Shqipëria dhe Kosova viti 1910 (FOTO)

Ernst Jek (1875-1959) ishte gazetar, publicist dhe shkencëtar gjerman, i cili lindi në Urah (Urach) të Gjermanisë jugperëndimore. Qëndrimi në Turqi në periudhën 1908-1909, gjatë dhe pak kohë pas revolucionit xhonturk, i bëri shumë përshtypje dhe Jeku u bë mbështetës i fortë i Turqisë dhe i marrëdhënieve gjermano-turke. Në verë të vitit 1910 ishte në Kosovë dhe në Shqipëri, i ftuar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke ku mbështeti trupat turke në luftë kundër kryengritësve shqiptarë. Gjatë ekspeditës ushtarake shkoi në Ferizaj, Fushë-Kosovë, Prizren dhe Shkodër. Nga Shkodra u kthye me forcat ndëshkimore nën komandën e Shefqet Turgut Pashës nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit për në Shkup. Me forcat ushtarake turke ishte edhe gjatë luftës italo-turke (1911-1912). Në vitin 1912 Jeku themeloi shoqatën gjermano-turke dhe në vitin 1914 ishte ligjërues i historisë turke në Universitetin e Berlinit. Pas Luftës së Parë Botërore përkrahu demokracinë liberale parlamentare në Gjermani si dhe anëtarësimin e Gjermanisë në Lidhjen e Kombeve. Në vitin 1920 bashkëthemeloi Universitetin Gjerman për Politikë (Deutschen Hochschule für Politik) në Berlin. Me ardhjen në pushtet të nazistëve në vitin 1933, Jeku iku në Londër ku punoi për New Commonwealth Institute dhe në vitin 1940 u emërua profesor në Universitetin Columbia në Nju Jork, ku dhe vdiq. Arkivi i tij, duke përfshirë fotografitë e Shqipërisë, ndodhet në bibliotekën e Universitetit Columbia. Ndër botimet e Ernst Jekut është libri Im türkischen Kriegslager durch Albanien: Bekenntnisse zur deutsch-türkischen Freundschaft (Nëpër Shqipëri me ushtrinë turke: dëshmi e miqësisë gjermano-turke), Hajlbron 1911, nga i cili është marrë ky koleksion fotografish. Fotografi të tjera të Ernst Jekut prezantohet këtu me lejen e Bibliotekës së Librave të Rralla dhe të Dorëshkrimeve të Universitetit Columbia në Nju Jork. Në foto bien në sy kudo malësorët shqiptarë gjatë kryengritjeve anti-osmane, si në malet e veriut të Shqipërisë ashtu edhe në Kosovë. Bën përshtypje vetëm një foto në Fushë Kosovë, ku populli ka dalë për të përshëndetur me dashuri të madhe Sulltanin… (Marrë nga faqja e albanologut Robert Elsie)

StrugaLajm

StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...