“Shqiptarët e mi; unë ju dua shqip dhe shqipërisht!” Xhevat Limani

“Shqiptarët e mi; unë ju dua shqip dhe shqipërisht!”
Xhevat Limani

Ditë pranvere. Majat e maleve nën dritën e pasdites dukeshin si të lara në ar. Dielli pak nga pak po perëndonte ndërsa makina fluturonte nga njëra kthesë tek tjetra. Ujrat blugjelbër të Vjosës dukeshin si të ndalur dhe kjo magji ma shtonte më tepër ankthin. Rruga për në Gjirokastër, ku të nesërmen do të promovoja librin tim me poezi “Qendisje me fije dielli”, po më dukej pa fund. Pikërisht në ato çaste erdhi mesazhi, me filmimet, ku aktori brilant Xhevat Limani recitonte tre prej poezive. Ishte një surprizë e mrekullueshme. I dëgjoja dhe entusiazmohesha si fëmijë “Sa bukur! Ua sa bukur! Cfarë dhurateeee!”. Zëri më dridhej. Një lëmsh më ishte krijuar në fyt. Instiktivisht i falesha errësirës përtej xhamave. Sytë e lagur ma vishnin gjysmëhënën qiellit. Nuk po më besohej që i madhi Xhevat Limani, te cilin e kisha njohur nëpërmjet vizitave dhe shfaqjeve të tij në Gjirokastër, në 2018, të interprentonte poezitë e mia. Vargjet më dukeshin të huaja nëpërmjet zërit të tij kumbues dhe në të njëjtën kohë sikur më ftonin në një vals lulefushe….Gjithë ato çaste lumturie më afruan ditët kur më kishin dërguar fotot e artistit në skenë duke luajtur Skënderbeun. Si e zënë në faj, pasi emri i Xhevat Limanit më vinte i largët, menjëherë kisha rendur pas kërkimeve në internet. Më kujtohet që kaloja nga një artikull tek tjetri, nga njëra intervistë tek tjetra, nga njëra foto tek tjetra dhe habitesha se si ishte e mundur që më mungonte informacioni per këtë aktor të famshëm apo shqiptarin e përbotshëm që kumton vetëm shqipërisht. Mësova se ishte lindur në Fierishtë, pranë qytetit të Strugës, më një janar të vitit 1953. Nga dy-tre qytete të Maqedonisë, që kam vizituar, ai që kujtoj me një kënaqësi të veçantë, është pikërisht Struga. Me sytë e ëndërrimeve, jo rrallë, qëndroj mbi urë duke vështruar shpërrthimin e ujrave blu të Drinit të Zi që shkumëzojnë furishëm bardhësi. Nuk mund të kishte poet pa u frymëzuar përpara asaj natyre marramendëse. Ky kryeqytet i bukurisë së natyrës shqiptare është pikënisja e aktorit. “Aty nën valët e liqenit që çajnë tutje permes Drinit të Zi nëpër Shqipëri nis fluturimi im qiejve shpirt’hyjnorë të skenave shqiptare dhe botërore.” -shprehet i madhi Xhevat Limani në njërën prej intervistave, ku fjalët hipnotizuese më tërhoqën të lexoja dhe rilexoja intervistën disa here. “Përballë lisave të gjatë kisha Qafë Thanën, Shqipërinë e ndaluar që më frymëzonte fëmijërinë time me dashuri Atdheu. Duke mbledhur çaj mali ndjeja frymën shqiptare të natyrës. Gjatë kam qenë i bindur dhe këtë imazh s’e fshij dot as sot, se ata lisat e gjatë më duket sikur qanin. Era me psherëtimë dhe ujrat me çikërrimë mbushën trupin tim me aromë Shqipërie.” Fjalë dashurirrëngjethëse që i kam shkruar, siç jam shprehur në njërën prej poezive të mia, në mur të zemrës. Më dukej e çuditshme që Xhevat Limani ishte aktori i parë i diplomuar për aktrim ndër shqiptarët e Maqedonisë. Pas diplomimit në Prishtinë në vitin 1974 i rekomandohet, prej profesorit të tij, të shkojë në Teatrin shqiptar në Shkup ku kanë realizuar projekte të një niveli të lartë profesional, artistik duke qenë kështu pjesmarrës në shumë festivale teatrore në ish Jugosllavi, Europë dhe nëpër botë. Në veprimtarinë e aktorit numërohen mbi 100 projekte teatrosh dhe mbi 7000 shfaqje në mbi 50 shtete të botës…..”Xhevat Limani një organ i lindur, jo vetëm për interpretim, por edhe me dukuri të plota kreative” do të lexoja në librin “Pemnaja e artit të bleruar” kushtuar këtij kolosi nga poeti dhe shkrimtari Kristaq F.Shabani për të vazhduar më tej me përgjigjen e tij në njërën prej intervistave- “Eskili ishte dramaturg, regjizor dhe aktor. Molieri ishte dramaturg, regjizor dhe aktor. Shekspiri po ashtu; ishte dramaturg, regjizor dhe aktor. Brehti, Stanislavski, Çehovi dhe Strasjevbergu ishin po ashtu dramaturgë, regjizorë dhe aktorë. As Xhevat Limani nuk bën përjashtim”…..Xhevat Limani me shpirtin kryengritës si aktor, rihulumtues