Sindikata e Zvicrës: Pensionimi me 60 vjet në ndërtimtari duhet mbrojtur

Shumë bashkatdhetarë tanë në Zvicër kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me dekada të tëra në ndërtimtari. Puna në ndërtimtari është e rëndë. Pasojat shpesh ndjehen më vonë në formë të dhimbjeve dhe problemeve me gjymtyrët. Andaj, është shumë me rëndësi, që punëtorët e ndërtimtarisë të mund të gëzojnë pensionin më herët. Këto ishin edhe arsyet kryesore të cilat i detyruan punëtorët, që së bashku me sindikatën e tyre të kërkojnë pensionim të mëhershëm. Tash kjo e arritur sulmohet prapë nga punëdhënësit.

Nga Rexhë Halimi

Pas një luftë të gjatë dhe të rëndë nga punëtorët e ndërtimtarisë është arritur në vitin 2002 që të mundësohet pensionimi në moshën 60 vjeçare. Kjo mundësi është me rëndësi jetësore për të punësuarit në ndërtimtari dhe sot as që mund të mendohet që kjo të hiqet nga ky sektor. Fondi FAR është krijuar enkas për pensionimin e të punësuarve në ndërtimtari. Herë pas here kjo mundësi e pensionimit të hershëm sulmohet nga punëdhënësit me ambicie të zhdukjes së fondit. Përderisa ndërtimtaria në Zvicër nuk ka ndalje dhe firmat e ndërtimtarisë arrijnë fitime milionëshe, fare pak investohet në mirëqenien e punëtoreve.

Deri ne fund të këtij viti duhet të ri negociohet kontrata e përgjithshme për ndërtimtari (LMV) dhe gjithashtu prapë është sulmuar nga punëdhënësit fondi për pensionim të hershëm, FAR.

Si herrave tjera edhe këtë herë ndërtimtarët të bashkuar në sindikatën Unia duhet të mbrojnë bashkërisht pensionimin me 60 vjet. Mijëra anëtarë të sindikatës Unia së bashku me të punësuarit e sindikatës janë të vendosur për angazhim maksimal.

Pjesë e kësaj fushate dhe në ballë të aksioneve e aktiviteteve sindikaliste janë edhe dy bashkëkombës tanë: Hilmi Gashi e Xhafer Sejdiu.

Ne nga ta morëm nga një prononcim për këtë temë të rëndësishme për punëtorët e ndërtimtarisë kryesore në Zvicër, ku siç dihet punojnë edhe shumë bashkatdhetarë tanë.

Hilmi Gashi, udhëheqës i sindikatës Unia në regjionin Bern Oberland dhe bashkë-organizator i shumë protestave, grevave dhe demonstratave theksoi: “Pensionimi me 60 vjet është një sukses i arritur me luftë të ashpër sindikaliste. Ky pensionim në këtë moshë për punëtorët e ndërtimtarisë është i domosdoshëm, kur të kemi parasysh se puna e rëndë në ndërtim dëmton shëndetin. Andaj, ne si sindikatë do të bëjmë çmos të mbrojmë këtë të arritur të drejtë” thekson sindikalisti profesionist Hilmi Gashi.

Xhafer Sejdiu, aktivistë shumëvjeçar në sindikatën Unia, i cili ndër të tjera është edhe kryetarë e grupit të ndërtimtarisë në Cyrih, vërteton dhe konkretizon më tej: “Pasojat e punës së gjatë nën kushte të vështira janë zakonisht të natyrës fizike dhe si pasojë kanë, fjala bie, dhimbjet e gjymtyrëve. I rrallë është numri i ndërtimtarëve, të cilët e kanë pritur me shëndet të mirë moshën e pensionimit. Për këtë arsye, pensionimi i mëhershëm me 60 vjet është i shenjtë për punëtorët e ndërtimtarisë dhe ne duhet gjithsesi ta mbrojmë atë!”.

Të dy bashkëbiseduesit sindikalistë, aktivisti Xhafer Sejdiu dhe sekretari Hilmi Gashi, janë të bindur se, edhe kësaj radhe të bashkuar do ta mbrojmë Kontratën e përgjithshme të ndërtimtarisë si dhe do të ruajnë me çdo kusht pensionimi me 60 vjet me të njëjtin nivel të shumës së pensionit. Por, kjo sipas tyre mund të arrihet vetëm nëse ne të gjithë punëmarrësit bashkë qëndrojnë të bashku dhe janë solidar mes veti.

In : Aktuale

Loading...
loading...