TOPITJA E MENDIMIT SHQIPTAR


Shkëlzen Halimi
Në radhët e shoqërisë shqiptare kishte shumë ngatërrestarë, që turbullonin dhe gjymtonin perspektivën shqiptare, por edhe synimet për eliminimin e të gjitha barrierave që i krijonin disa qendra ballkanike. Prapështitë i bënin: tregtarët që shndërroheshin në historianë, mësuesit në zëdhënës të subjekteve politike, hoxhallarë në politikanë e kështu me radhë. Ishte një përzierje fatkeqe, që ua hapi shtegun atyre që për një grusht parash ia kishin mësyrë të rregullojnë shtratin për gjumin e thellë, për topitjen e mendimit shqiptar dhe për zymtësinë e realitetit.StrugaLajm


Jo një herë është thënë (mendim brilant i Samuel Johnson) se patriotizmi përdoret edhe si strehë e maskarenjve. Këta të fundit ishin me bollëk edhe midis nesh, të cilët politikën e përdornin për interesa meskine. Por, më qesharakë bëheshin ata që duke hyrë përmes derës së vogël, tentonin të bëjnë “politikë” të madhe. Është një rregull (ndoshta) i pashkruar, por askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të popullit, pa u legjitimuar nga vetë populli. Sepse, është njësoj si ta faktorizosh hiçin. Shoqëria shqiptare ishte përplot me pretendentë të tillë që merrnin yryshin për t’i realizuar “ëndrrat politike”.
Injoranca, dredhia dhe mashtrimi ishin karakteristikat e para identifikuese të maskarenjve, të cilët, duke u fshehur prapa retorikës patriotike, mbanin leksione atdhe-dashurie dhe paralajmëronin se janë të gatshëm ta marrin “fronin” e shpëtimtarëve. Edhe ashtu politika shqiptare gjithnjë e më shumë filloi t’i përngjajë arenës së cirkut. Përjashtimi i procedurave normale për të hyrë në politikë, ishte një tendencë e kahershme që bëri jo vetëm banalizimin e politikës shqiptare, por edhe shndërrimin e saj në një skenë humori.StrugaLajm


Loading...
loading...