Surja Rashidi,me një shkrim për aktualitetin politik shqiptar në Maqedoni

Surja Rashidi

Nuk ka kurrfar dileme se të gjitha partitë politike shqiptare të dala që nga 1990 deri më sot, pavarësisht peshës dhe relevancës që kanë pasur në jetën politike, shtyllë të platformave të tyre e kanë pasur arritjen e barazisë së plotë etnike dhe politike të shqiptarëve në RM. Mundemi lirisht të themi se platforma për barazi etnike nuk është privilegj dhe cilësi e ndonjë partie në veçanti, por është platformë gjithkombëtare e shqiptarëve në RM.

Partitë politike kanë dalluar nga strategjitë dhe format kushtetuese se si të arrihet më lehtë deri te ky përcaktim. Kështu që kemi platforma që e shohin integrimin e shqiptarëve në sistem si rrugë më të mirë drejt këtij qëllimi, pastaj shtetin binacional me mekanizma të demokracisë konsensuale, federalizmin, redefinimin etj.
Po ashtu duhet theksuar se tani 30 vite rresht partitë politike shqiptare kanë instaluar një koncept sipas të cilit shqiptarët në qeverisje duhet t’i përfaqsojë subjekti politik që merr legjitimitetin dhe besimin e shqiptarëve në zgjedhje. Pavarësisht se BDI me mënyrën se si ka qeverisur këto 18 vite e ka komprometuar këtë koncept dhe pavarësisht se me atë mënyrë qeverisje është fajtori kryesor për derdhjen e një numri të konsiderueshëm të votave shqiptare drejt LSDM në 2016, mendoj se ky mbetet edhe më tej koncept i vetëm dhe i pazavendësueshëm. Konceptet tjera janë jo vetëm të papranueshme por edhe të rrezikshme në planin afatgjat.
Ajo që meriton një vëmendje të veçantë është tendenca e partive politike maqedonase që të depërtojnë në trungun politik dhe etnik të shqiptarëve. Sot këtë e bën LSDM, kurse nesër do ta bëjë edhe VMRO, pavarësisht se për dikë tani për tani kjo duket absurde. Edhe njëra edhe tjetra do i kenë shqiptarët e vetë, njëjtë sikurse tani i kanë turqit e vetë, romët e vetë, serbët e vetë etj.
Në kohët e fundit vërehet tendenca që çështjet politike dhe etnike me rëndësi jetike për shqiptarët të shpallen të mbyllura, se çështja politike e shqiptarëve është e arrirë. Kjo është një tendencë edhe e BDI-së, sepse sipas logjikës së tyre historia e shqiptarëve fillon me ta dhe detyrimisht duhet të përfundojë me ta. E arritura më e madhe gjatë debatit për ndryshimet kushtetuese, nuk ishin ato ndryshimet simbolike, gjithsesi mjaftë të rëndësishme, por mbajtja e hapur e çështjeve me rëndësi jetike për shqiptarët, gjithmonë në frymë të asaj që vazhdimisht e themi se kushtetuta është burim i pabarazisë së shqiptarëve në RMV.
Një nga strategjitë për t’i mbyllur çështjet e hapura politike të shqiptarëve në RMV është edhe ky depërtim i partive politike maqedonase në trungun politik dhe etnik të shqiptarëve. Thirrja se përmes LSDM do të realizohen interesat politike të shqiptarëve jo vetëm që është absurde por fyen rëndë intelegjencën e këtij mileti. Korniza programore e LSDM-së është tepër e ngushtë për realizimin e interesave të shqiptarëve. Është po e njëjta kornizë ku veten e gjen edhe Amdi Bajram i romëve edhe Miletiqi i serbëve. Koncepti dhe parulla “edno opshtestvo za site” është manipuluese dhe ka për qëllim që të zbeh kërkesën e vërtetë politike të shqiptarëve. Nuk duhet të kemi kurrfar dyshimi se interesat strategjike nacionale dhe shtetërore të LSDM dhe VMRO nuk dallojnë dhe janë të njëjta. Është interes strategjik nacional i tyre që të ruajnë statusin parësor për maqedonasit dhe të rezervojnë statusi dytësor për shqiptarët
Nuk duhet të harrojmë se edhe shqiptarët e pas 45-ës kanë pasur iluzionet e tyre. Janë joshur prej parullës së “Vëllazërim Baskimit”. Kanë besuar se përmes vëllazërimit me të tjerët do t’i realizojnë ëndërrat e tyre për një barazi politike dhe sociale dhe për një jetë më të mirë. Por shumë shpejtë u dëshpëruan. Ideja mashtruese e asaj parulle ishte që të definojë kush është vëllai i madh dhe kush është kërkushi.
Është absurde të besosh se ndryshimi te shqiptarët vjen përmes LSDM. Jo vetëm që nuk kanë vullnet por edhe e pengojnë të njëjtën kur kanë mundësi. A harruat se si angazhoi tërë aparatin shtetëror që të pengoj fitoren, ndër të tjera, të Bilall Kasamit në Tetovë në 2017. Jo për arsye të tjera por sepse atëherë Bilall Kasami akceptohej si njeri i ndryshimit.
Në këtë drejtim ne nuk kemi të drejtë që askujt ti përzihemi në të drejtën demokratike se kë do që të mbështesi ose me kë do që të koalicionoj, por kemi obligim moral dhe kombëtar dhe kemi shumë arsye, si ato që përmenda më lartë, që shqiptarët t’i ftojmë që të mos votojnë për parti politike maqedonase në ndërkohë që kanë parti politike shqiptare.

In : Aktuale

Loading...
loading...