Sa shumë Sex-Skandale

Nga Andon Dede, Nju York

Paraprakisht të biem dakord apo të sqarojmë vetë temën: është fjala për skandale që kanë të bëjnë me seksin, pra që janë evidentuar përmes denoncimeve apo zbuluar nga mediat në rrugë të ndryshme, në një kohë që veprimtaritë e lidhura me këto lloj marrëdhëniesh, të ligjëshme apo të paligjshme, të moralshme apo të pamoralshme, vazhdojnë normalisht si më parë. Pse e them këtë? Se ligje, udhëzime e rregulla për shkelje të tilla, kanë ekzistuar e janë në veprim edhe sot e kësaj dite, pa as më të voglin ndryshim. Unë kam punuar vetë në administratën amerikane, nëpunës në Bashkinë e Nju Yorkut, dhe ligjet e rregullat që lidhen me këtë problem të bëhen të njohura qysh kur fillon punën e nënshkuran kontratën. Përveç kësaj, herë pas here, na dërgoheshin kujtesa/memorandume për të qënë sa më të kujdesshëm në marrëdhëniet me njeri tjetrin, për sa më sipër. E bëra këtë parantezë, për të theksuar edhe një herë atë që thashë më lart, se rregullat e ligjet kanë qënë e janë po ato dhe nuk ka ndryshuar gjë, siç mund ta ketë perceptuar gabimisht dikush. Problemi, pra, shtrohet: sa shumë Seks-Skandale që janë zbuluar e po zbulohen, pavarësisht se ato absolutisht nuk japin pasqyrën e vërtetë të realitetit. Presidenti Trump e shpalli prillin si muajin e luftës kundër ngacmimeve seksuale por, për mendimin tim, nuk ka për të sjellë asgjë të re. Për më tepër që në adresë të vetë presidentit vazhdojnë akuza e thashetheme për skandale të tilla që lidhen me të, para e gjatë presidencës.

Për nga mënyra se si po zhvillohet dhe sidomos nga psikoza e përgjithëshme që ka krijuar, fushata e filluar muaj më parë e që po vazhdon akoma, me too/edhe mua, sado qesharake të duket, më kujton fushatat e dikurshme të Diktaturës tek ne, si fjala vjen, ato të luftës kundër besimeve fetare e zakoneve prapanike, për emancipimin e gruas, e sidomos ajo që u zhvillua pas shkrimit të “ZP”-së, “Kur flet klasa, nuk flet burokratizmi”. Në atë kohë, me përjashtime të vogla, të gjithë gdhiheshin e ngryseshin me lepurin në bark se mos iu dilte emri në listat e qarkullimit, pa as më të voglin motiv bindës, por thjesht se pushtetarëve iu duhej një psikozë e tillë, për ta mbajtur popullin të nënshtruar. Mjerë ata që i zinte lapsi.

Vimë tek tema që nisëm. Thashë, pra, që dhe këtu në Amerikë apo dhe shumë më gjerë, është krijuar e njëjta psikozë. “Tani ke frikë edhe të bisedosh për tema të tilla me koleget e punës, thoshte dikush, pak ditë më parë, jo më t’i hedhësh dorën e ta përqafosh miqësisht”. “Valët goditëse” të akuzave për përdhunime apo dhe thjesht ngacmime seksuale nuk kursejnë asnjë, në të gjitha fushat e jetës e të veprimtarive njerëzore, si në politikë, media, arte, sporte, administratë e kudo. Çdo ditë dalin emra të rinj të abuzuesve e viktimave, intervista e diskutime të gjata, në tërë mediat e shkruara e elektronike. Është folur e po flitet aq shumë sa e ke vështirë në mos të pamundur të thuash diçka të re. Megjithatë, marr guximin që përmes këtyre rreshtave të shpreh disa opinione apo përjetime vetjake për skandalet e mësipërme, me shpresën apo dëshirën e mirë se mbase arrij të hedh mbi to një këndvështrim sadopak të veçantë.

