Veleshta,kufiri dhe Tota Mije-Agim Vinca


(Rrëfime nga koha e gardhit)

Nga Agim Vinca

Në Tiranë jetonte një kushërirë e tim eti, Nazmija, të cilën e gjithë familja e thërriste “tota Mije”. Tota Mije, e bija e Sef Vojncës, ishte e martuar te Sojlitë e Strugës, një pjesë e të cilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendosën në Tiranë dhe mbetën atje edhe pas luftës.

Kur u mbyll kufiri në ’48-n, pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, tota Mije mbeti përgjithmonë në Tiranë, larg vendlindjes dhe njerëzve të saj.

“Mbet n’Tironë”, thoshin burrat dhe gratë e familjes. Dhe, fjalët “mbet n’Tironë” ose “mbet matonë” tingëllonin njësoj si “mbet në Mars” ose “mbet në Hënë”!

Sepse, as nuk mund të vihej nga Tirana e as nuk mund të shkohej në Tiranë, pos në ëndërr ose duke kaluar ilegalisht kufirin. Atë kufi, që mund ta kalonin vetëm zogjtë e malit.

Unë isha njeriu i parë dhe i vetëm i familjes, që “tota Mije” do të mund ta shihte me sy për të gjallë të saj.

Edhe kjo falë një rastësie: që isha pedagog i Universitetit të Prishtinës dhe si i tillë m’u dha rasti të shkoja në Shqipëri në vitet ’70.

Para se të nisesha im atë më porositi: “Mos u kthe pa e pa totën Mije!”.

Nuk mund të kthehesha pa e çuar në vend këtë porosi: pa e marrë ngryk plakën me të cilën im atë e kishte kaluar fëmijërinë!

Tota Mije kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Jetonte me të bijën, së cilës i kishte vdekur burri i ri dhe e kishte lënë me tre fëmijë të vegjël. Tre fëmijë nëna, tre bija, si ta kishin bërë me fjalë ose si t’ua kishte diktuar providenca, Perëndia, që atëbotë në Shqipëri ishte i ndaluar!

Djemtë e totës Mije quheshin Irfan e Fatmir, kurse e bija kishte një emër turk me tre “y”: Ymygjyl! “Gjyli” e thërrisnin shkurt. Njëri nga djemtë ishte rrobaqepës, tjetri mekanik, kurse motra e tyre e vetme, punëtore në fabrikë.

Pas disa vizitash do të kuptoja se tota Mije e agjëronte fshehtas ramazanin, kurse të nipin, Luanin, do ta bënte synet në “ilegalitet”.

Te “pallati” i tyre, në të njëjtën hyrje, jetonte familja e njërës nga rejat e Enver Hoxhës, familje punëtore. Dhe kur “shoku Enver” me “shoqen Nexhmije” kishin ardhur për vizitë te krushku për Një Maj a për Vit të Ri, “udhëheqësi i dashur i partisë dhe i shtetit” e kishte marrë në krah dhe e kishte përkëdhelur djalin e Ymygjylit, Luanin, që ishte një çun i bukur e simpatik.

“Mos m’i laj faqet”, i thoshte djali të ëmës ditë me radhë, “se m’i ka puthur xhaxhi Enver!”.

Ymygjyli banonte në rrugën “Emin Duraku”, afër stadiumit të “Dinamos”. Rasti kishte dashur që kushërira ime të banonte në rrugën që mbante emrin e një kosovari, të dëshmorit gjakovar Emin Duraku, që nderohej edhe në Shqipëri. Në shesh kishte një bust të tij.

Kur unë shkova për herë të parë në Tiranë, në vitin 1974, tota Mije me të bijën, Ymygjylin dhe fëmijët, gjithsej pesë veta, jetonin në një dhomë. Dy familje e ndanin një apartament të vetëm, banjën e kishin të përbashkët.

Ymygjyli dhe nëna e saj, tota Mije, nuk e dinin që unë do të shkoja në Tiranë. As ndër mend nuk u shkonte.

Kur më pyetën shoqëruesit në kisha njeri timin në Shqipëri, u thashë: “Po. Kam një kushërirë, gocë halle. Banon në Tiranë dhe do të doja ta vizitoj, nëse ka mundësi”.

Kërkesa ime u miratua. Dhe mua, disa ditë pasi u vendosëm në hotel dhe filluam punën në Bibliotekë, m’u bë e mundur të shkoja në rrugën “Emin Duraku” për vizitë.

Herën e parë, nëse nuk gaboj, bashkë me njërin nga shoqëruesit, edhe për shkak se nuk e kisha të lehtë ta gjeja banesën. Por më vonë kam shkuar edhe vetëm. Dhe jo vetëm një herë.

Nuk më hiqej mendsh porosia e tim eti: “Mos u kthe pa e pa totën Mije!”.

Secilën herë kur shkoja më qerasnin me llokume, me një gotë raki e meze, mish pule dhe sidomos fruta e perime: ullinj, portokaj, mandarina.

