Trajçe

Nga Nazim RASHIDI

Në programin 200, të fundit që realizova, pata si ide të shpalos pikëpamjet e ndryshme që ka shoqëria maqedonase rreth ligjit për gjuhët, ose më saktësisht ligjin për gjuhën shqipe. Nëse subjektet shqiptare kanë një konsensus për këtë ligj, pavarësisht se ai nuk është se gjuha shqipe është zyrtare plotësisht, për ato maqedonase ligji ngjall debat të madh.
Gjatë debatit, ata që e panë programin, një nga folëset i referohej në mënyrë hipotetike, Trajçes. Pra një maqedonasi të zakonshëm dhe çfarë do të thoshte ai, çdo të thoshte për të dhe sa informacion kishte Trajçe për ligin në fjalë? Nuk dua të bëj një përshkrim të programit, por ajo që më bëri përshtypje dhe që po më bën gjatë gjithë kësaj kohe është se si shoqëria liberale, e hapur dhe çliruar e maqedonasve (e një pjese të saj) nuk ka kuptuar rëndësinë e ligjit dhe sigurisht, pse nuk ia ka sqaruar ose tentuar tua sqarojë gjithë atyre Trajçeve se çdo të thotë ky ligj.
Në fakt në terma më politik, nëse e ndanim shoqërinë në të majtë e të djathtë, krijohet konfuzion. Këtu edhe majtët që do të duhet të ishin më të hapur, më pro grupeve të vogla, më pro më të ndjeshmëve, del se shfaqin rezerva të mëdha për ligjin. E nga ana tjetër të djathtët, janë të qartë në qëndrimet e kundërshtimeve të tyre, sepse gjithmonë janë shprehur kundër.
Tani “betejat” e shqiptarëve, në sferën publike, mbetet të bëhen në të dy kampet dhe ky është një shok. Për mos të folur për zgënjimin që sjellin “shokët” ideologjik. Megjithatë sigurisht, jo i pa pritur, kur dihet hist(e)oria e diskutimeve në Maqedoni, se për sa kohë debatohet për shqiptarët syzet që vihen pastaj s’janë më ato ideologjike por etnike.
Në këtë kontekst, a ka Trajçe më faj që nuk di gjë se çfarë do të thotë ligji për gjuhët?
Një Trajçe nga Shtipi, që ka me mijëra halle, si gjithë të tjerët në fakt, me përditshmërinë, a do të duhet vetë të lexojë ligjet dhe të analizojë se çdo të thonë ata?
Sigurisht që jo. Këtu ka rol pjesa e shoqërisë, ajo e letrave dhe studiove, që do të duhet ta shpjegojë rëndësinë e ligjit dhe Trajçet të rrinë të qetë në hallet e tyre.
Por, tek shoh vrull reagimesh, për nenet, ligjet, procedurat, më vjen keq se si nuk arrihet të kuptohet esenca, sërish duke përjashtuar ata që e kanë kuptuar, nga profesorë, profesionistë, njerëz të lexuar, të jetuar jashtë ku vetë në raste të tjera kanë dhënë shembuj pa fund për praktika të ndryshme të shoqërive si e jona.
Nuk e di Trajçet nëse do të mund ta lexojnë këtë tekst. Sepse shkruhet në shqip e shqipen ata nuk e dinë, sidomos jo ata të Shtipit e përtej. Por ndonjë tjetër mbase dhe do ta përkthejë.
Dhe po unë dua që Trajçet, madje edhe këta Trajçet liberalë,liberalë për çdo gjë tjetër por të rremë për çështjet shqiptare, ta kuptojnë se pse ligji për gjuhën ka rëndësi për mua dhe gjithë shoqërinë tonë.
E para që më është thënë është se ai më shumë nxit ndarje! Nuk e kuptoj se si, por ja do jap një përgjigje.
Brezi im, është rritur me ndjesinë e heqjes së një të drejte për arsimim në gjuhën shqipe. Diku në vitet ’80, u hoq mundësia e edukimit në gjimnaz në shqip dhe gjithë duhej të mësonim maqedonisht. Ky moment nuk lidhet me arsimin, por lidhet me gjithë ndjesitë rreth gjuhës dhe autoritetit, shtetit. Qasjes që ka pasur për ne, si të tjerë me gjuhë tjetër në këtë vend. Më saktësisht, minimalisht diferencimin që e bënte, për mos të thënë diskriminim ndaj meje dhe Trajçes, tashme jo hipotetik, po një Trajçe që vërtetë e kisha shok në fëmijëri.
