Shpërthen Zheji: Lista “fake” e sajuar në Athinë dhe Tiranë. E vërteta…

 

Skandali që ka plasur në Greqi në lidhje me fondet sekrete greke, ka kapur të papërgatitur “agjenturën” politike dhe mediatike të mirë-paguar në Shqipëri, për të krijuar dizinformacion.

Unë si Artur Zheji, nuk i di dhe nuk mund ti di emrat e tyre, as të personave dhe as të portaleve, ndonëse e kam një ide për disa prej tyre, por nuk më lejohet të shpif për askënd. Një gjë është e sigurtë, në “Listën” e botuar në ca Portale fantazmë dhe jo vetëm, është vendosur edhe emri im.

Një shpifje e pastër dhe keqdashëse, që e ka qendrën në Tiranë, afër segmenteve të Qeverisë së njollosur nga ky skandal dhe sigurisht përfituesit e këtyre Fondeve Greke, që përmes këtyre Listave të Rreme, kërkojnë të përhapin mjegull dhe të fshihen pas kësaj mjergulle të vetë-krijuar.
E vërteta duket e qartë dhe e paqme, në punën dhe në linjën që një gazetar ndjek në raport me publikun.

Dyshoj që hartuesit e Listës së Rreme, e cila nuk ka asnjë burim dhe asnjë provë, është përpiluar pikërisht në Tiranë dhe Athinë, sipas skemës së shërbimeve sekrete, që mbështetet mbi krijimin e ‘Pistave të Rreme’, për të fshehur agjenturat e vërteta.

Unë personalisht jam ndeshur me shumë kërcënime që nuk i kam bërë kurrë publike, porse trishtohem që ky vend, mban e ushqen kaq shumë vemje, kaq shumë plehra, kaq shumë përbindësha që jetojnë në nevojtoren e pisët të skutave të tyre dhe që kanë lindur pa Atdhe dhe do të vdesin si tradhëtarë!

Personalisht kam përpara meje, të paktën 3 breza pinjollësh të shquar të Shqiptarisë, dhe shqiptarë-dashës të orëve më të vështira, kurse vemjet e krahut tjetër, që kanë baballarë krimba dhe për nëna gjirizin ku jeton fort-lumturisht raca krimbërore, janë ata që janë.

Dhe prandaj, ndonëse jetojmë në të njëjtin vend, ngelemi përjetësisht të papërzier dhe shumë larg botëve të njeri tjetrit.
Për ta mbyllur: Ngelem krejt i qetë. Lista bërësit të vazhdojnë punën e tyre të ndyrë, për të cilën janë paguar dhe vijojnë të paguhen. Ndoshta do të vijë dita që Shqipëria, do ta nxjerrë llumin e vet në breg, ashtu sikundër bën Deti, të vetë-pastrohet dhe të bëhet gati për ditë më të mira.

Nëse nuk e mbërrin brezi im, ndoshta do ta mbërrijnë brezat që vijnë, fëmijët tanë Shqiptarë dhe Shqipëri-dashës.

In : Aktuale

Loading...
loading...