TRIPTIK PËR MASHAT-Agim Vinca

Agim Vinca

 

TRIPTIK PËR MASHAT

(Tridhjetë vjet të një jubileu të palavdishëm, me një letër famëkeqe në mes)

 

Hyrje

Nuk dua të kalojë ky vit, viti 2018, pa e kujtuar një ngjarje që ka ndodhur plot tridhjetë vjet më parë, në vitin 1988 dhe që lidhet jo vetëm me mua si individ, por edhe me trevën nga e cila vij dhe me kolektivitetin të cilit i takoj: me shqiptarët në Maqedoni.

Fjala është për letrën e përfaqësuesve “legjitimë” të pushtetit lokal dhe të organizatave shoqëroro-politike të vendlindjes sime, fshatit Veleshtë të Strugës, kundër meje, Agim Vincës.

Kjo letër, e nënshkruar nga: Kryetari i Bashkësisë Lokale të Veleshtës, Z. Zh., Sekretari i Organizatës Themelore të Lidhjes së Komunistëve, K. H., Kryetari i Lidhjes së Luftëtarëve, I. K., Kryetari i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues, M. V. dhe Kryetari i Lidhjes së Rinisë, R. D., u botua fillimisht në gazetën “Nova Makedonija” në Shkup, pastaj edhe në të përjavshmen “Danas” të Zagrebit dhe iu dërgua Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me qëllim që të merreshin masa ndaj meje.

Cilët ishin nënshkruesit e kësaj letre famëkeqe, prapa së cilës qëndronte UDBA dhe KOMITETI? Ata dihen, me emër e mbiemër, të gjithë tok dhe secili veç e veç, por, për hir të familjarëve të tyre, nuk po ua përmendi emrat e plotë.

Formalisht ata ishin “përfaqësuesit e fshatit”, por si dhe pse ishin zgjedhur në ato poste, sidomos tre të parët, këtë e dinin edhe pulat e katundit. (Përgjigja është një dhe e vetme: për shërbimet që ia kishin bërë shtetit).

Evokimin e kësaj ngjarjeje do ta bëj në tri pjesë, ashtu siç e kam skicuar para shumë vitesh në shënimet e mia, në formë të një triptiku.

 

 

  1. LETRA NGA VENDLINDJA

(Mars 1988)

Më thirri në zyrën e tij kryetari i Konferencës Aksionale të Lidhjes së Komunistëve të Fakultetit dhe duke më treguar një letër të shtypur në makinë me shkronja cirilike, më tha:

  • Më ka ardhur kjo!

Ishte letra e nënshkruar nga përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të organizatave shoqëroro-politike të vendlindjes sime, Veleshtës, të cilën në adresë të Fakultetit e dërgonte Komiteti Komunal i Lidhjes së Komunistëve të Strugës.

Në atë letër, të shkruar nga Komiteti Komunal i Strugës në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror (të dhënat dhe emrat që përmenden në të e konfirmojnë qartë këtë gjë) dhe të nënshkruar nga përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të organizatave shoqëroro-politike të vendlindjes sime, thuhej se unë, Agim Vinca, profesor i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me shkrimet e mia të botuara në të përjavshmen “Danas” të Zagrebit, e dezinformoja opinionin jugosllav dhe se ata, domethënë bashkëvendësit dhe bashkëfshatarët e mi, “i gëzonin të gjitha të drejtat” (kishin shtëpi të reja, rrymë elektrike, ujë, rrugë të asfaltuara); se ata nuk i habiste fakti që unë, “bir i një familjeje balliste e fashiste” dhe “nacionalist e separatist i përbetuar”, flisja e shkruaja në atë mënyrë, por i habiste fakti se si mundej një i tillë, si unë, ta edukonte brezin e ri!

