Shqiptarët dhe e vërteta e pushtetit në Maqedoninë V.


Shkëlzen Halimi

Që t’i besosh të vërtetës, ajo duhet të ndjehet. E vërteta, thonë, nganjëherë dhemb, sepse është e kundërta e gënjeshtrës. Kurse gënjeshtra, siç dihet, është vetia kryesore e manipulimit edhe në fushën e politikës. Se kanë thënë: vetëm në politikë dy plus dy nuk bëjnë katër. Politikën shqiptare e dominuan ata që thoshin gjithçka, por asgjë me përmbajtje konkrete. Politika e injorancës do të prodhojë injorantë, të cilët gjuhë komunikimi do ta kenë vetëm gjuhën e forcës. Pra, ishte e qartë se ata njëkohësisht do të jenë edhe keqpërdoruesit e vlerave të mirëfillta dhe do ta zbatojnë një “filozofi” të çoroditur që për ta ishte politikë në shërbim të “popullatës”.
Në fakt, përmes gjuhës së forcës dhe mekanizmave të ndyta, shumë shpejtë jo vetëm se do ta pasurojnë vetveten, por edhe partinë, e cila me sukses arrinte t’i zhvillonte operacionet e blerjes së kundërshtarëve politik, gazetarëve, artistëve dhe gjithë ata që vlerësohej se janë “pengesa” në synimet e tyre personale dhe partiake.
Tendenca për ta imponuar të vërtetën e pushtetit, e cila zakonisht katapultohet me anë të makinerisë propaganduese, konsiderohet si një sistem veprimi praktik, por mjaft efektiv në shpëlarjen e trurit të masës, e cila apriori, pas “bombardimit” propagandues, bëhet e pranueshme si diçka më se normale. Jo njëherë inskenimet e pushtetit (policisë) me protagonistë kryesorë shqiptarët, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, u imponuan si të vërteta, të cilat, sipas dëshmive të verifikuara më vonë, u pa si ishin inskenime komprometuese në adresë të shqiptarëve. Megjithatë, shikuar nga këndi i sotëm, habit lehtësia e “pranimit” të vërtetës së imponuar të policisë nga ana e subjekteve shqiptare.
Në fakt, këto subjekte nuk kishin rrugëdalje tjetër, sepse mospranimi do të thoshte largim nga pushtetit, ndërkaq kjo ishte një kafshatë që assesi nuk kapërdihej. Nga ky bashkëveprim në inskenimet policore, subjektet shqiptare asnjëherë nuk u distancuan dhe kësaj të vërtete ata i kontribuuan me heshtje të plotë dhe me inskenime të natyrave të tjera, me të cilat mjaftoi që të zhvendoset vëmendja e opinionit, pavarësisht plagëve që kurrë nuk do të shërohen. Udhëheqësit e partisë asnjëherë nuk do ta ndjejnë të vërtetën reale, sepse e vërteta e pushtetit për ta do të jetë një lloj infuzioni që i shëronte plagët e turpit…


Loading...
loading...