Unë isha deri në fyt, si thuhet, sepse në “Dajti” s’kishte gjë që s’kishte dhe i qortoja që bënin shpenzime për mua e nuk i ruanin ato gjëra për fëmijët, por, natyrisht, nuk ua prishja, për të mos i fyer dhe merrja ngapak nga ato që më servirnin.

Tota Mije më shihte në sy. S’ngopej duke më parë. S’kishte faj! Unë isha njeriu i parë i familjes, që ajo shihte me sy pas gati tridhjetë vjetësh.

Edhe sot më rri para sysh imazhi i saj: me fytyrë të gjatë e tipare të mprehta, pak hundëshkabë, si Date Biti, me flokët e bardha e zylyfet që i vareshin në të dy anët e fytyrës; me një shami në maje të kokës. Qau kur më pa. Nuk më lëshonte nga përqafimi. “I Nexhatit je?” “I Nexhatit”. “Kur ke le ti?” “Kur u mbyll kufiri, Tota Mije!…”. “Eh kufiri, virani!… Na e hëngri shpirtin si gjarpri!…”.

Fliste tironçe, por, herë-herë, përdorte edhe trajta veleshtare; “Sot, m’kanë ardhë krejt Vojncallar’t. Ene Nexhati, ene Sabiti, ene Qemali, ene Vehapi… Krejt Veleshta!”.

Nexhati ishte im atë; Sabiti – i vëllai, i vetmi që nuk rronte më; Qemali, kushëri i parë, sikurse edhe im atë, kurse Vehapi, më i riu në mesin e tyre, ishte mixha im.

Kur shkova herën e parë në Shqipëri, unë isha ende djalë i ri, 27 vjeç pa pak, beqar.

– I martu’m je, me totën? – më pyeti pa humbur kohë “tota Mije”.

– Jo. I  fercu’m, fola me qëllim veleshtarçe, për ta “përkthyer” sakaq veten: i fejuar.

– Po nusen nga e ke? Kosovare?

– Jo. Është e anës sonë: nga katundet matanë Drinit, por jeton në Ohër. Familja e saj është shpërngulur nga fshati në qytet kur ajo ka qenë dhjetë vjeç.

– Nga ç’familje është?

– Nga Dokollarët.

– Aha! Familje e mirë.

– Si e ka emrin?

– Flut’ra.

– E gëzoftë! Emër i bukur!

– Është e bardhë? E zezë?

– Ezmere. “Ezmer gjyzel!” – thashë, duke përdorur një shprehje turqisht, të cilën tota Mije e kuptoi, kurse Ymygjyli jo. – Zeshkane e bukur! – shtova pa dashje.- E gjatë sa unë.

Plaka dhe e bija më vështronin në sy. Fëmijët, sidomos vajzat, gjithashtu.

  • Ke fotografi?
  • Të kujt?
  • Të nuses.
  • Nuk kam.
  • Si ashtu? Pse?
  • Nuk mbaj fotografi në kuletë.
  • Kur të vish herën tjetër t’na sjellësh një fotografi. Tënden dhe të nuses – më thanë të dyja njëzëri, tota Mije dhe Ymygjyli.

Pas pyetjeve që shërbyen si hyrje për t’u njohur bashkë, pasuan pyetjet për vendlindjen.

  • A ka ndryshu’ Veleshta?
  • Ka ndryshu’ shumë.
  • Sa sh’pi o bo?
  • Pesëqind, gjashtëqind. Ndoshta shtatëqind.
  • Uaaa! Ia bënë Ymygjyli dhe vajza e madhe, Violeta.
  • … Por një pjesë e tyre janë bosh, sepse njerëzit janë në kurbet.
  • Në kurbet, ku?
  • Në Gjermani, në Zvicër, në Austri, në Suedi… Edhe në Amerikë!

Pasoi një heshtje e shkurtër. Askush nuk fliste. Mendja e etur si duket bridhte nëpër botë. Pastaj u dëgjua prapë zëri i Totës Mije.

  • Po rrapat aty janë, ke Vakufet?
  • Aty, tota Mije. S’kanë luj’t vendit.

Plakës i shkëlqyen sytë. Nga ngazëllimi dhe nga malli.

  • Po në Strugë a shkoni?
  • Shkojmë, si jo.
  • Me se?
  • Me autobus, me biçikletë, në këmbë…, me veturë, ata që kanë.

Tota Mije bënte pyetje të lehta, pa zarar. Herë pas here i puliste sytë si të donte t’i mbulonte me kapakët e tyre pyetjet që s’guxonte t’i bënte.

  • Të vish përsëri – më tha kur po largohesha.
  • Do të vij, tota Mije, do të vij… Unë për ty kam ardhur! – i thashë duke dashur t’ia bëj qejfin, sado që e vërteta ishte krejt ndryshe: kisha ardhur në Tiranë si kuadër i Universitetit të Prishtinës për kërkime shkencore.

