Poeti dhe shkrimtari strugan Ibrahim Abedini, me një vështrim mbi librin “Gishti mbi Ohër” të shkrimtarit Hamit Gurguri

Një vështrim kureshtar mbi librin ” Gishti mbi Ohër” i Shkrimtarit, Poetit, publicistit, veprimtarit dhe mbi të gjitha, atdhetarit të flaktë, Hamit Gurguri-t!

                                    Shkruar nga, Ibrahim Abedini

                                      Shkrimtari dhe Poeti Strugan

Më ra në dorë si dhuratë nga vetë autori,libri, ”Gishti mbi Ohër”,i mikut tim, Hamit Gurguri. Vetë titulli më zgjoi kureshtje dhe më tërhoqi edhe më shumë se sa një libër tjetër i zakonshëm. Qyteti i Ohrit nuk është më larg se shtatëmbëdhjetë kilometra nga qyteti im i Strugës. Jam rritur në mesin e këtyre dy qyteteve, kam mësuar, kam par e kam dëgjuar çdo gjë që lidhet me me jetën dhe shpirtin e këtyre dy qyteteve. Kam par të mirën por edhe përjetuar të keqen bashkë me to. 

E lexova me vëmëndje dhe me kënaqsi që nga fillimi deri në fund. Ky libër është një ndër veprat e shumta që ka krijuar Autori, Gurguri. 

Unë, këtij libri, vendosa t´i hedh një vështrim të vëmendshëm më tepër si shkrimtar dhe jo si studjues apo kritik letrar. 

Fjalët e mia të para për këtë vepër ”Gishti mbi Ohër” do fillojnë me një thënie të vjetër Spartane: ” Më mirë vdis më këmbë se sa të jetosh më gjunjë”. Kjo është edhe moto-ja e jetës së shkrimtarit Gurguri, sipas veprave të shumta që ka shkruar dhe sipas vlersimit tim në këtë vepër.  Por që për dallim nga Spartanët, Hamiti bënë luftë me penë dhe jo me pushke, se fuqia e pushkës pa e patur edhe penën nuk garanton jetëgjatsi lirie!

Ky libër, lë të hapura tre dritare, tre fusha studimi dhe tre mundësi për t`u emërtuar.

1-Mund të quhet një roman!

-Kush mund ta kundërshtoj, dhe për çfarë arsye? Personazhet, ngjarjet se si zhvillohen në kohë dhe hapsirë, mënyra e formimit të tyre dhe rrjedha e vetë këtyre ngjarjeve pa shkëputje nga tema, i hapin rrugë një romani. Êshtë një tregim i gjatë dhe pasqyron një ngjarje.

2-Mund të quhet tragjedi! Pse jo? i përmbush të gjitha mundësitë dhe parametrat e një tragjedie. A nuk është kjo një vepër letrare që për personazhin kryesor paraqet një gjendje pa rrugëdalje, e cila e çon atë në një fund të hidhur. 

Autori, Gurguri, kur flet për një tragjedi familjare, në këtë rast për familjen Arnauti nga Manastiri, ka në fokus një tragjedi kolektive, të një populli të tërë, dhe në këtë rast është fjala për popullatën shqiptare në IRJM-së , që me të vërtetë pësoj një tragjedi ku autori e paraqet të rradhitur në mënyrë kronologjike si një kronist, sikur të ishte dhe vetë banor i Manastirit dhe i kapur nga po ajo dhunë sllavo-maqedone e asaj kohe, që në thelb asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot… 

3-Mund të quhet një libër me përmbajtje historike, një vepër me karakter historik!

-Nuk ka asnjë dyshim, pse ky libër të mos emërtohet si një vepër letraro-artistike me përmbajtje historike. E them lirisht dhe jam në gjendje ta mbroj atë pa u hamendur, unë vet do ta kisha quajtur një ”Kronikë historike e kohës” për faktin se përmbledh ngjarje dhe data historike të rradhitura sipas kohës dhe që janë realitet i kohës padyshim.

I vendosur në qendër të veprës së vet autorit është Lame Arnauti. Bir i një shqiptari të pasur nga Manastiri. Duke mos dashur të futem në detaje në jetën e tij dhe të familjes në hollësi, unë do hidhem direkt në një pyetje që do t´i bëj autorit dhe që do përgjigjem vetë.

Si e përshkruan autori Gurguri,karakterin e Lame Arnautit?