Kjo ishte, pak a shumë, përmbajtja e “letrës”, e cila ditë më parë qe botuar në gazetën “Nova Makedonija” në Shkup, nën titullin: “Krajno neprijateljski istap na Agim Vinca” (Paraqitje e skajshme armiqësore e Agim Vincës). Rastësisht isha në dijeni të asaj letre, që synonte jo vetëm të më shpallte “armik”, por edhe të më linçonte si njeri e intelektual nga “të mitë” dhe që si akt t’i kujtonte veprimet e inkuizicionit në Mesjetë dhe të regjimeve të egra totalitare të kohës sonë: linç i pastër, tipik stalinist.

Një shoku im tetovar, që punonte në Prishtinë, ma solli nga Tetova “Nova Makedoninë”, ku ishte botuar letra në fjalë, në një hapësirë relativisht të gjerë dhe me një karikaturë në mes: një njeri që sjell me dorë një “meshalicë” (përzierëse mekanike), e cila në vend të betonit prodhon libra, libra shqip sigurisht. Ç’simbolikë!

Unë isha njoftuar tashmë me përmbajtjen e asaj letre, por kolegu im, i cili aktualisht kryente edhe detyrën e “shefit” të Partisë në Fakultet, nuk kishte si ta dinte këtë.

E mora letrën në dorë, e shikova, e lexova, në të vërtetë e rilexova shpejt e shpejt aty, në zyrën e “shefit” të Partisë në Fakultet, ku dokumentet e tilla ruheshin në një orman të veçantë, metalik.

Mesazhi i saj ishte i qartë. Kërkohej të merreshin masa ndaj meje: të largohesha nga Lidhja e Komunistëve, ku unë –  nga viti 1981 – isha dënuar me vërejtje të fundit-parapërjashtim dhe nga Fakulteti si njeri që kisha rënë në konflikt me Lidhjen e Komunistëve dhe politikën e saj.

  • Të falemnderit – i thashë kolegut. – E vlerësoj gjestin tënd. Por, nxirre! Mos rreziko! Sepse Lidhja e Komunistëve është organizatë unike në tërë Jugosllavinë…

Kolegu, Vejsel Nuhiu, profesor i gjuhës angleze dhe njeri i formuar, i cili e njihte mirë gjendjen në Maqedoni, jo vetëm sepse e kishte kryer Normalen në Shkup, por edhe ngaqë ishte nga Presheva, nga një fshat afër Kumanovës, më shikoi në sy dhe më tha:

  • Sa t’jem unë këtu kjo s’del! Kur të më kalojë mandati – vazhdoi – do të kujdesem të mos i bjerë në dorë tjetërkuj, sepse pas meje mund të vijë në këtë post edhe ndonjë serb.

Kur pashë se ishte i vendosur dhe se nuk fliste sa për sy e faqe, i thashë:

  • Atëherë, a po ma bën edhe një nder?
  • Çka?
  • Ma jep ta fotokopjoj.
  • Përse?
  • Ta kem në dokumentacionin tim, sepse një ditë këta (e kam fjalën për nënshkruesit e letrës e jo për hartuesit e saj) do të pendohen!

Megjithëse po bënte një veprim të palejueshëm, madje dy, një që po më informonte dhe, e dyta, që po ma jepte ta nxirrja jashtë e ta fotokopjoja, Vejseli u bë burrë dhe ma dha.StrugaLajm

Dola nga zyra, e fotokopjova në servisin e parë dhe ia ktheva prapë në dorë.

Letra me të cilën kërkohej largimi im nga Fakulteti, u kthye sërish në zarf, në zarfin e kuq me vulë të kuqe sipër.

Ç’faj kisha bërë?

Kisha bërë disa shkrime, letra e reagime, lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni, sidomos pas vitit 1981, të cilat i kisha botuar kryesisht në të përjavshmen “Danas” të Zagrebit, aty-këtu edhe diku tjetër, kurse disa prej tyre ia kisha dërguar edhe gazetës “Nova Makedonija” nga e cila sulmohesha pa ndërprerë dhe, për më tepër, kisha guxuar ta merrja në telefon redaksinë, por pa arritur të kontaktoja me kryeredaktorin, i cili asnjëherë nuk “gjendej” në zyrë, ishte vazhdimisht në mbledhje ose në udhëtim, siç më thoshte sekretaresha, e cila posa e ngrinte telefonin kërkonte që të identifikohesha.

