Në kërkim të një miti-Puntorie Muça-Ziba

Puntorie Muça-Ziba

( Retorikat që përpiqen të vënë në gjumë popullin dhe miti i pathyer. )

  Pavarësisht aftësisë sesa jemi në gjendje t’i kuptojmë sinjalet e kthesave të mëdha në një sistem, duhet ta dimë se mitet dëshmojnë fazat e ndryshme jetësore nëpër të cilat kalon njerëzimi. Në çastin kur fillojnë demaskimet e të privilegjuarve që shijojnë pushtetin një kohë të gjatë dhe kur dalin në shesh intrigantët të cilëve ju mungon ndërgjegjja, ngrejnë zërin njerëz të shquar të cilët nuk thyhen kurrë dhe luftojnë për mirëqenie, për shtet ku nuk cenohet ligji, liria e mendimit dhe harmonia ndërnacionale. Këto njerëz besojnë me fanatizëm se edhe ndërgjegjja luan rol në funksionimin e një shteti demokratik. Populli i vetëdijësuar e kupton shkëlqyeshëm se ideatorët e së mirës dhe të drejtësisë nuk e zhbëjnë një shtet. Në shoqëritë e stërngarukara me idenë e të sunduarit, me idenë e të qenurit mbret absolut e dërgojnë popullin drejt një varfërie absolute. Njerëzit e jashtëzakonshëm dhe të virtytshëm e dashurojnë me pasion qenien njeri. Ata flasin ndryshe dhe nuk i shesin idetë me para. Gjithmonë gjëmojnë duke përdorur logjikën e shëndoshë dhe nuk dëshirojnë të mbyllen në kulla të argjendta për të shpikur e fryer fantazma që njerëzimi të ndihej i pasigurt. Rrugëtimi i një   njeriu të virtytshëm nis qysh në kohën kur gjendet në bërthamën familjare i rrethuar me njerëz të veçantë, inteligjent dhe patriot me vizione perëndimore. I linduri për së dyti ose i mitizuari ska si të jetë ndryshe, përveç se djali i një familjeje të dalluar brez pas brezi si luftëtar për liri. Vetëm sojliu i një familjeje patriote, ravijëzon tipare të kodeve të trungut. Tek njerëzit e këtillë, shoqëria projekson besim, ndaj krijohet një mekanizëm për njohjen e veprimtarive që zhvillojnë ata. Kështu që ngadalë  dhe sigurt, lind një figurë e pëlqyer që askush nuk mund t’ia zbeh shkëlqimin. Këta figura kaq joshëse shndërrohen në mite. Odisea e ngritjes së mitit dhe përbaltjes së tij lind në çastin kur ai vërtet ka lind dhe nis e rritet nga populli pa akte zyrtare, pa performuar muzikë, pa fishekzjarre, pa pjesmarrje  kolltukxhinjsh të fryer. Paskëtaj fillon varrosja dhe zhvarrosja nga kredhësit, nga ata që nuk rreshtnin së bishtnuari dinjitetin, forcën kolosale, guximin e të mitizuarit, edhe pse nuk arrijnë ta prekin aureolën mbrojtëse të këtij soji shenjëtorësh. Të mitizuarit, vendin më pozant ia japin pikërisht ata që duan ta zhbëjnë figurën e tij.

Kumti i përgjakjes së të mitizuarit nga prita vrastare që i prek thellë në ndjenja e në sedër adhuruesit e tij, spikat nacional-romantikët, hovin fatal të turmës së tërbuar që përpiqet të degjeneron tjetrin, fyerjet dhe kërcënimet. Ç’mitizuesit e lidhin pazgjidhmërisht dhe historikisht mitin me heronjtë e tjerë të kombit. I mitizuari, qoftë i gjallë apo i vdekur flenë pranë prirësve dhe gjigandëve që gjithmonë patën kohë të mbartin pastërtinë ideologjike nga një brez në tjetrin.

Ftillëzimin e lëmshit kohor për të vënë rend dhe rregulla në sistem e dëshiron i apasionuari pas sakrificës për shpëtimin e njerëzimit. Roli i tij kodifikues nis me ftillimin e alibive fantazmogorike, me herrjen e hithrave me qëllim që të mbetet dengu i barishteve dhe lëngu i tyre dobiprurës për njerëzimin. Fjalët e tij të thekura mirë, krijojnë huti tek forcat regresive të një shteti të çrregullt, ku ligjet i pjellin brenda natës.

