Të ndërpritet propaganda e zezë ndaj shqiptarëve në Maqedoni!

Abdulla Mehmeti

Të ndërpritet propaganda politike ndaj shqiptarëve në Maqedoni, e përhapur që nga koha e regjimit komunist, se: ,,shqiptarët janë fanatikë fetarë të tepruar, se janë kundër emancipimit, të cilët femrat i përdorin vetëm si makina për lindjen e fëmijëve”, një propangandë sistematike përmes së cilës para opinionit ndërkombëtar pushteti i asaj kohe pretendonte ta arsyetojë sundimin me dhunë mbi shqiptarët. Përmes propagandës së njëjtë dhe veprimeve të sinkronizuara, me dimensione të reja më të sofistikuara, qarqe të caktuara, nga brenda dhe jashtë, dëshirojnë këtë gjendje ta rikthejnë edhe sot ndër shqiptarët në Maqedoni dhe kundër tyre.

Të ndërpritet propaganda fetare ndaj shqiptarëve në Maqedoni, e kohës së mbetit serb Aleksandër, që: ,,shqiptarët mund edhe të flenë në xhamia, por në shkollë të mos shkojnë” (deklaratë e shefit të xhandarmërisë serbe në Tetovë), ndërsa kishat e tyre të lashta sa edhe vetë besimi i krishterë, shqiptarët duhet t’ua lënë të tjerëve, ose të pushtohen me propagandë e dhunë nga serbët e ardhur së paku 700 vjet pas krishterimit në këto hapësira.

Populli shqiptar në Maqedoni është plotësisht i vetëdijshëm se njerëzit e shkolluar, atdhetarët, të diturit dhe të pasurit me dinjitet, i nderojnë dhe zbukurojnë xhamitë, kishat dhe teqetë, i japim kuptim të plotë fesë dhe besimit në Zot.StrugaLajmStrugaLajm

Ta ndërpresin propagandën armiqësore, qarqet politike e fetare të dyshimta, disa media dhe analistë, kundër shqiptarëve në Maqedoni, se janë fanatikë fetarë dhe me orientim antikombëtar, sepse kjo është kundër interesave tona të përgjithshme dhe nuk i bën nder askujt.

Shqiptarët në Maqedoni i kanë dhënë botës dy nobelistët e vetëm shqiptarë, dhjetëra dijetarë të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe organizatorë e drejtues Lidhjes së Prizrenit, kanë mbajtur dy Vilajete të mëdha shqiptare (të Shkupit dhe të Manastirit), kanë organizuar çetat e para kryengritëse (Manastir 1905), për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, e kanë organizuar bashkë me patriotë shqiptarë nga viset tjera Kongresin e alfabetit të gjuhës së sotme shqipe, i kanë dhënë Qeverisë së parë shqiptare ministrin e mbrojtjes, i cili vendosi uniformën e parë të ushtrisë dhe policisë shqiptare, kanë organizuar kryengritjen më të madhe shqiptare që njeh historia jonë, e cila i përfshiu të gjitha trojet etnike, për çlirim dhe bashkim kombëtar (Kryengritja e Dervish Carës, 1843-1844) nga sundimi osman, etj.StrugaLajm

Shkupi, qyteti më i madh shqiptar deri para një shekulli, kryeqyteti i Mbretërisë së Dardanisë, i Vilajetit më të madh para Pavarësisë së Shtetit shqiptar, është mbajtur dhe qeverisur kryesisht nga shqiptarët vendës ndër shekuj.

Këta propagandues të sotëm, në vend se t’i godasin fatkeqësitë reale që i kanë goditur shqiptarët në Maqedoni gjatë shekullit të kaluar dhe këtij fillimshekulli; t’i godasin armiqtë e vërtetë të kësaj katandisje, fajtorët kryesorë për këtë gjendje, bashkë me politikanët shqiptarë të regjimit komunist dhe të periudhës së pluralizmit në Shkup, pa i amnistuar as ata në Tiranë dhe Prishtinë, edhe më tej përpiqen ta godasin pa të drejtë tërë popullin shqiptar në Maqedoni, i cili nuk dallon për asgjë nga pjesa tjetër e kombit shqiptar. Këta propagandues të sotëm, para se të kujdesen për ,,mirëqenien e vëllezërve në Shkup”, le ta shqyrtojnë qasjen e poltikës zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë, e cila legjitimon e përkrah përmes organeve të pushtetit dhe reklamon pakufi përmes mediave zyrtare, figura politike të dyshimta nga radhët e shqiptarëve në Maqedoni, pa i njohur dhe verifikuar personalitetet dhe veprimtaritë e tyre.

Është koha që ta ndërpresin këtë propagandë, qarqet, mediat dhe anilistët, të lidhur në sistem të përbashkët mes Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës, si propagandë e nxitur dhe paguar nga jashtë, të mbuluar me brengë ,,kombëtare e vëllazërore”, sepse shqiptarët në Maqedoni janë kafshatë e madhe për këtë lloj propagande të ulët, janë popull njëmilionësh, i cili jeton në trojet e veta etnike me mijëra vjet dhe nuk është asimiluar, nuk është përkulur para asnjë sunduesi, armiku e pushtuesi, dhe as sot nuk mund të përkulet e nënshtrohet nga këto propaganda të ulëta politike e fetare, ngado që të vinë ato.


Loading...
loading...