Kjo ishte, pak a shumë, e tëra. I gjithë “mëkati” im.

Kush ishin nënshkruesit e letrës?

I njihja të gjithë, me përjashtim të të fundit, kryetarit të Rinisë, një çuni, që, sipas mbiemrit, duhej të ishte nga Pilaveci (njëra nga lagjet e Veleshtës).

Tre të parët ishin shërbëtorë të vjetër të sistemit, spiunë, rankoviqistë, gjysmanalfabetë, njerëz që edhe nënshkrimet e tyre i vinin në qirilicë.

Në mesin e nënshkruesve ishte edhe një me mbiemrin Vinca, të cilin e kisha kushëri, madje më shumë nga nëna sesa nga babai. E kisha pasur nxënës në gjimnaz, i kisha dhënë mësim një vit, në klasë të parë, kisha qenë edhe kujdestar klase i tij. Mbaj mend se si një herë u vonua në orë të mësimit, kishte mbetur në fushë të sportit duke luajtur me top, prandaj ia pata dhënë një shpullë. Dhe ja, tani, pas kaq vitesh, po më “hakmerrej”. Nënshkrimi i tij ishte e vetmja firmë e palexueshme, disa vija dhe asgjë më shumë. Duke u gjendur në krye të njërës nga organizatat shoqëroro-politike të fshatit, atë të kryetarit të LSPPM-së, nuk ka pasur çare pa e nënshkruar letrën me të cilën dënohej “armiku i popullit”, ish-profesori i tij i gjimnazit, A. V.

Ç’veprim i poshtër e djallëzor i pushtetit maqedonas: goditje me dorën e njerëzve të vendlindjes! Po më dënonin të gjitha “strukturat”: pushteti lokal, komunistët, ish-luftëtarët, pjesëtarët e “frontit popullor”, të rinisë socialiste – me vulë e nënshkrim. Vetëm gratë dhe pionierët nuk ishin distancuar nga unë!

 

  1. NË REDAKSINË E “DANAS”-IT

(Zagreb, 4 prill 1988)

Isha pjesë e një ekipi punonjësish shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës (si bashkëpunëtor i jashtëm), që do të punonte në hartimin e dy projekteve të rëndësishme shkencore: Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë dhe Fjalor i termave letrarë. Për të përfituar nga përvoja e të tjerëve në këtë fushë, me dy kolegë të mi: profesor Rexhep Qosjen dhe profesor Masar Stavilecin udhëtuam për në Zagreb për vizitë në Entin Leksikografik të Kroacisë, të themeluar në vitin 1950 nga shkrimtari dhe enciklopedisti kroat, Mirosllav Kërlezha, institucion i cili pas vdekjes së themeluesit të tij mori emrin: Enti Leksikografik “Mirosllav Kërlezha”.StrugaLajm

Para dite u takuam me profesorin e Universitetit të Zagrebit dhe kritikun e njohur letrar, Predrag Matvejeviqin, me të cilin pimë kafe te e famshmja Gradska kavana (Kafeneja e Qytetit) në qendër të Zagrebit.

Biseduam rreth situatës në Kosovë dhe për çështje të tjera me karakter letrar, politik e shoqëror. Në bisedë e sipër unë i tregova se dëshiroja të shkoja në redaksinë e “Danas”-it, te kryeredaktori, për të biseduar lidhur me fushatën që po zhvillohej ndaj meje në Maqedoni, që kishte si shkas shkrimet e mia të botuara pikërisht në “Danas. “Ai është miku im”, tha Matvejeviqi për kryeredaktorin e “Danas”-it, Mirko Galiqin. Dhe sakaq nxorri nga xhepi një kartëvizitë dhe në shpinë të saj shkroi: “Dragi Mirko, primi ovog mog prijatelja iz Prištine” (I dashur Mirko, pranoje këtë mikun tim nga Prishtina).

