Shteti pa popull – si xhamia pa xhemat

 


Shumë tesera partiake dhe shumë pakë vende pune, shumë diploma dhe shumë rreshta të gjatë përpara Entit për Punësim, shumë shpresa dhe shumë dëshprime, shumë pallavra rreth historisë dhe shumë pakë mundësi për jetë të dinjitetshme. Si është e mundur që rinia në Maqedoni, në një atmosferë të këtillë, të shikojë ardhmërinë e vetë ?

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

 StrugaLajmStrugaLajm

Me trishtim lexova diku se krahasuar me vitin 1990, në Shqipëri paska 270 mijë nxënës më pakë, se vetëm viteve të fundit janë mbyllur mbi dyqindë shkolla, se numri i njerëzve që kanë më shumë se 65 vjetë qenka trefishuar në krahasim me po të njejtën periudhë.Zyrtarisht, numri i emigrantëve është pakë më i lartë se një million, por jozyrtarisht ai numër shkon në dy milionë. Ky trend i zbrazjes së atdheut nuk tregon statistika më optimiste as në Kosovë e cila dikur ishte vendi më i ri sipas moshë së banorëve të vetë në tërë Evropën, por ja që tani as Kosova nuk është aq e re.Sidoqoftë, këto shifra alarmuese për lëvizjet, migrimet dhe emigrimet e shqiptarëve në përgjithësi kanë arrësyet e veta të njohura e të panjohura dhe me ato do duhet të merren institucionet gjegjëse në Shqipëri e Kosovë. Kuptohet, nëse ndërkohë nuk zbrazen tërësisht edhe Shqipëria, edhe Kosova.
Por, si qëndron situata në Maqedoni, a po zbrazet dhe sa po zbrazet ajo, a po ik më shumë rinia shqiptare a maqedonase, apo ndoshta poi kin të gjithë toptan sepse duke mos mundur të presin më ardhjen e Evropës te ne, po nxitojnë në krahët e sajë. Vitet ikin tutje dhe jo dalëngadalë sikur në këngë, ato ikin shpejtë dhe ata që sot janë të rinjë qysh nesër mund të konstatojnë se paska shkuar koha e tyre evropiane.

Rrugë dhe shtigje euro-klandestineStrugaLajm

Nuk kam hasur së voni në ndonjë statistikë zyrtare që flet për largimin e rinisë nga Maqedonia, por më kujtohet se para disa vitesh ky numër zyrtarisht sillej diku rreth treqindëmijë që kanë status të rregulluar qëndrimi.Por, numrat zyrtarë këtu ndër ne gjithmonë kanë pasur të bëjnë kryesisht me maqedonasit, për shpërnguljen e shqiptarëve rallëkush është brengosur dhe ka mbajtur evidencë. E ata, pra shqiptarët, ka kohë që kërkojnë rrugë dhe shtigje për të depërtuar në Evropë, rrugë e shtigje që në të shumtën e rasteve kanë qenë dhe janë klandestine, “në të zezë”, siç parapëlqejnë shqiptarët t’a quajnë qëndrimin e tyre të paligjshëm jashtë. Më duket se nuk do gaboj fare nëse them se numrit të qytetarëve të Maqedonisë që kanë status të rregulluar mundemi lirisht t’ua shtojmë edhe po aq klandestinë. Shto këtu edhe pasaportat bullgare që janë me dhjetëra mijë, do fitohet një numër banorësh sa ka, t’a zëmë, i tërë Mali i Zi. Pra, Maqedonia e vogël e paska jashtë vendit një shtet të tërë, sado i vogël qoftë.
Pra, Maqedonia është një liferuese bajagi e mirë e gjakut taze të llojit multietnik, multifetar e multikulturor. Dhe, të mos harojmë se në saje të shkollave dhe universiteteve të shumta që po mbijnë si kërpudhat pas shiut e që po i kryejnë gadi të gjithë, Maqedonia po e çudit botën duke i servuar një shtresë të re, të paparë ndonjëherë të punëtorëve të krahut e të pastruesve me diploma fakulteti. Kjo, natyrisht, po ndodhë sepse universitetet, në vrap pas parave i kanë katandisur tërësisht kriteret bazë për studime të sukseshme duke prodhuar në mënyrë serike dhe krejtë të pa kontrollë gjenerata të cilat nuk po mundet t’i absorbojë as ekonomia e coftë e vendit, e as administrata e stërngarkuar me të punësuar partiak që në të shumtën e rasteve po marrin rroga për të lëvizur dyertë e institucioneve.
Shumë tesera partiake dhe shumë pakë vende pune, shumë diploma dhe shumë rreshta të gjatë përpara Entit për Punësim, shumë shpresa dhe shumë dëshprime, shumë pallavra rreth historisë dhe shumë pakë mundësi për jetë të dinjitetshme. Si është e mundur që rinia në Maqedoni, në një atmosferë të këtillë, të shikojë ardhmërinë e vetë ?
Në këtë lament për derdhjen e rinisë tonë, pa prefikse etnike, nuk po e përmend derdhjen e trurit, pra emigrimin e të rinjëve që në ndonjë mënyrë të çuditshme kanë arritur të dallohen me të arriturat dhe profesionalizmin e tyre. Por, ata janë të vetëdijshëm se ardhmëria e tyre poashtu është në Perendim dhe poi kin pa ndërprerë aty ku po ju ofrohet mundësia për të dëshmuar atë që dijnë dhe atë që munden t’a bëjnëë.

