Si mund të fitoni leje pune në Suedi si shtetas i Maqedonisë së Veriu

Qytetarët e vendeve jo anëtare të BE-së nëse duan që të punojnë në Suedi, ata këtë mund ta bëjnë duke aplikuar për një leje pune në këtë shtet, shkruan in7.

Për të marrë një leje pune, së pari duhet të merrni një ofertë zyrtare të punësimit nga një punëdhënës suedez.

Për t’u kualifikuar si leje pune, kontrata e punës duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

• Shpallja e punës duhet të jetë e botuar në portalin EURES brenda një minimum prej 10 ditësh;
• Kushtet e punës duhet të jenë në përputhje me marrëveshjet kolektive në Suedi dhe punëdhënësi juaj duhet të sigurojë që kërkesa juaj të jetë e çertifikuar si relevante;
• Paga mujore para taksimit duhet të jetë në të njëjtin nivel siç parashikohet në marrëveshjet kolektive në Suedi, që do të thotë se paga duhet të paktën të jetë 13,000 korona suedeze në vit;

Nëse ju siguroni një leje pune, atëherë bashkëshorti juaj, fëmijët deri në moshën 21 vjeç, si dhe fëmijët mbi 21 vjeç, të cilët varen financiarisht nga ju, kanë të drejtë të bashkohen me ju në Suedi. Ata gjithashtu duhet të bëjnë kërkesë për leje qëndrimi si pjesë e aplikacionit tuaj ose veçmas.

Hapi tjetër është që t’i kërkoni punëdhënësit tuaj të plotësojë zyrtarisht ofertën e punësimit me shkrim. Ky hap është i nevojshëm për të siguruar që ju do t’i keni kushtet e duhura për punësim dhe pagën në përputhje me kërkesat e Bordit Suedez të Migracionit.

Punëdhënësi juaj është gjithashtu përgjegjës për dërgimin e kontratës së punës në sindikatën e duhur. Pasi të miratohet, kontrata i kthehet punëdhënësit tuaj.

Pasi t’i ketë këto dy dokumente, ai duhet t’i dërgojë tek ju, në mënyrë që t’i bashkëngjitni ato në kërkesën tuaj për leje pune.

Ju mund të aplikoni për një leje pune në Suedi në mënyrat e mëposhtme:

– online në internet, ose
-në ambasadën më të afërt të Suedisë.

Nëse aplikoni online, mund të kërkoni leje qëndrimi për të gjithë anëtarët e familjes. Nëse dërgoni një kërkesë me shkrim në ambasadë, çdo anëtar i familjes duhet të paraqesë nga një kërkesë të veçantë.

Nëse aplikoni online, do të keni mundësi të skanoni dhe të ngarkoni të gjithë dokumentet tuaja. E nëse aplikoni në ambasadë, atëherëdo të duhet të bëni kopje të dokumenteve të kërkuara dhe t’i mbani ato për procesverbalin që do ta dorëzoni.

Aplikimi juaj duhet të përbëhet nga këto dokumente të mëposhtme:

• Formulari i plotë i aplikimit (online ose me shkrim);
• Kopjet e faqeve të pasaportës suaj, ku gjenden informacionet tuaja personal, periudhën e vlefshmërisë dhe nëse ju lejohet të jetoni në vendet e tjera (p.sh. viza të tjera ose leje qëndrimi);
• Oferta juaj e punësimit, njoftimi i sindikatës dhe çdo dokument tjetër që punëdhënësi juaj ju ka dërguar juve;
• Kopje të faqeve të lartpërmendura të pasaportave të anëtarëve tjerë të familjes tuaj – nëse aplikoni me shkrim, në ambasadë, atëherë duhet t’i bashkëngjitni këto kopje së bashku me aplikimet e tyre;
• Tarifa – Nëse dërgoni aplikacionin online, mund të paguani me kartë krediti ose debiti. Nëse aplikoni në ambasadë, mund të paguani kur të keni terminin tuaj;

Nëse aplikoni online, atëherë Bordi Suedez i Migracionit ka mundësi që të fillojë ta rishikojë atë menjëherë. Nëse aplikoni përmes ambasadës, ata do t’ia dërgojnë kërkesën tuaj deri tek Bordi në Suedi, i cili do të marrë, për rreth katër javë, për ta përpunuar dhe rishikuar të gjithë dokumentacionin.

Bordi i Migracionit do të fillojë përpunimin e kërkesës suaj sapo të jenë marrë të gjitha dokumentet e nevojshme. Do ta merrni vendimin më shpejt nëse keni paraqitur një kërkesë të plotë që nga fillimi.

Koha e përpunimit të aplikacionit ndryshon. Përgjigje do të merrni me postë elektronike nëse keni aplikuar online, ose nëse keni aplikuar përmes ambasadës përgjigjen do ta merrni duke kontaktuar ambasadën ku keni bërë kërkesën.

Informacioni nëse keni nevojë për vizë do të përfshihet së bashku me vendimin zyrtar në lidhje me kërkesën tuaj. Nëse keni nevojë për vizë për të hyrë në Suedi, do të duhet të shkoni në Ambasadën Suedeze për t’u fotografuar dhe për të lënë gjurmët e gishtërinjve.

Nëse nuk keni nevojë për vizë, duhet të vizitoni zyrën tuaj më të afërt të Bordit të Migracionit menjëherë pas mbërritjes në Suedi, ku do të fotografoheni dhe do të lini me gjurmët e gishtërinjve.

Karta që do të shërbejë si dëshmi për lejen e qëndrimit do të dërgohet në adresën tuaj në Suedi.