Republika Maqedonia e Ilindenit i përjashton shqiptarët

Vebi Bexheti

Ështe fakt i pamohueshëm se të gjithë shqiptarët e Maqedonisë janë për integrime euro- atllantike. Ky orientim i shqiptarëve me sytë ,,andej kah perëndon”, siç thoshte Naimi, është i kahmoçëm, këmbëngulës, por dhe në interes të shtetit ku jetojnë, sepse falë këtij disponimi, rritet edhe përqindja e përgjithshme e qytetarëve të Maqedonisë që e refuzojnë praninë e ndikimit rus në këto hapësira. Gjithsesi se shqiptarët ishin të parët që e dëshironin ndërrimin e emrit të Maqedonisë, si kusht për integrime në Nato dhe Bashkimin evropian, por edhe të kujdesshëm, që emri i ri mos t’i përjashtojë ata nga hisja e vet e shtetit të imponuar të përbashkët me maqedonasit sllavë dhe të tjerët.

Deri më tani, kanë qarkulluar lloj-lloj propozimesh për emrin e ri, nga të cilët edhe ai më i papranueshmi për shqiptarët, Republika sllave e Maqedonisë, edhe pse ky propozim ishte i diskutueshëm për pjesën maqedonase me orientime VMRO-iste, spse sipas tyre, ky emërtim e shkëpuste hallkën e zinxhirit që i lidhte me maqedonasit antikë. Për shqiptarët është i pranueshëm çdo propozim me karakter gjeografik, siç është edhe ,,Maqedonia e epërme”, por gjithsesi si i përkthyeshëm edhe në gjuhën shqipe, përndryshme shqiptarët do identifikoheshin me një shtet sllav, mbasi si pjesë e shtetit të përbashkët, do qëndronte edhe fjala sllave ,,gorna”, që me automatizëm do nënkuptonte vetëm shtetin maqedonas.StrugaLajmStrugaLajm

Propozimi më i ri për emrin e shtetit, që tani për tani, ende nuk është e qartë nga cila palë e negociatorëve erdhi, futi huti te shqiptarët, madje edhe te një pjesë e madhe e maqedonasve, sepse nga shumë emra me përcaktim gjeografik që ishin në tavolinë, përnjëherë, si rrufeja nën qiell të hapur, doli një propozim me karakter kohor historik, madje pa e përjashtuar edhe ate politik. Propozimi më i ri ,,Republika Maqedonia e Ilindenit”, emër i cili sipas deklaratës së Kryeministrit Zaev, nënkuptohet i kapshëm për të dyja palët negociatore, pët shqiptarët duhet të jetë i papranueshëm nga vet fakti se maqedonasit para se ta shpiknin prejardhjen antike, motivet patriotike të tyre i bazonin në Kryengritjen e Ilindenit dhe në ,,epopenë e tyre të lavdishme” që e paskësh formuar Republikën e parë dhe të vetmen në Ballkan. Ky propozim nuk i përgjigjet as edhe realitetit multikonfesional të vendit, sepse emrit të një shteti sekular i imponohet edhe një pjesë me kuptim fetar që lidhet me Shën Ilinë ( Dita e Ilisë). Historiografia shqiptare, asnjeherë nuk pati një qëndrim të qartë e të prerë, lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë lëvizje antiosmane. Disa historianë shqiptarë këtë kryengritje e konsideronin edhe si përpjekje revolucionare shqiptare që bashkë me maqedonasit dhe vllehët të formojnë një republikë të përbashkët, disa të tjerë e mohojnë një qëdrim të këtillë , ndërsa të tretët nuk kanë shfaqur qëdrim konkret se ku e kishin vendin shqiptarët në Republikën e Krushevës. E tërë kjo hamendje dhe mungesë e qëndrimit të përbashkët të historianëve tanë për këtë ngjarje, u shfrytëzua nga historiografia maqedonase duke e përvetësuar si meritë ekskluzive të tyre, mbase një qëndrim të këtillë e dëshmon edhe kompleksi memorial i Krushevës që konsiderohet si ,,Jerusalemi” i maqedanasve, pa shenjën edhe më të vogël se për atë ,,fantom Republikë”paskan kontribuar edhe shqiptarët.StrugaLajm

Një moment tjetër që te shqiptarët e shton dilemën për sinqeritetin e palës ose e palëve që te ky propozim e shohin dritën e tunelit, ndërlidhet edhe me Marreveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku mes tjerash ka pajtueshmëri të plotë për manifestimet e festave të përbashkëta të popullit bullgar dhe atij maqedonas, ku pëmendet edhe Kryengritja e Ilindenit, që nënkupton një aleancë të mundshme mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, për ta dobësuar faktorin shqiptar. Ja pse shqiptarët këtë propozim duhet ta shohim me pesimizëm e jo të turren të parët për ta bërë ,, aminin”, siç po veprojnë shumica liderëve politikë shqiptarë për të cilët me rëndësi është vetëm pjesëmarrja në Qeveri , gjë që u dëshmua edhe me vrapin se cili i pari do ulet në fotelet e saj.


Loading...
loading...