve Sportive në Maqedoninë e Veriut – dorë e zgjatur e klaneve në biznesin e kumarit. Asociacioni paska realizuar një anketë nëpërmjet së cilës propagandon, apo do të përforcojë “istikamin djallëzor”, të mbrojtjes së lojërave të fatit, që ai të mos cënohet nga asnjë ndryshim ligj i kërkuar nga qytetarët e vendit apo projekt ligje të partive politike. Padyshim, frika më e madhe e tyre është ndryshimi i ligjit në shembullin e shteteve fqinje, me një ndalim të plotë apo të kufizuar në zona të caktuara dhe lloje të caktuara të lojërave të fatit, apo minimalisht dislokimi i objekteve ku organizohen lojërat, në distancë prej 3km nga vendbanimet, kërkesë kjo e vazhdueshme e Lëvizjes Anti Bixhoz.

“Anketa e djallit”, realizuar nga Asociacioni i Bastoreve Sportive në Maqedoninë e Veriut, paska dhënë rezultatin se: “qytetarët e Maqedonisë, më së shumti (79%) frekuentojnë bastoret për zbavitje dhe shoqëri, që në mënyre aktive ti shikojnë ndeshjet sportive.”
Çuditërisht, i gjithë ky argëtim qytetar i dalë nga anketa, në një ndër vendet më të varfëra të Evropës, që sipas Kryqit të Kuq ndërkombëtar, 22% e popullsisë jeton në varfëri të plotë. Kjo, e bën rezultatin anketës, të pabesueshëm edhe për fëmijët e djepit, e jo më për një njeri në moshë madhore, kur sheh gjendjen ekonomike të rënduar dhe njerëzit e papunë, në bastoret e mbushura anekënd vendit, edhe ato në fshatrat e thella. Në ato bastoret legale dhe ilegale, të cilët rrjepin edhe qindarkat e fundit të kumarxhinjve, kohën e tyre – raportin e efikasitetit punë dhe familje.

Asociacioni i Bastoreve na paska anketuar edhe për Ligjin ekzistues të lojërave të fatit, ku 61% e të pyeturve qenkan deklarur se ligji në fuqi është i ashpër dhe shumë preciz, ndërsa 73% nga të anketuarit kanë thënë se nëse ligji ndryshon, ata do të vazhdojnë të luajnë në të zezë apo online. Shumë anketim interesant ky, asocon në përputhshmëri me deklaratat e dhënë nga kryetari i partisë në pushtet, Zoran Zaev, ku para disa muajsh deklaronte se qeveria shqiptare nuk mund të ndalojë bixhozin, pasi bixhozi do të vazhdojë veprimtarinë në të zezë. Interesante këto përputhje deklaratash mes të anketës së djallit, dhe ish kryeministrit. Por që në fakt, shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës i kanë dëshmuar këtë vit, kryeministrit të larguar Zaev, se dikush mund edhe të tentojë të luaj bixhoz në të zezë, por ai do ndiqet dhe do shkojë në burg, dhe këta fatmirësisht nuk janë të shumtë.

Për më shumë, kryetari i Asociacionit të Bastoreve Sportive në Maqedoninë e Veriut, Vasko Ilijevski, nga “istikami djallëzor” në luftën për vazhdimin e jetësimit të bixhozit, na e paraqet Asocacionin e Bastoreve si organizatë kontribuese, humaniste, bamirëse. Na kujton kontributin e 235 milion eurove në buxhetin e shtetit; 3% të të ardhurave që shkon për rininë dhe sportin; Ndihmesa me 1.2 milionë denarë për familjet e fatkeqësisë së “Laskarcës” ; Rinovimin e shkollës “Koco Racin”, dhe atë se qenkan sponsorë gjeneralë të klubit volejbollistik dhe futbollistik “Pelister”. Të gjithë këto bamirësi dhe kontribute, i pari i Asocacionit i lëshon si tymnajë para syve të mbarë popullatës, me të vetmin qellim, për të vazhduar projektet në klanet biznesore kriminale të bixhozit, të ndërlidhura ngushtë edhe me segmente qeveritare. Me tymnajën e qëllimit për të mbuluar mbi 900 milion euro evazion fiskal – kjo sipas mediave investigative në vend, ku sipas tyre, në një qarkullim prej 1 miliardë e 400 milion eurosh në lojërat e fatit, 253 milionë shkojnë për buxhetin e shtetit, shtuar deklarim fitimin e organizatorëve të këtyre lojërave prej 250 milion eurosh, të tjerat mbesin evazion fiskal (me ç`rast kujtojmë një statistikë të përafërt nga të dhënat zyrtare të Autoritetit të lojërave të fatit në R.Shqipërisë, që deklaronin evazion fiskal vjetor rreth 800 milion euro).