Një djal të ri, entusiast, me plotë fuqi rinore dhe vetbesim të tepruar. Me një vullnet të çeliktë dhe të pa thyer si natyra e maleve të larta të Manastirit. Një i ri i kapur fortë pas idealeve propaganduese dhe ideologjisë së kohës. I frymëzuar nga ideologjia revolucionare e luftës dhe e punës së popullit në ndërtimin e socializmit dhe besimi i tij i palëkundur në fitoren e të resë ndaj të vjetrës. Sukseset e socializmit dhe proletariatit internacional,i ndjente edhe si suksese të tij të korrura me luftë. Lame, personazhi i Gurgurit, mori pjes në luftën antifashiste çlirimtare si pjestar i brigadës Kosovaro-maqedone, me besimin e plotë se edhe kombi i tij në Maqedoninë jugosllave do fitonte të njejtat të drejta me të gjithë popujt e tjerë Sllavë. Propaganda e socializmit Ruso-Jugosllav për barazi dhe bashkëjetesë midis popujve kishte la mbresa të thella dhe bëri përshtypje bindëse në formimin e tij si njeri.

Çfarë e karakterizon vlerën e këtij libri?

unë do të thosha me pak fjalë se, është madhështia dhe vlera e dimensioneve dhe përmasave kombëtare e temës së zgjedhur nga autori, Gurguri. Lame arnauti është vetëm një personazh, një njeri i vetëm, një Manastirli i lindur dhe i rritur në tokën e tij autoktone. Por prapa tij, dhe me veprimet e tij të gabuara dhe të pësuara nga ata të cilëve u besoj si një qorr, fshihet një popull i tërë, në veçanti ai Shqiptar, i zhgënjyer dhe i tradhëtuar në mënyrën më çnjerzore nga sllavët me traditë gënjeshtare. 

Një përshkrim ideal me syrin kritik të një kronisti , autori jep të gjitha në detaje si, vuajtjet, shpërnguljet me dhunë, vrasjet dhe zhdukjet e Shqiptarëve në mënyrën më të egër që ka egzistuar ndonjëherë në historinë moderne. Uzurpimi i pronës së tyre dhe popullimi i qyteteve me kolonë sllavë të sjell nga greqia, siç i quan me të drejtë autori, ”Egejca”, vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tyre, për një shtet maqedon të pastër.

Një libër në vijën e librit ”Uji i Madh” të Zhivko Çingo!

Një ngjajshmëri në kohë, në hapsirë dhe në karakterin e personazheve. Isaku, djali i Kejtenit, u shpërngul me dhunë nga toka dhe shtëpia e tij, bashkë me miliona fëmijë të tjerë jo Rusë. 

Isaku nga Suka e bukur e Senterlenit, tërë jetën sa qe gjallë në kampet e përqëndrimit rus, që mbante emrin e vëllazërim bashkimit të BRSS-së, e ëndërronte Sukën dhe fantazonte çdo ditë se, një ditë do vinte uji i madh që do ta kthente atë te Suka e tij e bukur! Por kjo ëndërr e bukur që isakun e mbante të gjallë u bë dita ditës edhe më e bukur dhe e çoj atë deri në çmenduri edhe në vdekje të sigurtë.

I njejtë qe i lidhur edhe fati i Lame Arnautit që u detyrua të lërë Manastirin e bukur, vendlindjen ku u rrit dhe ku kaloj rininë, pasurinë dhe prindërit që nuk i pa më kurrë. Lame Arnauti ishte  i lidhur ngushtë me bukuritë e Manastirit dhe me jetën e qytetit të tij. Gati ato bukuri ia sollën afër traumën psiqike, depresionin dhe po e çonin edhe drejt çmendurisë, tamam atëherë kur e shoqeja, Rita, ia zgjoi dashurinë e fjetur me gazetat dhe broshurat e ilustruara me bukuritë e Manastirit kur ia solli me rastin e një shëtitje që bëri me shoqen e saj, por që tani më ky qytet mbante një emër tjetër,” Bitola”!

A thua se ishte thjeshtë një koinçidencë e rastit ky krahasim i këtyre dy personazheve me autorë të ndryshëm?

Unë them se, këto dy personazhe nuk i bashkoj fati rastësishtë që të kenë të njejtin epilog tragjik. Ishte pikërishtë Rusia Sllave me ideologjinë e caktuar si, në Rusi( në rastin e Zhivko Çingo), ashtu edhe në rastin e Lames nga Manastiri, ku po ashtu ishte gishti dhe dora e zgjatur e Rusisë në bashkëpunim me Jugosllavët.

