Mësimdhënia, udhëheqja e klasës dhe mësimi proaktiv

Nga Xheladin MURATI

Mësimi është proces dhe ka përmbajtje e synime. Ai duhet të organizohet dhe të udhëhiqet. Mësimi ka nevojë të diferencohet. Mësimdhënia është faktori praktik që sjell deri në ndryshime sasiore dhe cilësore. Mësimdhënia dhe udhëheqja e klasës mbështeten në mësimin proaktiv.

Rrjedha adekuate e mësimdhënies

Për një orë mësimore të mire, efikase dhe rezultative mësuesi, para se ta fillon mësimin ka në kokën e tij idetë që do t’u transmetojë nxënësve dhe e di pjesërisht se si do t’i objektivizojë ato. Hapat që duhet bërë për një orë cilësore dhe mësimdhënie efikase janë: Planifikimi me kujdes i aspekteve dhe dimensioneve njohëse të orës mësimore; Përkufizimi dhe prezantimi i ideve dhe fazave të njohjes mësimore; Zgjidhni kontekst dhe role: hapat logjik të veprimit (punë në grup, ekip, tandeme); Operacionalizim të objektivave të orës mësimore; Orientimi i diskutimeve dhe aktiviteteve; Vlerësimi i të arriturave të orës mësimore apo dështimet eventuale të saj dhe mos e improvizoni orën mësimore. Së pari me rendësi është për nxënësit se çka kërkon arsimtari prej tyre veçanërisht nga aspekti i pjesëmarrjes së tyre në mësim. Po ashtu është me rendësi që arsimtari të ketë  pritshmëri reale. Impulsi i ardhshëm për zhvillimin e teknikave mësimore, praktikave, modeleve dhe teknologjive të mësimdhënies, vjen nga dëshira shumë e përhapur e arsimtarit për arritjen e cilësisë e formave të reja të mësimdhënies.

Udhëheqja e nxënësve në orën mësimore

Një pjesë e rëndësishme e mësimit është aktiviteti i nxënësve në orën mësimore. Arsimtari e udhëheq aktivitetin e tyre në mënyrë kreative dhe dinamike. Ora mësimore përfshin aspekte të caktuara të procesit të njohjes mësimore. Për realizimin dhe sigurimin e pozicionit aktiv të nxënësit në orë, arsimtari i ndërmerr këto hapa: Fokusim në atë që janë duke punuar nxënësit; Nxitja e kërshërisë tek nxënësit dhe motivimi i tyre; Koncentrimi i nxënësve në punën mësimore (detyrë, projekt); Ushtrimi i nxënësve të hulumtojnë (parashtrojnë pyetje, dilema, kërkojnë shpjegime) ; Mësoni nxënësit të bashkëpunojnë (mësim në grupe, ekip, tandem) ; Lejoni nxënësit të kenë një mendim të dytë, të kërkojnë ndihmë me arsye; Vini në përdorim logjikën dhe dijen tuaj metodike.

Ora është e suksesshme nëse keni qasje proaktive në udhëheqjen e klasës, nëse ajo është interesante dhe joshëse. Po ashtu me rendësi është të theksohet klima që krijohet në klasë, gjeometria dhe arkitektura e klasës (renditja  e karrigeve dhe e bankave, këndet për aktivitete etj.), sjellja dhe angazhimi i nxënësve.

Çka e veçon mësimin proaktiv?

Çdo mësim duhet të fillon me parashtrimin e pyetjeve, parashtrim të supozimeve dhe prezantimin e qasjeve. Mësimi është proces dhe ka përmbajtje. Mësimin dhe mësimdhënien e karakterizojnë katër aspekte themelore: aspekti gnosologjik, aksiologjik, demijurgjik dhe komunikues. Këto aspekte reflektojnë esencialisht në gjerësinë dhe thellësinë e përmbajtjeve mësimore që duhet të përvetësohen. Qasjen proaktive të mësimit e veçojnë: Mësimi të kuptohet si proces i brendshëm zhvillimor; Mësimi të jetë atraktiv, sfidues dhe produktiv; Mësimi të ketë qëllime të sakta; Mësimi të jetë dinamik dhe procesual; Mësimi të mbështetet në stile dhe metodologjinë e të mësuarit dhe mësim-nxënies; Mësimi të ofroj dituri solide, kompakte, strukturë dhe nocione; Mësimi të nxit shkallë të lartë të të menduarit logjik, kreativ,  problemor, kritik dhe të zhvilloj shkathtësitë mendore.

Përpjekjet, për racionalizimin e procesit mësimor e të mësimdhënies dhe ndjekja e qëllimeve pedagogjike, shpijnë deri në krijimin e vizioneve të reja dhe qasjeve modern në procesin e të nxënit. Sido që të jetë, përpjekjet për promovimin e mësimit proaktiv kërkojnë pjesëmarrjen e të gjithë nxënësve dhe jo të një grupi. Është e domosdoshme motivimi dhe nxitja e interesit të nxënësve gjatë mësimdhënies. Mësimdhënia  dhe mësimi proaktiv mbeten për tu diskutuar gjithnjë në teorinë dhe praktikën pedagogjike, por edhe në përditshmërinë arsimore, për faktin se a kemi ne mësim dhe mësimdhënie bashkëkohore dhe a duhet të investojmë në kultivimin e tyre. Mësimi tradicional në kohën e teknologjisë moderne ka marrë tani përfundimisht fund dhe në rastin e shkollës bashkëkohore në kohën  e ndryshimeve të mëdha, dyshimet dhe pikëpyetjet për kursin e ri pedagogjik në arsim dhe edukim janë diçka normale. (koha.mk)


Loading...
loading...