Kujtojmë gjithashtu kryetarin e Asociacionit se sipas përllogaritjeve të bëra, në vendin tonë mbi 500 mijë persona luajnë çdo ditë apo në mënyrë periodike lloje të ndryshme të lojërave të fatit, me një mesatare vjetore prej 200 deri ne 250 eurosh për pagesë të skedinave. Ilijevski dëshiron të hedhë tymnajën e radhës, duke mos përllogaritur se për këta 500 mijë përsonat që luajnë çdo ditë bixhoz, sa humb shteti në një orë të humbur për lojërat e fatit? E nëse ato do të ishin orë pune dhe tatim përsonal për shtetin, sa para shpenzohen nga buxheti i shtetit për trajtimin dhe shërimin e atyre që janë në varësi të bixhozit, bashkë me kujdesin ekonomik për familjet e viktimave të bixhozit, në një kohë kur psikologët thonë që të varurit pas bixhozit, koston e shërimit e kanë më të lartë se ata të lëndëve narkotike.

Asociacioni i Bastoreve Sportive kundërshton edhe projektligjin e BDI-së, me të cilin parashihet dislokimi i objekteve ku zhvillohet bixhozi, në një distancë prej 500 metrash nga institucionet arsimore. Kundërshtimi i 500 metrave, dyshoj se mund të jetë edhe një sforcim i qëllimshëm i bixhozxhinjve të organizuar për të shpëtuar të paktën nga një ligj i ngjashëm si në vendet fqinje, apo të dislokimit në një distancë prej 3 km. Sidoqoftë, bixhozxhinjtë aktualisht janë në avantazh. Vendi ynë ditë e përditë lulëzon nga lojërat e fatit, shtuar rëndesën e kompanive të bixhozit që kanë mbyllur aktivitetin në Kosovë dhe Shqipëri, për të vazhduar biznesin e kumarit nëvendin tone, duke e shndëruar në një Las Vegas të Ballkanit, me 550 bastore dhe 200 kazino (legale). Pavarësisht së jemi një vend me migrim të lartë dhe varfëri të frikshme të popullatës, ku ndër shkaktarët kryesor padyshim mbeten lojërat e fatit.

Me gjithë këtë përkeqësim të situatës mbi bixhozin, zvarritjes së ndryshimit të ligjit aktual për ta bërë atë të pajtueshëm me kërkesat e shoqërise civile, organizatave të ndryshme politike dhe jo-politike, shtuar analizën e kostos financiare dhe morale të kësaj dukurie, qeveria i mundëson familjarëve të ngushtë të njërit prej hajdutëve dhe kriminelëve më të mëdhenj të qeverisë së kaluar, Sasho Mijalkovit, dhënien e licencës fëmijëvë të tij, për të krijuar rrjet bastoresh sportive dhe kazinosh (momentalisht të regjistruara 25 filiale) nëpërmjet shoqatës për organizimin e lojërave të fatit “Maks Bet”. Rezulton se pronarë dominantë të Maks Bet-it në Maqedoni , figurojnë kompania me emër të njëjtë në Serbi e pronarit Sasho Marçeta i njohur si “mbret i kumarit” në Serbi., dhe kompania vendore “Best Vej Investment”, që është në pronësi të djalit të Mijallkovit – Jordan Mijallkov. Qeveria edhe mund të arsyetohet me atë që të gjithë janë të barabartë para ligjit për tu siguruar me licenca, pavarësisht fëmijë të kujt janë. Po, kjo është e vërtetë, por atëherë i themi qeverisë, ndrysho rregullat ligjore, ndrysho ligjin për lojërat e fatit, kufizoji ato, mbylli, dislokoji, bëj diçka pozitive, mbylle derën e së keqes.

Ёshtë kohë e parafushatës zgjedhore, momenti kyç kur partitë politike duhet të vendosin qartë se në cilin “istikam” të pozicionohen, në atë të djallit apo kundër djallit. E nevojshme që qëndrimet të jenë konkrete dhe të përfshira minimalisht në programet zgjedhore, të kushtëzueshme për qeverisjen e ardhshme, për mënyrën se si duhet sanksionuar organizimi i lojërave të fatit. Pse jo, të gjithë partitë politike të dalin me projektligjet e veta në garën e krahasimeve dhe zgjedhjes për më të mirën e mundshme. Në të kundërtën, premtimet sekondare mbeten vetëm lojëra fjalësh për përfitime ditore politike. Fjala është për partitë politike shqiptare, ngase ato maqedonase (dy kryesoret, përjashtuar parti të vogla që jënë pro mbylljes së bixhozit), ju kuptohet pozicionimi simetrik në miratim të anketave të “djallit”, të realizuar nga Asociacioni i Bastoreve Sportive në Maqedonine e veriut, dhe të ngjashmit me ta, për arsyet tashmë të kuptueshme qartë!

In : Aktuale

Loading...
loading...