Qeveria refuzon kërkesën e opozitës për zgjedhje të reja

Menjëherë pas publikimit të rezultateve të rrethit të dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal në Maqedoni, partitë që humbën zgjedhjet dolën me kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare me arsyetimin se zgjedhjet ishin të manipuluara.

OBRM-PDUKM-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski tha se nuk e pranon rezultatin dhe se një nga shtatë pikat për zgjidhjen e situatës së rëndë politike, sipas saj, është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Kryetarët e këshilltarët e komunave nga radhët e LSDM-së janë zgjedhur me blerje votash dhe me dhunë. Nëse dikush duhet të japë përgjegjësi janë pikërisht këta persona të zgjedhur në mënyrë të dhunshme. Ne nuk i pranojmë këto rezultate dhe kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare që do të kishin për bazë Marrëveshjen e Përzhinës”, ka deklaruar Vlladimir Gjorçev nga OBRM-PDUKM-ja e Nikoll Gruevskit, duke aluduar në modelin e zgjedhjeve të dhjetorit.

Zgjedhje të parakohshme parlamentare janë kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, e cila është pjesë e Qeverisë, por që në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale ishte në koalicion me partinë opozitare shqiptare Lëvizja Besa.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ka thënë se me mbështetjen që i ka dhënë BDI-së në balotazh , LSDM-ja ka thelluar edhe më shumë ndasitë etnike në vend, andaj edhe ka kërkuar zgjedhje të parakohshme apo një përballje të re me partinë e Ali Ahmetit.

“Do ta fitoj Ali Ahmetin dhe të gjithë të tjerët në zgjedhjet parlamentare pasi legjitimiteti i takon koalicionit ‘Aleancë me Besë’. Zoran Zaevi e ka thelluar edhe më shumë ndarjen. Ai në vazhdimësi është thirrur në bashkëjetesë, por tani ka bërë të kundërtën duke vepruar në kundërshtim me vullnetin e shumicës. Në esencë demokracia është vullnet i shumicës”, ka deklaruar Sela.

Zgjedhje të parakohshme janë kërkuar edhe nga Lëvizja Besa ,e cila gjithashtu vlerëson se vullneti i shqiptarëve është shkelur nga LSDM-ja e cila ndihmoi BDI-në që të fitojë komunat më të mëdha shqiptare, pasi në të kundërtën sipas kësaj partie, fitorja do të ishte bindëse në favor të koalicionit “Aleancë me Besë”.

Por, nga Qeveria thonë se zgjedhje të parakohshme vështirë se do të ketë, ndërsa shprehen të bindur për qëndrueshmërinë e shumicës parlamentare. Këtë të dielën në mbrëmje e deklaroi edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili njëherësh është edhe kryetar i LSDM-së.

“Unë e kuptoj ndjenjën e atij që humb zgjedhjet, por ne kemi marrë obligime serioze nga qytetarët, duhet të punojmë për shkak të interesave të tyre dhe të shtetit në përgjithësi. Sikur të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare që tani dihet rezultati i tyre, por Maqedonia ka shumë punë tjera për të bërë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja.

In : Aktuale

Loading...
loading...