Të shtunën nis festa e madhe për suksesin e FC Struga-Trim Lum

Klubi i Futbollit Struga Trim Lum arriti të bëjë atë që asnjë klub strugan nuk e ka bërë. U shpall kampion në Ligën e Dytë të Futbollit dhe nga viti i ardhshëm do të garojë në elitën e futbollit vendor. Struganët prej vitit të ardhshëm do të ndjekin futboll elitar. 
Struga Trim Lum, po hyn në histori të futbollit vendor dhe më gjërë edhe për periudhën e shkurtër kohore në të cilën ka arritur gjithë këtë sukses. Për më pak se 5 vite nga themelimi i klubit arritën të kalojnë nga Liga e katërt (komunale) në Ligën e Parë. Një histori suksesi që kërkon vëmendje të veçantë.
I themeluar nga familja Qyra, pronarët e kompanisë së suksesshme ndërtimore, Trim dhe Lum, por i dashur për gjithë struganët, klubi ka rikthyer atmosferën sportive në Strugë.

Drejtuesit e klubit, për VOX Struga theksojnë se ditën e Shtunë më 25 Maj, do të luhet ndeshja e fundit në Ligën e Dytë në Stadiumin e Qytetit në Strugë përballë KF Llabunishtës. Edhe KF Llabunishta është pranë kualifikimit në Ligën e Parë, duke u kualifikuar në ndeshjet e balotazhit. 
Sipas drejtuesve të Klubit të Futbollit Struga, janë paraparë disa aktivitete festive përpara ndeshjes së të Shtunës, ndërsa festa pritet të vazhdojë edhe pas ndeshjes. 
Përndryshe, përveç ekipit të parë, FC Struga garon edhe me ekipe të të rinjve, ndërsa vlen të theksohet se edhe ekipet e grupmoshave 2000-01 dhe ato të vitit 2002 arritën të shpallen kampionë dhe u kualifikuan në Superligën Shtetërore të Grupmoshave.