-A ishte i pjekur dhe i formuar aq sa duhej karakteri i Lame Arnauti? Për të kuptuar dredhitë dhe intrigat që e çuan atë deri në atë nivel saqë të bashkëpunonte me armikun në dëm të popullit të tij?

Unë mendoj se si i ri që ishte, i biri i Naum dhe Rina Arnauti-t, u manipulua, u dezinformua, dhe iu shpërla truri nga propaganda e fuqishme e inform byrosë Ruso-Jugosllave dhe pastaj edhe u infiltrua si simpatizant i zjarrtë me moton e bindur se, të gjithë do të jenë të barabartë në atë shoqëri socialiste me ”lule dhe trëndafila”. Shkollimi i tij si pilot në Rusi ia forcoj edhe më shumë këtë besim ndaj Stalinit dhe proletariatit internacional Stalinist dhe atij Jugosllav pas ardhjes në Manastir.

 Këtë ide dhe bindjen time, të mos mjaftueshmërisë në pjekurinë e tij si person e forcon edhe sjellja dhe arroganca në dialogun që pati me babanë , Naumin ,në shtëpinë e tyre në Manastir. Naumi nuk ishte i pajtimit me rrugën që ndiqte i biri dhe nga përvoja e tij shume vjecare, naumi nuk i besonte Rusisë. Ndër të tjera të birit ia tha edhe këto fjalë si përfundim bisede : ” Asnjë e mirë deri më sot nuk na ka ardhur nga Rusët”. Ndërsa qëndrimi i Lames ishte stoik, i vendosur, i pa lëkundur dhe arrogant edhe përkundër mendimit këshillues por edhe kategorik i të jatit, ai, pra Lame, ishte i gatshëm që ato ideale që i servonte në tavolinë si të çmueshme dhe me vlera të përgjithshme socializmi Ruso-Jugosllav, t`i mbroj me të gjitha mjetet, edhe duke sakrifikuar familjen e tij. Lame e quajti të jatin reaksionar dhe të prapambetur, nga pakënaqësia që i ati nuk pajtohej me mendimet e tij, që ai i quante përparimtare dhe të kohës. Lame shkoj edhe mëtej me vrerin që kishte ndaj babait, e quajti atë kundërshtar të socializmit, të Bashkimit Sovjetik, të Stalinit dhe të shokut Tito. Përvec të gjitha këtyre që ia tha, ai e quajti edhe kundërshtar të tij.           Për Lamen Klasa borgjeze, ose klasa e pasur duhej të zhdukej përgjithmonë dhe me këtë, edhe pasuria e babait. Një dëshmi më shumë që tregon pa pjekurinë e Lames. 

Kur filloj të kuptoj Lame Arnauti se, e tërë kjo ideologji socialiste , Jugosllavo-titiste dhe aq më tepër Sllavo-maqedone në vendlindjen e tij, dhe më gjerë, ishte një revolucion socialist me një botkuptim të fshehtë dhe të egër fashizoid vetëm me një qëllim të vetëm, për të marrë fushata spastrimi etnik dhe në këtë rast konkret, zhdukjen, largimin dhe asimilimin e shqiptarëve me çdo mjet dhe në çdo mënyrë.

Fillimi i ndërgjegjsimit të tij filloj atëherë kuru  prishen marrdhëniet BRSS- Jugosllavi. Vazhdoj edhe më tej me ardhjen e tij në Manastir kur atje e priti Binxhiu Riste Naumov, oficer sigurimi, i cili i fliste me një ton nacionalist dhe shovenist për një Maqedoni të maqedonasve, ku nuk do kishte vend për Shqiptarët. Filloj të kuptoj atëherë kur e pa emrin e ndryshuar të Manastirit, të zëvendësuar me atë Maqedon ”Bitola”.  Sytë iu hapën atëherë kur pa shkollat shqipe të mbyllura dhe kur pa se mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën sllavo-maqedone, një gjuhë dhe një shkrim i krijuar vetëm pas luftës së 1945-sës. Kur pa se në Manastirin e tij, pas kthimit nga Rusia, asgjë nuk frymonte në gjuhën shqipe.