U ndava nga kolegët e mi, profesor Qosja e Masari, i hipa autobusit dhe për më pak se gjysmë ore u gjenda para ndërtesës shumëkatëshe të “Vjesnikut”, diku në periferi të Zagrebit, ku gjendej redaksia e “Danas”-it.

Kur ia shfaqa sekretareshës dëshirën që ta takoja shefin e saj, kryeredaktorin, ajo, pasi hyri në zyrën e tij, doli e më tha:  “Është i zënë. Ka shumë punë”. I thashë se vija nga Prishtina; i tregova se përse doja të bisedoja dhe kur pashë se as kjo nuk bëri punë, ia zgjata kartëvizitën e Matvejeviqit. Sekretaresha e kulturuar, pasi hyri edhe një herë në zyrën e shefit, m’u drejtua sakaq me fjalët: “Urdhëroni! Hyni!”.

Mirko Galiqi ishte burrë rreth dyzet vjeç, ndoshta pesëdhjetë, i mbajtur mirë, i sjellshëm, elegant.

“Bilo bi mi žao ako ste zbog ovoga otputovali iz Prištine”, qenë fjalët e para të tij. “Do të më vinte keq nëse për këtë keni udhëtuar nga Prishtina!”. “Jo vetëm për këtë, por edhe për këtë!”, iu përgjigja. Pastaj bisedova me të rreth situatës në Maqedoni, me theks të veçantë rreth letrës kundër meje të botuar ditë më parë në “Danas” dhe njerëzve që e kishin shkruar e nënshkruar atë. “Do të nënshkruanin ata – i thashë – edhe po qe se njerëzit e pushtetit do t’u thoshin se Drini i Zi rrjedh përpjetë”. Dhe ia nxorra në tavolinë dosjen e dokumenteve të mia, të cilat i kisha marrë me vete: nga certifikata e lindjes, te certifikata e shtetësisë, e martesës, dëftesat e katër klasëve të gjimnazit bashkë me diplomën etj., ku nuk kishte asnjë germë shqip. Gjithçka ishte në maqedonisht dhe me alfabetin cirilik. “Ja, shoku Galiq, shihni se kush e deziformon opinionin jugosllav, unë apo ata?!”. Pasi i pa me vëmendje, më tha: “Ç’mund të bëj për ju?”.

“Para së gjithash ta botoni një artikull timin pak më të gjatë, që po pret për botim, në të cilin e elaboroj pak më gjerësisht çështjen e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe të diskriminimit të tyre të paparë në të gjitha fushat e jetës” – i thashë.

“Do të botohet që në numrin e ardhshëm”, m’u përgjigj aty për aty. “Tjetër?”

“Tjetër? Një grup intelektualësh nga vendlindja ime, që jetojnë e punojnë në Prishtinë, duan t’i përgjigjen letrës së përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe të organizatave shoqëroro-politike të vendlindjes, fshatit Veleshtë të Strugës. Do të doja të botohet edhe letra e tyre në “Danas”.

“Edhe atë do ta botojmë”, më tha kryeredaktori i “Danas”-it, Mirko Galiq, i cili e mbajti fjalën. Artikulli im me titull Mitologjizimi i realitetit, që ishte polemikë me njëfarë prof. dr. Jovan Panovski, u botua në numrin vijues të “Danas”-it, në plot një faqe e gjysmë, hapësirë kjo që i jepej pakkujt nga kjo e përjavshme cilësore me numër të madh gazetarësh, redaktorësh e bashkëpunëtorësh. Ndërsa një numër a dy më vonë u botua edhe letra e shtatë intelektualëve veleshtarë, që jetonin e punonin në Prishtinë, [e nënshkruar nga Dr. Lutfi Istrefi, profesor i Universitetit të Prishtinës, Dr. Kadri Zhuta, mjek, Zaim Istrefi, avokat, Remzi Kica, profesor i shkollës së mesme, Vibar Hani, ekonomist, Medi Bekteshi, profesor i shkollës së mesme dhe Nezahate Reçi, asistente e Fakultetit të Shkencave të Natyrës], e cila bëri jehonë të madhe në Kosovë dhe i gëzoi shumë nënshkruesit e saj.

