Pse po i merr zjarri kallamishtet e liqenit në Strugë

Prej më shumë se një muaj pothuajse çdo javë raportohet se ka djegie të kallamishteve në pjesë të ndryshme të liqenit, gjë që ka ngjallur shqetësim te adhuruesit e natyrës dhe te qytetaria strugave, shkruan gazeta KOHA. Djegia e kallamishteve, thonë struganët, është bërë si puna e një sporti të lirë, ku çdo kush që do të ndryshojë pamjen që natyra i ka falur liqenit, ta shndërrojë në një hapësirë tjetër.

Nga Zyra për marrëdhënie me publikun në Komunën e Strugës, thonë se pushteti vendor dënon këto akte të qëllimshme kundër bimësisë së liqenit, duke shtuar se inspektorët komunal janë në terren, ndërsa Njësiti zjarrfikës në vazhdimësi po kontribuon në evitimin dhe lokalizimin e zjarrit. “Ne si komunë dënojmë aktin e vënies së qëllimshme të zjarrit në bimësinë e njohur si tallat e liqenit të Ohrit në disa lokacione të plazheve të qytetit. Ne qysh ditën që kemi mësuar për ngjarjen, kemi lëshuar në terren inspektorët komunal të mjedisit, përveç njësiteve të zjarrfikësve. Prej raporteve të tyre paraprake del se janë djegur rreth 1500-2000 m katrorë talla në liqen, janë shkaktuar dëme materiale në disa anije me pedale dhe barka peshkatarësh.Ndërsa, sa i përket faunës në liqen në përgjithësi dhe thashethemeve mbi djegien e mjellmave, nga raportet e inspektorëve dhe policisë del se nuk është e vërtetë diçka e tillë. Zjarrfikësit kanë reaguar në shumë raste të tilla për gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti. Ndërhyrja e fundit që është bërë ishte mjaft e vështirë, sepse bëhej fjalë për vatër zjarri, rreth 100 metra brenda në liqen. Sot, për fat të keq, mësuam për një ngjarje të tillë të ngjashme të ndodhur në një lokalitet tjetër, kurse njerëzit tanë gjenden sërish në vendngjarje. Duke pasur parasysh numrin e lartë të zjarreve të këtilla, tetë raste të shënuara vetëm brenda harkut kohor 05.03.2017 deri më tani, mund të hidhen dyshime se zjarret janë me shumë gjasë të qëllimshme. Me këtë rast, edhe pse kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, sërish i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë publike të zbardhë rastet sa më parë dhe protagonistët të marrin ndëshkimin e parashikuar me ligj. Flora dhe Fauna e liqenit tonë janë një pasuri që duhet ta ruajmë të gjithë së bashku”,theksuan nga pushteti vendor.(Koha/Strugalajm.com)

In : Aktuale, Struge

Loading...
loading...