U shua dhe një yll polar-Kushtuar dr. Shefqet Pollozhanit

 

Zogjtë fluturojnë  duke kënduar ndërsa mjekët vdesin duke shëruar!

(Kushtuar dr. Shefqet Pollozhanit 02.03.1940-11.06.2017) 

Kur humbim një person me vlera të veçanta, e kemi të vështirë të radhisim pikëllimet shpirtërore jo vetëm për të dashurin që s’është midis nesh sa dhe vendin e zbrazët që na ka lënë  e ne s’mund ta plotësojmë me askënd tjetër.

Nuk e di nëse vallë e kam qelluar apo jo me këtë mendim kur do e s’di se nga t’ia fillosh kur gjendesh para njerëzve të pikëlluar  me qerpik të përlotur, të cilët sy e vesh po të ndjekin me kurreshtje se çka do t’u thuash.

Vite më parë kur “Migjeni” i këndonte Ditës së Flamurit  në rend të parë kisha kryetarin e parë të shoqërisë.

U drejtova  kah ai me fjalët: Çka t’ju them unë për flamurin kur ju të gjithë e keni të palosur në gjirin tuaj dhe e ndjeni dashurinë që keni për të? U duartrokita e u entuziazmova.

Vite më vonë, kur po evokonim të madhin Nexhat Mustafa thashë:

Sot Struga është e zymtë dhe më e varfër për një burrë, baba, mësues e intelektual.StrugaLajm

Miku i tij nga Tirana, i nderuari Pandeli Çina tha se nuk do të vinte më në Strugë sepse s’kish  kush ta priste e unë iu përgjigja: Struga ka Shefqet Pollozhanin, ndaj vazhdo të na vizitosh.

Po sot, të dashur familjarë, shokë e miq të Shefqetit si do t’i përgjigjeshim?  Është e vështirë.

***

Veprën dhe bëmat që la ai në dobi të familjes e në veçanti të kombit, është e pa mundur që të përfshihen me pak fjalëStrugaLajm

I nderuari Shefqet, ishte një bashkëshort, prind e vëlla, bashkëkombas që la pas bashkëshorten e nderuar Figjen me të bijen Dr. Enkela Pollozhani. La vëllanë Metat, motrën Hyrmet, la nipa e mbesa,  la dhe  shokët e miqtë që aq shumë i deshi dhe e deshëm.

U lind në Strugë më 2 Mars 1940 ku mbaroi edhe shkollimin fillor. Vazhdoi shkollimin e mesëm në gjimnazin e Tetovës. Regjistrohet në fakultetin e stomatologjisë në Shkup. Diplomohet në gjeneratën e parë më 1963. Punësohet në Qendrën Spitalore të Strugës. Specializon  Protetikën dentale dhe bëhet një ndër mjekët e dalluar në organizatën ku punoi i mirëpritur nga pacientët për profesionalizmin në punë.

Për intelektin e tij të pa shoq, u ndoq vazhdimisht nga organet e pushtetit të kohës, të cilët e patën hal në sy si person i dyshimtë për sistemin, për çka ndiqej e mbahej në survejim të përhershëm me motivacion se shoqërohej me intelektualë të dyshimtë nga Kosova. Nuk reshti së punuari në shumë lëmi tjera me interes shoqëror në rrafshin kombëtar, në të mirë të brezave që erdhën pas tij derisa ndërroi jetë këto ditë kur më e kish marrë veten për mrekulli pas një krize shëndetësore këtu e tri vjetë më parë. Na mbante shpresa dhe optimizmi  se do ta kishim flakadan dhe udhërrëfyes me përvojë dhe pjekuri që ia kishim lakmi. Pritnim më shumë se kaq por pa pritmas kur  nuk e pandehnim, shkoi në botën e amshuar te Nexhati, shkoi si kryetar historik i “Migjenit” për t’u bashkuar me kryetarët tjerë që e pasuan, të ndjerin Hysen Suldashi; shkoi te Skënder Ahmeti doajeni i shoqërisë, duke na lënë me zemër të thyer e sy të përlotur.

Ishte ndër themeluesit e Unionit të Intelektualëve. Ndihmoi teatrin “Sofra”, festivalin “Këngë Jeho” e ku nuk ndihmoi…

Ishte frymëzim jete për të rinjtë; ishte shok e mik me fshatarin e punëtorin, me intelektualin, me të riun e me të moshuarin, por mbi të gjitha ishte njeri.

Sa me ëndje  ndër vite derdhëm  lotë gëzimi kur i këndonim 28 Nëntorit të Vlorës heroike, kur i këndonim ABC-së dhe ditës së Nënave për çdo Mars. Por sot ndihem si një lahutar i heshtur, me telat e ndryshkur të mandolinës. Tani përlotem pikëllueshëm për humbjen e intelektualëve që per çdo ditë po na rrallohen. Më ndjeni për emocionet. Qoftë i fundit shkrimi i kësaj natyre.

I qoftë i lehtë dheu të nderuarit Shefqet. Do t’i mungojë familjes së tij të ngushtë; do të na mungojë të gjithëve. Struga do të jetë më e varfër për një intelektual të përmasave kombëtare. Le të mjaftohemi me veprën që la pas, të krenohemi dhe të shërbehemi me shembëlltyrën e tij.

Me respekt dhe pietet le të përkulemi para emrit dhe veprës së tij.

U prehtë në parajsë.

Qeshor /2017

Tahir Hoda


Loading...
loading...