Shqiptarët pritet ta humbin « betejën » për shtesat e fëmijëve ?!

Beteja e filluar para disa javëve midis partive shqiptare dhe atyre maqedonase në pushtet për numrin e fëmijëve shqiptarë që duhet të marrin shtesa të rregullta të fëmijëve, që nga sot ka zbritur edhe në parlamentin e vendit.

Propozim-ligji i hartuar nga LSDM-ja, përkatësisht ministria e punës dhe politikës sociale e udhëhequr nga ministrja Milla Carovska e ka përkrahjen e VMRO-DPMNE dhe kjo bënë që votat e deputetëve shqiptarë të mos mjaftojnë për të bllokuar atë apo edhe bërë ndonjë ndryshim rrënjësor.

Propozimi në versionin fillestar nuk e pati e pajtimin e partisë më të madhe shqiptare në qeveri, BDI-së dhe Alternativës.

Dhe megjithatë ai u dërgua si i tillë pa asnjë ndryshim në parlament përkundër mos-pajtimeve të këtyre dy partive në pushtet me LSDM-në.

PDSH-ja deri më tash nuk është deklaruar publikisht dhe qëndrimi i saj mbetet i panjohur nëse është për apo kundër këtij propozimi i cili synon që të zvogëlojë në mënyrë të rreptë numrin e familjeve dhe numrin e fëmijëve shqiptarë që do të marrin shtesat e fëmijëve nga buxheti shtetëror.

Synimet e LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev, ndërkohë janë kundërshtuar edhe nga dy partitë politike shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH).

E këto qëndrime të këtyre dy partive sot janë përsëritur për Zhurnal.mk nga anëtarët e tyre.

Zhurnal.mk sot i ka pyetur partitë shqiptare në opozitë dhe ato në pushtet se cilat janë qëndrimet e tyre mbi ligjin që propozon Qeveria për shtesat për fëmijën e tretë dhe cilat janë vërejtjet e tyre ndaj të njëjtit.
 
Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli pati përgjigje të qartë dhe tha se kjo parti është kundër ndryshimit të ligjit të tashëm në fuqi dhe është kundër propozimit të ligjit të hartuar nga Deskoska.

“Vlerësojmë se duhet të mbetet ligji për fëmijën e tretë, të kompensohet. Jo sikur që ka propozuar Qeveria tani, d.m.th lidhur me të ardhurat e prindërve, por thjeshtë të jetë për çdo fëmijë të tretë, » tha ai për Zhurnal.mk.

Duhet që « të mbetet ligji aktual duke pasur parasysh se shteti ka probleme me natalitetin, ka probleme me ikjen e të rinjve jashtë dhe nga të dhënat që merren nga institucionet ndërkombëtare, kur ka filluar të zbatohet ligji aktual d.m.th 2010/11 dukshëm është rritur, dhe shfrytëzuesit e kësaj të drejte dhe ka dhënë efekte pozitive në rritjen e popullsisë dhe rritjen e natalitetit dhe mbetemi në pozicionin se duhet të mbetet zgjidhja aktuale d.m.th ligji aktual”, ka deklaruar Zeneli për Zhurnal.mk.

Edhe anëtarë të ASH-së rikujtuan qëndrimin e partisë së tyre kundër propozimit të Deskoskës dhe ishin të qartë në përgjigjen e tyre.

” Jemi kundër heqjes së shtesës që ishte e paraparë për fëmijën e tretë sepse përmes propozim- ligjit që tani do të jetë në procedurë, propozohet që ajo të vlejë vetëm për familjet që janë raste sociale që nuk kanë asnjë të ardhura dhe këtu dëmtohet pjesa më e madhe e familjeve që kanë 3 fëmijë, » tha për Zhurnal.mk, deputeti i ASH-së, Syrija Rashidi.

« Sidomos për ne është me rëndësi se (v.j. sipas propozim-ligjit) dëmtohen familjet shqiptare, sepse më shumë familjet shqiptare kanë nga 3 fëmijë dhe këtu është tendenca, siç duket një masë për ta parandaluar lindshmërinë në përgjithësi. Ky është një absurd sepse në një situatë kur kemi shpërngulje masive, ikin çdo ditë njerëz dhe merren masa administrative për ta penguar lindshmërinë, » » tha më tutje Rashidi për Zhurnal.mk

Ai porositi se në parlament do të ketë propozime nga ASH-ja për të tentuar ndryshuar propozimin e Deskokës.

« Do t’i shohim detajet e ligjit dhe aty ku do të ketë hapësirë do të intervenojmë edhe ne me amendamente”, ka deklaruar për Zhurnal, deputeti i ASH-së, Syrija Rashidi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e njëjtë dërguar anëtarëve të Besës dhe ASH-së :  « Cili është qëndrimi juaj mbi ligjin që propozon Qeveria, gjegjësisht për ligjin e shtesave për fëmijën e tretë dhe cila është vërejtja juaj mbi propozim ligjin në fjalë ? » zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani nuk ishte i drejtpërdrejtë në përgjigjen e tij.

Ai tha : « Alternativa, si parti politike e djathtë, e mbështet familjen si celulë të shoqërisë dhe rritjen e natalitetit e sheh si mekanizëm për ta fuqizuar atë. Andaj Alternativa gjykon se të gjitha masat që e ndihmojnë këtë janë të mirëseardhura dhe duhet mbështetur. Rrjedhimisht, çdo gjë që bie ndesh me këtë synim, nuk do ta ketë përkrahjen tonë”, ka deklaruar për Zhurnal.mk Murtezani.

Jo i drejtpërdrejtë në përgjigje ishte edhe kreu i partisë në pushtet, RDK, Vesel Memedi.

“… duhet që të shohim shpjegimin dhe arsyeshmërinë e Qeverisë për ligjin në fjalë. Vetëm pas kësaj mund të flasim për ligj të arsyeshëm ose jo, ligj mono-etnik ose jo, apo ligj diskriminues ose jo. Qëndrimi ynë konkret do të jetë pasi të shohim qartë arsyeshmërinë e propozim ligjit, pa ngarkesa paraprake politike”, ka deklaruar për Zhurnal, kreu i RDK-së, Vesel Memedi.

Zhurnal.mk sot ende nuk ka marrë përgjigje në pyetjen e njëjtë nga anëtarët e dy partive të tjera në pushtet, BDI dhe PDSH në të njëjtën pyetje.StrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...