Por them gjithsesi se i kapluar nga naiviteti i tij vetiak dhe i llojit të tij, nuk e lejoj atë dhe nuk i dha udhë që ta kuptoj seriozitetin e gjithë kësaj loje të qëllimshme sllave, të kësaj veprimtarie shtetërore dhe civile të mbushur me urrejtje antishqiptare. 

Kokfortësia e Lames filloj të zbutet kur pa të ëmën të vetmuar dhe kur mori vesh për vdekjen e babait që nuk arriti t`i hidhte një grusht dhe e t`i kërkonte falje për arrogancën e tij. Por e gjithë kjo kthesë sa për fillim ndodhi pak si vonë. Këtu do citoj një thënien time: ” Shqiptari së pari vepron pastaj mendon”, pra i till ishte edhe Lame Arnauti, i nxituar, personazhi i Hamit Gurgurit.

Nga kjo agoni e ideologjisë socialiste Lame-n do ta zgjoj veprimi atdhetar i tezes së tij, Nina, që punonte në institucionin famëkeq të ministrisë së komploteve në shkup. Nina,pasi i mbajti një ligjeratë të shkurtër se, si venin punët dhe si do venin edhe më tej për Lamen si një bashkëpuntor i armikut duke vënë dorë edhe vetë në pastrimin etnik të shqiptarëve nga qyteti i Shkupit, Kumanovës, Resnjës, Manastirit dhe Ohrit. Ndër të tjera ajo e quajti Lamen:

– I mjerë, i gjorë, i ngratë!

Kthesa më e madhe dhe shpëtimi i tij nga inplikimi direkt ose dorëvënia e tij në ndihmë të pastrimit etnik të këtyre qyteteve nga Shqiptarët do jet vdekja e Rusit Igor, një Agjent i shërbimit sekret rus që punonte për Jugosllavët.  Por largimi i tij nga e zeza që e kishte krijuar vetë, ishte shkuarja në suedi me delegacionin e aviacionit ushtarak Jugosllav dhe vendimi i tij i prerë për të mos u kthyer më kurrë në vendlindje.

Ku qëndron vlera artistike e vepër së Gurgurit

Vlerat artistike të çdo vepre letrare arrihen atëherë kur sigurohet shprehja e një përmbajtjeje të caktuar për mes formës së përkryer, në këtë rast, të zgjedhur nga autori vetë. Po a e ka gjetur këtë formë Hamit Gurguri? Unë them se po. E ka gjetur të përshtatshëm personazhin, udhëtimin e tij aventurier e të rrezikshëm me pasoja për veten dhe për kombin e tij. Autori e ka gjet kuptimin e brëndëshëm të veprës, e ka zbërthyer atë të plotë, në mënyrë të kjartë ,të kuptueshme. Unë mund të them se, autori, përveç se e ka gjetur formën e përshtatshme për të shprehur idetë e rëndësishme që e kanë preokupuar atë dhe popullin e tij, në rradhë të parë si shkrimtar dhe përfundimisht edhe si shqiptar . Stili i të shkruarit me të cilin autori ka shkruar veprën është jo i komplikuar, i thjeshtë dhe i kuptueshëm. I shkruar në gjuhën e unifikuar letrare  dhe tek tuk edhe me shprehje të të folmes së autorit. Autori ka përdor deri në shterrim thëniet e mënçura, proverbin popullor, alegorinë dhe metaforen për t´i dhënë fuqi shprehjeve dhe për t`ia rritur vlerën origjinalitetit të ideve që pohon kjo vepër; si dhe për ta bërë tregimin sa më estetik dhe kreativ. E bukura, dashuria dhe lotët e vuajtjes janë të shprehura fuqishëm në tërë përmbajtjen e kësaj vepre, që e bëjnë atë edhe më tërheqse për lexuesin. 

Do përmend vetëm një dallim të shkronjës ”Ç” që në shumë raste është zëvendësuar me gërmën” Q”, kjo ka bërë që t`i humb edhe kuptimi fjalës në raste të caktuara, por ky gabim shkronje nuk e vë autorin në përgjegjsi pasi që mund të jet një lëshim i vetë Lektorit që e ka pas për detyrë primare kontrollimin e shkrimit. Por gjithsesi ky lëshim i vogël gjuhsor nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të veprës së Gurgurit.