Ligji ka të bëjë sjelljen e nje sensi barazie, e mos imponimit që është bërë nepërmejt gjuhës dhe që ska të bëjë me të tjerët. Prandaj fillimisht ligji për gjuhët, atë që do sjellë për mua dhe besoj dhe gjithë të tjerët, është ndjesia se shteti po rikthen qëndrimin e njëjtë ndaj nesh dhe Trajçeve të tjerë. Ne të gjithë e dimë se kjo nuk cenon njeri.
Është thënë se ligji do të rrisë nacionalizmat mes mesh. Por, a ju kujtohet ligji për flamurin? Çfarë nuk u tha atëherë për sovranitetin, irredentizmin, nacionalizmin… dhe gjithë izmat e tjerë, dhe ja sot askush nuk e përmend. Askujt nuk i ka shkaktuar asgjë dhe askush nuk abuzon.
Ndjesia e të qenurit i lirë është e shenjtë. Ti atë liri mbase dhe nuk do ta përdorësh ndonjëherë, por vetë ideja se s’ke ndalesë, të jep qetësinë. Shqiptari është i lidhur shumë ngushtë me gjuhën, lirinë e percepton nëpërmjet saj, sepse ajo i është ndaluar në vazhdimësi, ndërkohë ajo është bartësi kryesor i gjenezës tonë. Në kontekst modern, një shërbim më shumë në shqip, vetëm do sjellë një qetësi më shumë.
E bëj këtë analogji, sepse jam i bindur, si në shumë rrethana të tjera, se e drejta dhe liria që do sjellë ligji për gjuhët nuk është se do sjellë një super përdorim të saj. Njerëzit do rendin të mbarojnë punë, të mos zvarriten nëpër sportelet e administratës të mplakur, të vazhdojnë me jetën. Nuk do shkojnë në Shtip të kërkojnë shqip zgjidhjen e ndonjë halli, por të mbarojnë punë, dhe të ndjekin rrugëtimet e tyre. Megjithatë, veç liria dhe e drejta se këtë do të mund ta bëjnë edhe në shqip, do të sjellë një dimension të ri në mbamendjen tonë kolektive.
Kjo s’duhet të trembë asnjë Trajçe, atë shokun tim, por edhe të tjerët kudo ku janë.
Në programin që bëra për debatet brenda maqedonase, Petar Arsovski, opinionisti i njohur tha në fund, se pas miratimit të ligjit, një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë do të jenë të gëzuar dhe kjo e gëzonte edhe atë. Sepse, siç tha ai, bëhet fjalë për një arritje historike për shqiptarët.
Këtë gjë duhet ta kuptonin ata liberalë e mendjehapur që nuk arrijnë e nuk arrijnë të kuptojnë lirinë e tjetrit.
Megjithatë këtu është sfida e jonë, e shqiptarëve të tillë, të kënduar e të parë, ku nuk duhet për çështje të ngjashme të mbyllim sytë e të vëmë syze etnike me çdo kusht, kur dalin çështje të lirive të të tjerëve.
Nëse shqiptari akomodohet tashmë në këtë shtet, është detyra e secilit prej nesh që të sqarojë, mbrojë madje dhe përfaqësojë Trajçet e mposhtur, apo edhe që mendojnë se janë të rrezikuar.
Petar Arsovski, tha në program se Trajçes s’ka ç’i duhet të dijë ligjin për gjuhët, se atij nuk i ndryshon asgjë miratimi i tij.
Unë them se të gjithë duhet të dimë për ligjet e kësaj hapësire që ndajmë bashkë, sepse të tillë do jemi të qetë. Nëse për shqiptarët barazia sjell qetësi, qetësinë do të duhet tua sigurojmë dhe të tjerëve kur është në dorën tonë.StrugaLajm

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)StrugaLajm


Loading...
loading...