* * *

Të jem i sinqertë me lexuesin, unë nuk u habita nga gjithë sa ka ndodhur, duke pasur parasysh si përvojën në vendin tonë apo dhe këtu në Amerikë e më gjerë. Ajo që më befasoi këtu ishte diçka tjetër: qëndrimi që u mbajt ndaj atyre që u akuzuan, cilëtdo qofshin ata. Po të kthehem pas në kohë, më duhet të pohoj se habia më e madhe imja ka qënë që në vitet e para të ardhjes këtu, me skandalin e Klintonit. “O Zot, thosha me vete, si ka mundësi të përfshihet në një skandal të tillë njeriu më i fuqishëm i botës?!” Jo se nuk dija se ç’kishin bërë dhe shumë nga para-ardhësit e tij, (mjafton të kujtojmë Kenedin), por pse ai qe treguar aq naiv sa t’iu jepte rast të tjerëve për ta goditur kur i kishte të gjitha mundësitë ta kalonte pa u lagur, si plot të tjerë. Ndodhi që në ata muaj nuk kisha filluar akoma punë dhe pata kohë ta ndjek direkt në televizion gjithçka që lidhej me atë skandal, përfshi dhe impiçmentin/gjykimin e famshëm në Senat. Më bënte përshtypje edhe qëndrimi partiak i kongresmenëve dhe senatorëve, me ndonjë përjashtim të vogël. Po kështu, më la pa mend edhe skandali me ish-guveranatorin e Nju Yorkut, Spicer, që kishte qënë më parë Prokuror i këtij shteti dhe iu kishte kallur datën magnatëve të Uoll Street-it, të cilët bënë festë kur morën vesh skandalin e tij. Me që punoja në Daun Taun, një mëngjez mu desh të kaloja pranë këtyre zyrave dhe shoh poshtë monumentit të Uashingtonit një pankartë të madhe, krahas shumë të tjerave, ku me shkrim dore nuk linin sharje pa thënë për të, gjë që më kujtoi gjithashtu fletë-rrufetë/dacibaot tona. I treti skandal i madh që më ka lënë mbresa qe ai me D.S.Khan, ish-drejtorin e FMN-së. Rastësisht atë e pata parë po ato ditë në televizion, në presidiumin e një forumi botëror, me ekonomistë e funksionarë të rëndësishëm. Kur e dëgjova lajmin sikur nuk e besova; “mbase është fjala për ndonjë tjetër”, thashë me vete. Të nesërmen, kur doli i arrestuar, i parruar e me një xhup të zakonshëm, para trupit gjykues, u shtanga. Veç, mbas habisë së parë, nisa të arsyetoj për forcën e ligjit këtu, para të cilit janë të gjithë të barabartë, përndryshe, ish-kandidati për president i Francës, nuk do të përfundonte në qelitë e policisë së Nju Yorkut. Ndërkohë, skandalet vazhdonin, në nivele të ndryshme. Vetëm përmendja e tyre do shkonte shumë gjatë, por të kthehemi tek situata e sotme, që nisi me denoncimin nga disa aktore për producentin e njohur të Hollivudit, Venstein. Ai paskej qënë vërtet një përbindësh, me ç’po shohim në listat që po shtohen përditë; ka spekulluar poshtërsisht me pushtetin që i jepte jo vetëm posti që mbante por dhe milionat që zotëronte. Veç një gjë guxoj ta them përsëri: mirë ai që paskej qënë i tillë, po tërë kjo mori viktimash pse nuk e denoncoi me kohë maniakun e përbindshëm, por pritën e pritën deri sa nuk mbante më ujë pilafi?! Kjo ka vlerë dhe për shumë skandale të tjera që dolën e vazhdojnë të dalin pas tij, ndonëse, për shumicën e tyre, është fjala për episode të ndodhura dhjetra vite më parë. Denoncimi në kohë jo vetëm do t’i bënte ato më të besueshme por do të parandalonte e do ta lehtësonte edhe keqbërësin. Nga heshtja e tyre nuk e pësuan vetëm ato por një rreth shumë më i gjerë. Jo vetëm kaq, por le ta shtyjmë bisturinë edhe pak më thellë. Shumë syresh, siç e pohojnë dhe vetë apo e lënë të nënkuptohet, e kanë toleruar abuzimin me të apo dhe me të tjerë, në këmbim të favoreve që kanë përfituar. Sikur të më jepej rasti, do t’ju thosha këtyre zonjave apo zonjusheve, se ky veprim i tyre është as më shumë e as më pak por prostitucion i pastër. Ndryshimi mes tyre dhe atyre të rrugës, është vetëm formal se në përmbajtje është po ai: paret që marrin ato hallexhesha buzë trotuareve, këto të fundit i konvertojnë në favore nga më të ndryshmet. Në një këndvështrim gjakftohtë e racional, këto të fundit janë edhe më të papranueshme e pse jo, edhe më të dënueshme se të parat, me që, veç mëkatit janë dhe me dy fytyra, nga që përpiqen ta shesin veten si të ndershme në mos edhe puritane, kur në fakt, edhe këto, njëlloj si të parat, i kanë nxjerrë hiret e tyre në treg. Unë as i gjykoj e as i paragjykoj të dy kategoritë, puna e tyre, por këto të dytat të mos përpiqen të na shiten ndryshe nga ç’janë, siç lexojmë e dëgjojmë në intervistat që japin. Mëkati i tyre kështu shumëfishohet.

* * *

Habi, pse jo dhe keqardhje, shkaktuan tek unë goditjet që morën disa personalitete tepër të njohura të Medias, sidomos tre prej tyre, që pa diskutim, përbënin tre ikona në televizionet amerikane: Bill O’Reilly, Charlie Rose dhe Matt Lauer, sidomos për dy të parët që i kam ndjekur më shumë. Jam i bindur se nuk jam i vetmi në këto që po them, madje dhe vetë kolegët/et e tyre të punës, ishin të dubluar/a në qëndrimet që mbajtën, bile dhe vetë presidenti Trump. Siç shprehemi në këto raste, unë vdekjen e dija por që mund të pushoheshin nga puna Bill O’Reilly e Charlie Rose, këtë s’e mendoja kurrë. Për 16 vjet me radhë, sa vazhdoi, emisioni i përditëshëm “O’Reilly Factor” ka shënuar shikueshmërinë më të lartë në llojin e vet, ndërsa intervistat dhe bisedat e Charlie Rose ishin ndër më të ndjekurat, jashtë çdo dyshimi.

Mund të vazhdoja edhe më tej në përsiatjet e mija, madje edhe duke e spostuar fokusin andej nga anët tona ku, mëkate të tilla, mbase jo aq shumë për fajin tonë, i gjen më bollëk por, me që e ndjej se u zgjata, le ta lëmë këtë për ndonjë shkrim tjetër.

Nju York, prill 2018


Loading...
loading...