Shqiptari i mungon brusha e rrojes në banesë, dënohet për martesë fiktive

Një kosovar 33-vjeçar është dashur të përgjigjet para Gjykatës rajonale të Weilheimit në Gjermani. Ai ishte akuzuar se ka realizuar një martesë fiktive me një shtetase bullgare.

„E dua bashkëshorten time“, ka këmbëngulur kosovari me vendbanim në Schongau, në fillim të arsyetimit të tij. Dyshohet se ai dhe një shtetase 39-vjeçare bullgare janë njohur para disa viteve dhe u martuan në fillim të vitit të kaluar. Në pyetjen e gjykatëses Karin Beuting, kosovari nuk ka mundur tu përgjigjet pyetjeve se sa kohë është duke jetuar me bullgaren, apo sa fëmijë i ka bashkëshortja e tij nga bashkëshortësia e mëparshme.

Sipas dëshmive, duket se çifti nuk ka pasur bashkëjetesë. Këtë vlerësim, kosovari e ka argumentuar me rinovimin e banesës ku kanë jetuar dhe është dashur të zhvendosen në një banesë tjetër.

„Sapo e hapni gojën, ju gënjeni“, i ka thënë gjykatësja e irrituar. I pandehuri ka ardhur me avokatin e tij. Bile, ai e ka kundërshtuar masën e ndëshkimit. Nëpunësit e ofiqarisë e kanë informuar policinë pasi ishin bërë të dyshimtë. Që në vitin 2015, kosovari kishte parashtruar kërkesë për azil, e cila i ishte refuzuar, shkruan „Merkur“, përcjellë Shtegu.com. Në momentin që i pandehuri në vitin 2017, u paraqit sërish në ofiqari, bullgarja nuk ka folur as gjuhën shqipe e as gjermane, ndërsa kosovari nuk ka kuptuar bullgarisht, që i ka shtuar dyshimet për një martesë fiktive.

Shtetasja bullgare, e cila kishte nevojë për përkthyese, është dukur paksa e hutuar në rolin e dëshmitares. Sipas një dëshmie mjekësore, një muaj para se të martohej, ajo ishte rrëzuar rëndë nga shkallët dhe që atëherë kanë filluar problemet me kujtesën e saj. Por, edhe ajo ka pohuar se ka jetuar së bashku me kosovarin dhe se do të krijonin një familje.

Megjithatë, një nëpunës policor e ka kundërshtuar, pasi ai dy herë e ka vizituar banesën e çiftit, që përbëhej nga një dhomë e vogël e vetme. Aty nuk ka mundur të gjejë as rrobe, por as edhe artikuj tualeti të kosovarit. „Nuk gjeta asgjë përpos një palë këpucë për burra“, ka deklaruar polici.

Prokurori i ka sugjeruar trupit gjykues që të përkufizohet në sasinë e ankesave, pasi kosovarit do t`i dilte më lirë. Edhe pala mbrojtëse është përpjekur ta bindë në këtë drejtim. Por, kosovari ka vazhduar me bindjen e tij: „Ka qenë një martesë dashurie“. Për pozitën e tij financiare, kosovari nuk ka mundur të japë informata të qarta, me pretekst se është ndihmuar financiarisht nga i vëllai që gjithashtu jeton në Schongau. Nga enti social nuk ka pranuar asnjë ndihmë, gjë që gjykatësja e vlerësoi si rrëfim të trilluar.

Pas kësaj, Gjykata e shpalli fajtor të pandehurin, duke e dënuar me gjobë prej 2.400 euro.(Shtegu.com)

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...