”Shqiptari e ndjen zjarrin kur i djegin këmbët”, marrë nga një thënie e gjyshit tim, është edhe Lame Arnauti i Hamit Gurgurit, i cili, kur e ndjeu rrezikun që po i afrohej tek këmbët hoqi dorë nga jeta e tij në vendlindje, nga jeta e çmëndur si ndihmës direkt në pastrimin etnik të gjakut të tij dhe nga rreziku i burgut që e priste në ”Goli Otok”, për vdekjen aksidentale të majorit Igor me prejardhje Ruse që, më vonë do t`i vishej si vrasje nga dora e Lame Arnautit.

Si e mbaron Autori Gurguri këtë histori sa komplekse aq edhe interesante dhe tërheqëse?

Personazhi i autorit e filloj jetën në Manastir me mbiemrin, Arnauti, e vazhdoj  në shkup me, Arnaudov dhe e mbaroj në Suedi me, Arnaudson! Një udhëtim i tij sa interesant, sa kompleks aq edhe tragjik.  Jeta në Suedi dhe bashkjetesa me finlandezen, Rita, e zgjoj atë nga gjumi letargjik, nga agonia që i kishte zënë sytë. Dita ditës dërgjegja e ndrydhur që atë e brente përbrënda tani filloj t`i rikujtoj të gjitha veprimet e gabuara në jetë, si luftëtar, si aktivist, si partizan, si ushtarak, si diplomat dhe më së shumti si njeri jo i pastër ndaj gjakut të vetë.  Dhe pikërishtë në këtë pjesë të veprës autori ka krijuar një situatë dramatike që vjenë e thellohet edhe për faktin se,Lame, personazhi i veprës hyn në konflikt me vetveten. E pret një gisht të dorës gjatë një pakujdesie. E vendos atë të mumifikuar në qelq si pjesë të trupit të tij me shpresë që një ditë ta varroste atë në Manastirin e tij të dashur. Jeta e tij mori një kthesë dramatike për të keq dhe dita ditës po e shtynte atë në çmenduri. E vriste dhe e rëndonte jeta e vetmuar e nënës në manastir. Pa mundësia e tij për ta ndihmuar të ëmën dhe së paku edhe për ta vizituar i dhanë fund dëshirës së tij për të jetuar. Ky procedim artistik i këmbimit të situatave dhe i përzierjes së tonit emocional nuk e pengon autorin të zhvilloj veprimin gjer në fundin e tyre logjik.

Si lindi titulli i veprës ” Gishti mbi Ohër”?

Një nga elementët kryesorë, në mos kryesori, që shërben si bosht kompozicional i veprës shtë pikërishte mjeshtria dhe profesionalizmi i autorit Gurguri që, udhëtimin e Rinës për në Shkup me arsyen për të varrosur gishtin e Lames në Manastir dhe hirin e tij për të derdhur në male, e lidh si një rastësi kohe që përputhet me fundin e kësaj vepre artistike me karakter kombëtar. Por unë nuk do thosha se e tëra qe një rastësi, këtu është dhe brendësia e veprës; që sado të kesh punuar kundër qytetit tënd, vendit tënd, gjakut tënd, me vetëdie naive apo edhe pa vetëdije, qoftë edhe si një individ në këtë rast të veprës, trupin dëshironë të ta marrë dheu yt që të lindi. 

Aeroplani që u nis për në Shkup ndërroj destinacion për në ohër dhe u rrëzua mbi malet e Ohrit për arsye të panjohura sipas autoriteteve vendore por që aeroplani ishte i mbushuredhe kësaj rradhe me Shqiptarë. Hiri i Lame Arnaudson-nit u derdh mbi malet e Ohrit bashkë me trupin e Rinës, ndërsa gishti iu varros në manastirin e Shën Naumit sipas dëshirës së tij të fundit. 

Dhe unë këtë shkrim mbi këtë vepër të mjeshtrit, Hamit Gurguri do ta përfundoj me këto fjalë: 

– Letërsia mbetet kurdoherë arti i fjalës dhe muzikaliteti i gjuhës kurse zbukurimet vetëm i shtojnë vlerën veprës dhe rrisin formën emocionale të saj. 

Ky libër është një vepër me rëndësi kombëtare që zgjon ndërgjegjen kombëtare dhe është shkruar me frymëzim atdhedashurie dhe mjeshtri. E përgëzoj autorin, Hamit Gurguri për këtë vepër që na e solli në jetë!

                                        Shkruar nga shkrimtari Ibrahim Abedini

                                                  2020//08 Landvetter

Loading...
loading...











Loading…


loading…