Dola i lehtësuar nga zyra e kryeredaktorit Galiq. Kisha hequr një barrë të madhe nga vetja: barrën e akuzës për “dezinformim”, e cila vinte hiç më pak se nga vendlindja ime, nga “përfaqësuesit legjitimë” të atyre të cilët unë i kisha marrë në mbrojtje.

Para se të largohesha nga redaksia e “Danas”-it takova edhe redaktoren Meri Shtajduhar, e cila i kishte redaktuar tekstet e mia të botuara në “Danas”. Bisedova me të një copë herë në bufe duke pirë kafe dhe e pyeta se si i dukeshin shkrimet e mia nga pikëpamja gjuhësore, ngaqë i shkruaja direkt në serbokroatisht, përkatësisht në kroatoserbisht. Zonja Shtajduhar foli fjalë të mira për shkrimet e mia në përgjithësi dhe më tha se në fillim ato kishin nevojë për më shumë lekturë, kurse tani gjithnjë e më pak.

Pas vizitës në Entin Leksikografik të Kroacisë, ku takuam, krahas të tjerëve, edhe Stipçeviqin dhe pas një takimi me Branko Horvatin në shtëpinë e tij në periferi të Zagrebit, profesor Qosja, Masari dhe unë u kthyem në Prishtinë.

 

 

  1. KOMENTET NË PRISHTINË

Kur doli letra në “Danas”, pasi më parë kishte dalë në “Nova Makedonija”, Prishtina vlonte nga komentet.

“Danas”-i dilte të mërkurën, pra në mes të javës, gjë që kishte mbetur si traditë nga VUS-i (Vjesnik u srijedu) i dikurshëm dhe po atë ditë vinte edhe në Prishtinë. Të mërkurën në çdo hap shihje njerëz me “Danas”-in nën sqetull. Lexohej shumë kjo e përjavshme, e vetmja që u bënte vend shkrimeve të tre-katër intelektualëve shqiptarë, që i kundërviheshin propagandës zyrtare, ndërkohë që shtypi i Beogradit ishte vënë plotësisht në shërbim të saj.

Duke shkuar në mëngjes pas ligjëratës, në oborrin e fakultetit takova një kolegun tim të Degës me dy të tjerë. – “A kaq të poshtër janë ata veleshtarët e tu?” – më tha ende pa u përshëndetur mirë. – “Kaq!” – i thashë pak me zemërim kolegut tim shumëvjeçar, që vinte nga një fshat i Gjilanit. Por sakaq ia ktheva: “As ata pogragjasit e tu nuk janë më të mirë!”.

Përsëri, edhe pas gjithë atij turpi që kishin bërë, nuk po i lëshoja nga dora. Më vinte inat.

Pas mëngjesit shkova në zyrë te profesor Qosja në Institut. – “A e lexove?” – e pyeta. “Po” – tha. “Edhe…?”.  Më shikoi ngultas, pak përmbi syze, siç e kishte zanat dhe më tha: “Ata t’mitë i kishin varë për koqesh dhe nuk e kishin bo k’to!”.

Prapë më erdhi inat. Pas Pogragjës së Nuhës, edhe Vuthajt dhe vuthjanët e profesor Qosjes po dilnin më burra se veleshtarët e mi.

Ishim vetëm në zyrë, unë dhe ai. “Ashtu-a? – i rimora fjalët e tij. – Edhe për koqesh thua dhe nuk e kishin bërë këtë poshtërsi?!”. Dhe pas pak, shtova: “Nuk jam plotësisht i sigurt se është ashtu!”. Profesori u ndal, më shikoi edhe një herë drejt në sy dhe e zbuti pak deklaratën e vet: “N’kohë t’Rankoviqit po, tani jo”.