I mitizuari nuk shkel mbi ndërgjegjen e tij dhe nuk trembet nga turma e çoroditur. Nga pozitivisti kthjellohet edhe ndërgjegjja e popullit që nis e çirret nga hareja: jo, nuk është ky vetë i dytë, nuk është vetë i dytë. Ata gëzohen që e gjetën diamantin. Pas kësaj turma smirake dhe injorante fillon me trille surrealiste,paranoike, satanike,ngaqë i frikon mitizimi i akëcilit të sojit të vet. Pasioni i tyre është që lavdinë ta ruajnë për vete. Mendoj se i mitizuari i kësaj kohe nuk përkon me mitologjizime formale që lindin si pjellë e imagjinatës nëpër shpella, nëpër fusha e kodrina, por një mit grishës që të bën për vete me punën e tij. Miti i lindur nuk i duron mbretërit absolut që krekosen brenda një grupi të madh partiak për interesa vetiake, nuk i duron as ata që pjellin një histori sipas qejfeve të veta dhe ata që degradojnë historinë e të tjerëve. Duam apo nuk duam ne, shkëlqimi i mitit mund të vjen vetëm nga një ngjarje e bujshme që shënon kthesë të madhe historike drejt një rruge të drejtë paqësore dhe drejt unitetit njerëzor që ka interesa të përbashkëta për të jetuar.

Mendime antilogjike dalin si kërpudhat pas rrebeshit, në çastin kur lind një mit i gjallë. Smirakët shkyejnë veten nga inati. Ata dalin me pamfleta të ashpra denigruese dhe futen në stilin grotesk. Mistifikimet e tyre nuk i shërbejnë askujt. Unë nuk e kuptoj përse nuk dijnë të heshtin dhe ta mbjellin në kopshtin e vet, smirën. Ky soj i të kredhurish që vetëshpallen magjistrat, thuase ka frikë nga historia nacionale dhe nga dinjiteti i sforcuar kombëtar. Iluzionet e sherrxhinjve bëjnë përpjekje të shkatërrojnë kuptimshmërinë e të qenurit njeri i drejtë, njeri i sakrificave të mëdha, pasi që ata vetë, nuk kan bisht për të bërë punë profetike në interes të kombit.

Oratoria e lindësit përsëdyti është: njih dhe ruaj vlerat e kombit që të njohish dha ta ruajsh vetveten.

Të bëmat e trimave mbrojnë kauzat në interes të popullit, andaj ata kurrë nuk e zhbëjnë ardhmërinë. I mitizuari rikthen shkëlqimin e humbur. Ai nuhat të keqen që mund të rikthehet nga  mbeturinat e politikës në kohën e kolerës së kuqe, ku e jetonin jetën vetëm kukullat e sistemit, kurse të tjerët vetëm merrnin frymë dhe poqese gjenin guximin të bëheshin të gjallë, përfundonin në qeli.

Në periudhën kohore kur lind një mit, bëhen transformime të mëdha në shoqëri. Kurmi i tij nuk mëdyshet mes dy ideologjish. Kur përzgjidhet miti nuk duhet të futemi në betejë, përkundrazi duhet të bëjmë një tretnatë, të hamë e të pimë, të këndojmë që kombit i lindi një mit. Sa më shumë heronj dhe mite, aq më shumë vetëdije historike do të kemi brenda nesh.

Legjenda thotë se, kur armiqtë natën vonë dëshiruan ta sulmojnë Romën, ushtarët e përgjumur i zgjuan sorrat. Shtrohet pyetja a duhet të shpallen heronj luftëtarët apo sorrat që me zërin e tyre i zgjuan ushtarët. Mendoj se zëri që zgjon të fjeturit e rrezikuar, është zëri i një heroi.

Varrmihësit e miteve që pandehin se janë gjithëtëditur, nëpërkëmbin interesat kombëtare. Ata do të përgjërohen si diskreditues të vetes. Në kohën kur objekt sulmesh bëhen të vdekurit dhe të gjallët dinjitar që duhet të zënë vend të rëndësishëm në shoqëri, para se të shkruajnë ata farë“ gjithëtëditur” le të përpiqen të mendojnë sepse arsyeja ka epërsinë mbi cinizmin.


Loading...
loading...