Referendumi dhe shtegu që duhet hapur-Festim Pollozhani

E vërteta është se shqiptarët e Maqedonisë (përkufizim i lakueshëm) gjithmonë janë përpjekur që ti hapin vetë shtigjet të cilat do ti avanconin proceset politike dhe jo vetëm politike që kanë të bëjnë me interesat e strumbullarit shqiptar në këtë shtet të padefinuar tërësisht sa i takon statusit juridik në planin ndërkombëtar. Sado që këto procese kanë pasur edhe nuance të ndikimit të faktorit politik ndërkombëtar, duket se gjithmonë kanë qënë një qark i mbrendshëm, i mbyllur si të thuash dhe kur një qark është i mbyllur brenda një shteti atëherë është lehtë i kontrollueshëm nga strukturat e atij shteti, me gjasë me mundësi për tu manipuluar, për tu prolonguar dhe penguar, varësisht nga interesi i strukturave nga të cilat kontrollohet një proces. Por një process i natyrshëm sa do të pengohet, nuk mund të ndalet.
Sikur të mos mjaftonte përpjekja për pengimin e hapjes së Universitetit të Tetovës si një nevojë elementare e një strumbullari të madh etnik për tu shkolluar në gjuhën amtare , do ti përmendja ngjarjet në Tetovë dhe Gostivar dhe tendenca me çdo kusht për të ndaluar përdorimin e flamurit kombëtar në qytetet ku dominon ajo etni në masë të madhe. Për të vazhduar pastaj me tendencën për mos lejimin ose prolongimin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe dhe futjen në labirinthe institucionale, me qëllim të mos përdorimit zyrtar të saj.
Tendenca për mveshjen e petkut fetar përpara atij kombëtar është një pengesë tjetër e imponuar, për më tepër tendenca për manipulim me petkun fetar, me qëllim që shqiptarët e Maqedonisë të duken si strumbullar i padefinuar kombëtarisht dhe jo të orientuar drejtë botës perëndimore dhe ç’është më e keqja, duke e gjetur veten të margjinalizuar dhe deri diku të lënë pas dore, shqiptarët e Maqedonisë e kanë gjetur veten të paragjykuar në këtë aspekt, megjithëse ajo që është prezantuar në sipërfaqe ka qenë krejt e kundërta me vlerat evropiane dhe perëndimore të shqiptarëve të këtij strumbullari që mezi prêt një mundësi për ti shprehur ato.
Janë gjëra të stërthëna, por të vërteta dhe nisur nga kjo pikë do ta citoja ish presidentin amerikan Nixon : “Rreziku i luftës lind kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkuruesi i mundshëm i tij”.
Pika kulminante që dëshmon se një proces i një qarku të brendshëm mund të jetë proces i kontrolluar, lehtë i manipulueshëm nga strukturat që e kontrollojnë është tendenca për prolongimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe tendencat për ta zbehur këtë marrëveshje me nuanca ndërkombëtare.
Për më tepër, Maqedonia si një shtet i ngecur mes konstelacioneve politike për të gjetur formulën e zgjidhjes së kontesteve politike me fqinjët dhe jo vetëm, nuk e ka pasur luksin që ti pengojë proceset për progresin e etnive shtet formuese brenda saj, por nëse e ka bërë këtë gjë, atëherë gjendja e vështirë politike ekonomike dhe shoqërore është pikërisht reflektim i politikave të gabuara në të kaluarën.
Politika në shtetet demokratike duhet të pasqyrojë vlera, më shumë sesa të informojë për vlera. Nëse duhet gjetur një zgjidhje për të dalë nga ky kaos politik dhe jo vetëm, atëherë nevojitet fillimi i një procesi të inicuar nga faktori politik ndërkombëtar që reflekton me një qark të hapur politik, një proces të hapur politik që vërtetë do të reflektonte vullnetin politik të qytetarëve me gjasë të ngulfatur për një kohë të gjjatë.
A është ky proces referendumi për deklarimin e qytetarëve se a janë për anëtarësim në BE dhe NATO, me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë? Po, pikërisht, absolutisht.
Shqiptarët duhet ti thonë PO këtij referendumi, në mënyrë masive, pa asnjë paragjykim ose dyshim. Nëse nuk mund të jetë garancë politika e brendshme atëherë garancë le të jenë vizitat e shpeshta të figurave të rëndësishme politike duke filluar nga kryeministri austriak Kurz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stolenberg dhe duke kulmuar me vizitën e vetë kancelares gjermane Merkel.
Nuk dua të bëj krahasime në kohë të ndryshme, por ne nuk duhet ta harrojmë angazhimin e Austro – Hungarisë, ndonëse në një periudhë më të hershme ose në historinë moderne angazhimin e NATO (të prirë nga SHBA) por edhe të Gjermanisë si shtet me një kontribut të vecantë, në përpjekje për vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe në veçanti vënien e drejtësisë për shqiptarët si popull i nëpërkëmbur për një kohë të gjatë.
Dalja në referendum është një mundësi, një shancë për ne, për ta shprehur orientimin tonë, pro perëndimor, pro amerikan dhe pro evropian. Nuk jemi ne faktor që të bëjmë ndryshime gjeopoltike sepse politika ndërkombëtare është një zinxhir me shumë hallka, por ne e kemi mundësinë që të lidhim një hallkë të vogël në këtë zinxhir si një kontribut modest për të shprehur një mirënjohje modeste ndaj miqve tanë ndërkombëtarë. Më shumë se sa për to, këtë duhet ta bëjmë per veten tonë, për të qenë në një vijë me shtetet amë, duke hapur një shteg të rëndësishëm për ne, për aq kohë të mohuar.

Mr.Festim Pollozhani


Loading...
loading...