Cka quajmë ne atdhe

Në kohët e globalizimit, kur e tërë bota është bërë një fshat i vogël, disi vetvetiu po zbehet koncepti i atdhedashurisë dhe i dashurisë për kombin, biles edhe të konceptuarit tradicional i familjes ka pësuar ndryshime të dukshme. Sot, ndoshta vetëm ne më të vjetrit flasim për mallin për vendlindjen kur dalim përtej kufinjëve. Era e trëndafilave në bahçen nanës, pitet dhe flijat, kodra e gjelbëruar mbi fshat, muhabetet me shokë, janë gjëra të cilat i bëjnë për të qeshur të rinjtë e sotëm. Ndërkaq, për atdheun thonë se i ka lënë të bredhin rrugëve dhe të çojnë dëm vitet e tyre më të bukura, andaj edhe ata po e lënë atdheun, le të ropatet mes zgjedhjeve te pakuptimta dhe ndërtimit të përmendoreve e pallateve antike, le të kërkojë atdheu armatë të re votuesish me premtime se do ju sigurojë rroga 200-300 euro. Ne po kërkojmë ndonjë atdhe tjetër, po kërkojmë atdhe në të cilin nuk do të jemi të detyruar të shpjegohemi, po kërkojmë atdhe të cilin do mundë t’a ndërojmë me një atdhe tjetër , dhe pastaj me tjetër, me tjetër. Varësisht se çka n’a ofron atdheu i ri. Ja, kështu përafërsisht po e konceptojnë të rinjtë punën e atdheut, po e konceptojnë në mënyrë të pakuptueshme për ne, ama ata janë të rinjtë, ata po vendosin për vehten, ne vetëm po shikojmë e po themi Subhnallah, Subhanallah
Sa i përket dashurisë për kombin dhe gjuhën, aty gjërat qëndrojnë pakëz më ndryshe, por jo edhe aq ndryshe sa po shpresojmë ne. Të rinjtë tanë të vendosur në atdhe tjetër e duan shumë kombin dhe gjuhën, i mbajnë edhe më tutje flamujtë kuq e zi nëpër banesat sociale që ua ndanë atdheu i ri, kanë aty ndonjë skulpurë të Skënderbeut, bëjnë selfi duke e bërë me duar shqiponjën, flasin shqip siç kanë folur përherë. E për faktin se fëmijtë e rinisë tonë e flasin shqipen sikur me vështirësi ose nuk e flasin fare, nuk janë fajtorë prindërit e tyre, djemtë e vajzat tona. Jo,kjo ndodhë sepse fëmijtë e fëmijëve tanë kanë një atdhe tjetër nga ky i yni, kanë atdhe në të cilin rrugët nuk janë të pista, shkollat janë vatra mësimore që i bëjnë gadi për sfidat e jetës, ambulancat dhe spitalet janë vende në të cilat nuk detyrohen të koruptojnë mjekë për t’u kujdesur për shendetin e tyre, universitet nuk janë bahçet e baballarëve të askujt, aty përmendoret dhe pallatet antike janë të vjetra dhe jo prej stiropori, aty s’punësohesh me librezë partiake po me do libreza të tjera që kanë peshë e vlerë dhe dëshmojnë aftësinë.Vërtetë, aty s’flitet shqip e maqedonisht, por kjo vështirë se ju bën përshtypje fëmijëve të fëmijëve tanë, e sa do ju bën përshtypje nipave e mbesave të fëmijëve tanë, po frikësohem bile të mendoj.
Tani, do thoni ju, sipas Reisit, paska mbaruar puna jonë. Por, jo, nuk ka mbaruar ende, ka edhe një çikë shprese për ne të gjithë që jetojmë në Maqedoni, Ekziston shpresa që Europa që aktualisht po i thithë të rinjtë tanë – të vijë te ne, me sistemin e vetë të vlerave, me sigurinë dhe mbrojtjen, me kulturën e punës dhe organizimin e riorganizimin e ekonomisë, me qëndrimin se atdheu i takon çdokujtë që jeton në atdhe, askujtë më shumë e askujtë më pakë.A do vijë, varet nga të gjithë ne që deri sot vetëm deklarativisht kemi qenë pro Europës e pro NATO, por ja që nga fundi i këtij muaji do të duhet t’a dëshmojmë edhe praktikisht atë përcaktim tonin.
Ndryshe, lamenti për ikjen e rinisë do bëhet edhe më vajtues dhe Maqedonia do të bëhet shtet pa popull, një Terra Nullius, Tokë e Askujtë. Dhe, shteti pa popull është sikur xhamia pa xhemat. Xhamia është shtëpi e Zotit vetëm kur aty ka njerëz të cilët e madhërojnë Zotin, kur ajo qëndron e zbrazur në vazhdimësi, paraqet vetëm një objekt. 30 shtatori po afron! Një Po e jona në referendum është një hap më afër perspektivës të të gjithë neve, është përcaktim për jetë të dinjitetshme pa dallime kombëtare, fetare, kulturore, është mundësi për të mbajtur rininë tonë këtu duke I mundësuar të krijojë ardhmërinë dhe lumturinë e vetë këtu ku I ka rënë koka.


Loading...
loading...