“Vdekja më vjen prej syve të tillë” flet për atë kohë. Xhezairit s’lënë gjë pa i bërë gjatë hetimeve në burg. Me nder edhe atë sendin e meshkujve ia lidhin me tel me korrent…

Qëndrova edhe pak në zyrën e Qosjes dhe ia shpreha qëllimin për të cilin kisha shkuar.

  • Ta sulmojnë intelektualin që mbron të drejtat e tyre bashkëfshatarët e tij nuk ka bërë vaki! Ky është një akt i pastër stalinist – i thashë. – Ja si i manipulon njerëzit pushteti në Maqedoni…
  • Po – tha profesor Qosja. – Stalinizëm është, s’ka fjalë, duke theksuar fort fjalën “stalinizëm”, që e përdorte shpesh në shkrimet e tij.
  • A ta merr mendja me më marrë në mbrojtje? – i thashë. – Ti vetë si autoritet ose me disa kolegë të tjerë? Duhen demaskuar para opinionit veprimet linçuese të pushtetarëve ndaj një intelektuali të pambrojtur. Kudo tjetër në Jugosllavi intelektualët e vërtetë do ta kishin ngritur zërin kundër akteve të tilla brutale, që, si po shkojnë punët, ka rrezik të bëhen praktikë në të ardhmen.
  • Jo – tha prerazi. – Mos prit me të mbrojtë kurrkush!

I shqiptoi këto fjalë me ton të lartë dhe pa u menduar gjatë.

Pati botuar jo pak shkrime për diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni pas vitit 1981; i qe kundërvënë fushatës së tmerrshme antishqiptare në këtë republikë jugosllave, por tani që kjo fushatë kishte arritur kulmin (mars 1988), nuk ia merrte mendja ta mbronte kolegun e vet, me të cilin mbronin të njëjtën kauzë, pra mua, nga ky sulm brutal.

Ishte ditë marsi me diell, por një “diell me dhëmbë”.

Dola nga Instituti dhe mora rrugën për në fakultet dhe prej aty në shtëpi, ku më prisnin gruaja (e papunë) dhe tre fëmijët e mi, djemtë nxënës të shkollës fillore, kurse vajza parashkollore.

Nën përshtypjen direkte të letrës nga vendlindja shkrova poezinë “Përralla për mashat”, e cila u botua te “Rilindja” dhe një tekst me titull “Revolta e dirigjuar”, që do të botohej në “Danas” i nënshkruar nga shtatë bashkëvendës të mi intelektualë, që jetonin e punonin në Prishtinë, si përgjigje atyre të pestëve, mashave të pushtetit, në të vërtetë në mbrojtje të së vërtetës, e cila, siç do të dëshmojnë kohët që do të vijnë, ishte plotësisht në anën tonë.

Nuk ishte e lehtë as kjo punë, sepse kishte qasje e mendime të ndryshme, por edhe frikë e hezitim, mirëpo i duhej hequr njolla e turpit që i kishin vënë vendlindjes ata të pestë, aq sa mund t’i hiqej.

 

Në vend të përfundimit

Dikush mund të pyesë me të drejtë: përse po i kthehem unë sot kësaj teme, përse po merrem me këtë çështje pas kaq vitesh? Për sedër, vanitet a lavdi? Jo. Por për të nxjerrë mësim nga e kaluara.

Sepse, kohët ndryshuan, por jo edhe mendësia jonë, veset, shprehitë… Veprimet e tilla përsëriten edhe sot ndër ne në mënyra të ndryshme.

Nuk kemi mësuar çka është dashur të mësojmë dhe nuk kemi harruar çka është dashur të harrojmë! As si individë e as si shoqëri nuk jemi liruar nga kjo sindromë. Mjerisht!

*

  1. s. – Shkrimit po ia bashkëngjes edhe faksimilen e Letrës në origjinal dhe reagimin tim poetik ndaj saj: vjershën “Përralla për mashat”, të botuar në gazetën “Rilindja” të dt. 9. 4. 1988.

Loading...
loading...