Shqiptarë mos rri, po duku !

Iku vera. E bashkë më të edhe turisti i huaj. Tashmë mbetën vetëm domatet e vendit. Mbase shkuan dhe hormonet, do hamë bio.

Ikën turmat. Tashmë mbetën turmat e deleve dhe kullotave. Mbeti bariu i fundit maleve, mbase pa energji elektrike, akoma ndizen drunj për dritë.

Ikën dhe zjarret. Jugu nuk do të ndizet më me flakë. Mbase flakët i ndezëm për të trembur të huajt qe erdhën për pushime. Mbetëm vetëm ne, pa asnjë.

Mbeti tezja, xhaxhai, halla dhe gjyshja në një cep që shfryn egërsisht për pensionin që mbaroi për tri ditë.

Ikën “kosovarët” e Durrësit. Ikën dhe nuk do të vijnë më se autobusët i bllokuan. Tashmë mbetën topat dhe vajrat e plazhit pa u shitur. Mbetën shitësit tabulat duke thirrur e madje duke të shqyer rrobat për të blerë cigaret e hapura.

Ikën dhe skafistët që vranë dhe lanë detin me gjak duke formuar pellgje të inateve. Tashmë deti mbeti po ai, i thellë, i frikshëm, det shqiptarësh.

Ikën ministrat teknikë, presim timonierin të formojë qeverinë e re. Duke pritur nëse ministrat e rinj do të duan hotele me 5 yje pasi dhe vetë vlerën e kanë 5.

Ikën të gjithë ata që mallkonin vapën dhe turfullonin rrugëve. Tashmë mbetën vetëm ata që rrinë gurë rezervë nëpër lokale duke ngacmuar hundët me çelësin e makinës apo të shtëpisë.

Ikën dasmat. Më në fund sezoni i dasmave u mbyll me parapërgatitjet 1 javore të valleve dhe shpenzimeve marramendëse nga lekët e tullave dhe llaçit.

Mbetën vetëm ata që ankoheshin se mishi ishte i ftohur dhe se krushku ia pati vënë emrin në tavolinën në cepin më të errët.

Ikën ata që u lanë në sciuma party me euro. Më në fund. Tashmë mbetën ata që blejnë akoma bukë me listë.

Ikën ata që nuk vendosnin dot, ku do të kalonin pushimet dhe përfunduan në plazhet me leshterikë si pyjet e Amazonës.

Ikën të gjithë ata që i zuri vapa në rrugë dhe u kapën prej flokësh. Mbetën vetëm lypësit që japin komedi pështymash live në rrugë.

Ikën të gjithë ata që vodhën urbaneve te kryeqytetit portofolat e studentëve për tetë muaj dhe tani priten të vinë ata që do të vjedhin më sofistikisht.

Ikën të gjithë ata që gjatë verës kërkonin Wifi rrugëve dhe lokaleve duke folur e postuar foto çdo  sekondë për të parë “hatersat” luksin dhe fatin e madh të tyre.

Ikën të gjithë ata që mendonin se nuk do të iknin askund dhe mbetën vetëm shqiptarët.

Mbetëm po ne, në mes të katër rrugëve që tashmë dhe BE-ja po na bën “dalje”.

Mbetëm po ne, ata që ishim po dje. Të frikësuar nga hija jonë gjer në palcë sikur na ka goditur rrufeja, mjerisht.

Mbetëm po ne me parulla nëpër duar duke promovuar gjithmonë errësirën, makthin, zhurmën, kaosin, stresin. Mbetëm po ne, shqiptarët e përhershëm të braktisur nga bota, vetja, familja, shoqëria .

Mbetëm po ne që kërkojmë më dhunë thashethemin e rradhës që për dreq nuk na lë të flemë as gjumë.

Mbetëm po ne, që mundohemi të dalim nga guaska,po veçse të jemi perlë jemi thjesht jashtëqitje bote.

Mbetëm po ne, që duam të ndryshojmë,por kemi qimen e dreqit.

Po ne sërish. Tungjatjeta Shqipëri !


Loading...
loading...