si regjizor, me platformë të qartë dramaturgjike shqiptare, poet e shkrimtar me shpirt zjarri, orator me virtyte rrokaqiejsh është një nga figurat më të rëndësishme në trevat shqiptare. Eshtë figura e ndritur e cila për fat të mirë do t’i shpëtonte një atentati të dështuar në vitin 2002, në skenën e teatrit në Tetovë, për të emigruar me bashkëshorten dhe dy vajzat, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të krijonte teatrin shqiptar. Përtej madhështisë së aktorit, regjizorit, dramaturgut, përtej fizikut energjik, syve shkëndijues, mjekrës së bardhë origjinale dëshiroja të zbuloja copëza të shpirtit të tij revoltë dhe në të njëjtën kohë të ndjeshëm si puhizat që fryjnë liqenit. Vetëm poezia mund të më ndihmonte për këtë…. “ Ka vetëm një hyrje/Një dalje vetëm ka/Lindja dhe vdekja:/Rrugëtim dypikësh…/Dhe asnjë tjetër hatarë/Stacioneve të përkohshëm,/Koha s’ndalet kurrë,/Vetëm ne kemi ndalur frymën,/Dorëzuar shpirtin/Përjetësisht/Pa vullnetin tone,/Poshtërsisht,/Dhe pikë./S’kam frikë,/Vijojnë të tjerët,/Shqipërisht./Dimër i sertë/me dhe’ mbuluar,/kur shkrihet bora/mbetur kohë e shkuar…”. Aktori me sytë e liqentë i ka kënduar muzës së tij, bashkëshortes Lule me ngrohtësi magjepsëse duke e ngritur në piedestal ; “Dua të shkruaj bukur për ty,/sonte nuk dua as dritën e yjeve,/as qetësinë e shurdhët të pyjeve,/Lule,mall i tretur…/Nuk do të fryjë as era e detit,/valsit të globit të tij…”. Këto vargje i përkasin vëllimit me poezi “Pranverë dimërore” botuar në vitin 2001 në qytetin e Shkupit.
…….
Të shtunën e 26 tetorit, në Hotel Internacional Tirana, u zhvillua takimi i Samitit të Paqes së Europës Juglindore. E ndodhur mes një numri të shumtë pjesëmarrësish, nga vende të ndryshme të botës, emocionet më kishin mbërrthyer si në grackë. Miqtë tanë na kishin njoftuar se, në këtë takim, do të merrte pjesë edhe Xhevat Limani, kolosi, që tashmë ishte shndrruar në një mit për mua. Duke dëgjuar interpretimin e tij, prej një kohe të gjatë, kam larguar lodhjen e ditës, trishtime mbytëse, mërzitje të pakuptimta apo edhe i kam dhënë dritë çasteve të lumtura….Takimi me çiftin Limani më çliroi nga emocionet. Shkëlqenin të dy. Nuk u’a ndaja sytë…. Koha kaloi mes bisedash tepër miqësore dhe interesante. I kundroja dhe më vinin ndërmend fjalët kushtuar bashkeshortes të cilat rrallë mund t’i ndeshësh në botën e komplikuar dhe të mistershme të artit. “ Zonja ime Lule ka qenë, është dhe mbetet kritiku im sekret. Shija e saj e rrallë estetike, kultura e gjerë intelektuale, shoqëruesja dhe njohësja ime e rrallë në shumë aspekte…Partnere jete më të mirë nuk do të më kishte dhururar as Perëndia…” . Në mbrëmje, tek salla Akërnia e hotelit, Xhevat Limani edhe një herë u shfaq madhërishëm me rolin e Skënderbeut përpara një publiku të veçantë, Ambasadorëve të Paqes. Gjatë vitit 2018, vit që përkoi me 550 vjetorin e vdekjes së Kryeheroit tonë Kombëtar , poema dramatike “Gjergj Kastriot Skënderbeu” e shkruar nga vetë Xhevat Limani, u shfaq në shumë vende të botës me një turne në Europë, Kroaci, Austri, Zvicër, Francë, Kalabri etj. ku në rolin e Donikës ishte vajza e tij, sopranoja Era Hoxha e cila këndoi ariet e kompozuara nga Aleksandër Peçi….. Ulur në karriget e rreshtit të parë munda ta regjistroja të gjithë pjesën. Spektatorët duartrokisnin të emocionuar. Muzika, fjalët, zëri tingëlluan fuqishëm, si një dhuratë, duke na përcjellë shqipërisht dashurinë e pakufijë të këtij artisti të përbotshëm për Atdheun. Ndihem krenare që fati më udhëhoqi në rrugën e njohjes me të madhin Xhevat Limani. Krenare që munda ta takoj, bisedoj, të flasim për çastet se si së bashku me zonjën e bukur Lule i lexuan poezitë, përzgjodhën dhe u organizuan në regjistrimin e interpretimit të tyre për të bërë më tej surprizën e bukur në promovimin e librit “Qendisje me fije dielli”. I falenderoj shqipërisht për kohën e bukur që na kushtuan dhe uroj që rrezet e mjeshtërisë ndërkontinentale të Xhevat Limanit të ndrijnë dhe ngrohin, mbi të gjitha, çdo pëllëmbë tokë Atdheu.StrugaLajm

Vjollca ALIAJ
01 nëntor 2019StrugaLajm


Loading...
loading...