U prish arsimi apo “ndryshuam” të gjithë ne!

Artan Capri/StrugaLajm.com

Njerëzit që nuk e kanë idenë e të qenit mësues, po dhe ca mësues të vjetër (me gjithë respektin për ta), shpesh herë i dëgjon duke bërë krahasime mes mësuesit modern dhe atij të mëparshëm (të sistemit komunist), duke e lavdëruar të dytin, sidomos për paraqitjen e tij të jashtme (qëndrimin), për autoritetin e tij përballë nxënësve, po dhe për përgatitjen e tij profesionale… dhe si rrjedhojë edhe si figurë publike mjaft e nderuar dhe e respektuar. Kurse për mësuesin bashkëkohor është krijuar bindja se ky shkon keq e më keq:”po prishet arsimi!”. Dhe pjesërisht, parë nga ky aspekt, kanë të drejtë.

Mirëpo, brenda kësaj ideje të formuar ka dhe shumë paragjykime, ndaj do të ishte mirë që para se ta paragjykojmë dhe pengojmë mësuesin (duke i matur orët), ta kuptonim realisht punën e shkurtër (orarin) në dukje po mjaft delikate, që do të ishte e vështirë ta kuptonte një njeri që nuk ka punë me fëmijë të huaj, gjë që është temë më vete.

E para punës që duhet kuptuar; të pretendosh që mësuesi i kohëve moderne duhet t’i përngjajë mësuesit të sistemit komunist, nga fusha ime e letërsisë duke përdorur figurën e krahasimit do të kisha thënë: është njëjtë si të kërkosh banane, portokaj, palma (kjo e fundit edhe e provuar)  të kultivohen në qytetin tonë, që nënkupton faktin se je i destinuar të dështosh, sepse është klima (sistemi) premisa që duhet ndjekur nëse dëshirojmë të jemi produktiv.

Janë frymët e kohës ata që diktojnë zhvillimin e fushave shoqërore, dhe në këtë rast:

  1. Sistemi i atëhershëm (sistem idealist), e shikonte arsimin si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror (qoftë dhe propagandistik) dhe investonte shumë në këtë drejtim: rroga e mësuesit ishte pothuajse më e majmja. E nga ana tjetër vlerësohej dija e arsimimi i personit, dhe nuk garohej në baza partiake, apo në grumbullimin e pasurisë. Kjo mendësi ndikonte që prindërit duke parë këtë pozitë të lakmueshme të personit të shkolluar (arsimtarit etj.) ta krijonin si ëndërr jete të tyre: shkollimin e fëmijëve të tyre dhe ngritjen e nivelit intelektual e kulturor brenda familjes njëkohësisht. 

Ky respekt dhe kjo mendësi e motivonte edhe më shumë, d.m.th. i jepte forca të reja mësuesit të asokohe.

  1.  Ndërsa sistemi i sotshëm, neoliberalizmi ose si të doni quani, veç i dobishëm nuk mund të themi, gjë që dëshmohet çdo ditë me shpërnguljen e rinisë…shquhet për vrapim pas grumbullimit të pasurisë (lakmisë) e jo diturisë, e pikërisht kjo mendësi e re (e modernistëve) është thelbi i të gjitha problemeve të sotshme në të gjitha fushat e jetës e jo vetëm në arsim. 

-Imagjinoni, në një rast kam parë se sa ishte gëzuar një mësues që gjithë kohën u mësonte fëmijëve të drejtën, kulturën e moralin, kur pati fatin të bëhej mik me kriminelin e pasur. E sot bindshëm e them se gjithsecili nga ne, pak a shumë ka probleme parimore, e shumë respekt për ata që arrijnë të qëndrojnë të paluhatshëm.

Po ëndrrat e prindërve a kanë ndryshuar?! Të gjithë e dimë; jo se nuk duan t’i shkollojnë fëmijët e tyre, po kanë frikë se po u shkollua (dhe po arriti të futet në punë, kuptohet) do ngelet mbas si komshiu i tij mësues, ndaj mendojnë: do të ishte më mirë të shkonte jashtë vendit, dhe po pati pak më shumë fat: “U martoftë me letra!”. 

Ky statut e kjo mendësi e re brenda së cilës jeton mësuesi i sotshëm, jo që nuk e motivon, po dhe ato pak forca që i ngelen, i vë në dyshim a t’i harxhojë në vendlindje apo të ik dhe ky sa më parë.

D.m.th. nuk ka ndryshuar vetëm arsimi, po të gjithë ne…,e nëse ka një vend ku ka mbetur pak shpresë: është pikërisht ky institucion që quhet shkollë ku mund të gjesh ndonjë idealist të fundit apo të parafundit.

Sepse në këtë sistem aktual, i pasuri çdo ditë bëhet më i pasur e i varfëri çdo ditë më i varfër; ç’është më e keqja, të pasurit çdo ditë e bindin veten se e kanë fituar pasurinë e tyre me meritë, duke i injoruar përparësitë-siç janë: arsimi (familja e arsimuar), trashëgimia (tapitë e osmanlinjve, bakshishi i komunizmit etj.), klasa (i fort në shtet) etj. Ndërsa të varfrit e fajësojnë veten për dështimet e tyre edhe kur janë shumë të aftë sepse nuk mund të bëjnë dot asgjë për t’i ndryshuar rrethanat e tyre, e me këtë rast ose do ta lënë që talenti i tyre të thahet sikur palmat ose do ta marrin rrugën me shpresën për një klimë më të mirë. 

Ndaj arsimi nuk është prish, por ka ndryshuar ashtu siç kemi ndryshuar të gjithë ne; ca për mirë, por më shumë për keq. Po sikur të bashkëpunojmë, të mirëkuptohemi dhe të ndihmohemi aq sa flasim, besoj se do të bëhej pak më mirë. 

 Ky shkrim nuk i mbron ata që i fut partia si militant e arsimin e përjetojnë vetëm si rrogë, dhe as shkollat (fakultetet) që shesin diploma! Po është shkrim për mësuesin e mirëfilltë që në këto kohë të vështira po përpiqet t’i rezistojë nënçmimit social, politik e ekonomik, dhe vazhdon me devotshmëri misionin e tij.


Loading...
loading...