Kur shkova herën e dytë në Shqipëri, dy vjet pas, Tota Mije nuk rronte më. Ishte ndarë nga jeta më pak se një vit pasi u takuam bashkë. Edhe vdekjen e saj e mësuam me vonesë, nëpërmjet ndonjë letre të ardhur nga Tirana pas njëqind kontrollesh.

Tani Ymygjyli jetonte vetëm me fëmijët dhe kishte marrë apartament më vete. U pikëllova për mungesën e plakës, por u gëzova për përmirësimin e kushteve të banimit të së bijës me fëmijët.

Më erdhi mirë që vizita ime nuk i kishte dëmtuar si familje. Në mos ndoshta edhe i kishte ndihmuar ndopak.

Te Ymygjyli e njoha edhe Evën, një vllahinkë e bukur nga Struga, pak më e madhe se Gjyli, e martuar në Tiranë. Eva ishte e bija e Spirovicës, që shiste gjilpëra e karfica nëpër fshatrat tona dhe e motra e Jakovçes (Jakovçe Poposkit), sekretarit të partisë për Strugën, njeri që tërë jetën e kaloi nëpër funksione: herë sekretar partie e herë kryetar komune. Për të thuhej se fëmijërinë e kishte kaluar në Veleshtë dhe shqipen e dinte fars, por si njeri i regjimit, ishte antishqiptar. Nuk kishte bërë vaki të shtinte në punë ndonjë shqiptar a t’ia zgjaste dorën dikujt nga tanët në rast rreziku. Përkundrazi. Shquhej në luftën kundër “rrezikut shqiptar”.

E ç’mund të presësh nga një njeri që s’e do nënën e vet, që e ka përzënë nga shtëpia atë që ia ka bë kryet?! – thuhej shpesh në Strugë. Me të drejtë. E ëma e Jakovçes, Spirovojca, si e quanin i madh e i vogël, e ngrysi jetën me një shportë me xhingërrima fshatrave të Strugës, kryesisht te ato shqiptare. Nuk kishte grua në Veleshtë, duke filluar nga nëna ime dhe mixhovica, Bulja, që nuk e njihte Spirovojcën dhe që nuk kishte blerë diçka te ajo.

Edhe Eva qe martuar “n’kohë t’Shqipnisë” me një djalë nga familja Sojli, me Mentorin, i cili ishte edhe poet. Kishte botuar një libër me vjersha me titull Nisje në vitet ’40, të cilin Mitrush Kuteli, shumë aktiv si kritik letrar në ato vite, nuk e kishte pritur mirë. “Nisu, por aman mos u kthe!”, kishte thënë në recensionin e tij kritiku i rreptë pogradecar.

Eva ishte grua e bukur, e zeshkët, vetullkaleshe. Ishte syçelë dhe trime. Burrneshë e vërtetë! Dhe i mbante mend njerëzit dhe ngjarjet e vendlindjes më mirë edhe se tota Mije.

Kishte një djalë të rritur, moshatar me mua, i cili mendjen e kishte jashtë. Më kujtohet se një nga pyetjet e para që më pat bërë djali i Evës (Astrit më duket se e kishte emrin), qe: “Sa palë këpucë ke?” Dhe kur unë i thashë se kisha veç një palë, shumë-shumë dy, ai qeshi me ironi. Nuk besonte.

Do të ketë qenë ndër të parët që ua mësynë ambasadave më 2 korrik 1990, me siguri, ditën që në Kosovë u shpall Deklarata Kushtetuese për Kosovën Republikë. Pikërisht atë ditë, as më herët as më vonë. Një enigmë e madhe, që s’ka gjetur zgjidhje as sot e kësaj dite!

Tota Mije, e bija e “Aga Axhes”, si e thërriste babën e saj, Sefën, e gjithë familja Vinca, nuk arriti të vinte edhe një herë në vendlindje, por e bija, Ymygjyli, po.

Vdiq dhe u varros në Tiranë pa pasur pranë askënd nga njerëzit e fisit të saj, e përmalluar për gjithçka: edhe për gurët e sokakut! Vajti në varr pa ardhur edhe një herë aty ku qe përkundur në djep: në Veleshtë!

Ymygjyli erdhi në vitin 1990 dhe u prit si mbretëreshë. U kthye në Tiranë me kamion. Aq shumë plaçka e gjësende që i dhanë. Nuk mbet njeri i familjes, të afërm e më pak të afërm, që nuk e mori për drekë a darkë. Në Veleshtë dhe në Strugë. Madje edhe në Prishtinë.

Pas një qëndrimi prej rreth një muaji në Veleshtë, unë i hipa makinës, “101”-shit tim të kuq dhe shkova ta merrja në Prishtinë. Që të rrinte edhe këtu së paku një javë, në mos më shumë. E mora me vete edhe vajzën, Doruntinën, e cila e kishte me shumë qejf mysafiren.

Ymygjyli ishte e çelur për nga natyra, si shumica e Vincallarëve dhe posaçërisht ata të Date Bitit, por nuk fliste shumë. Rezervohej. Ndoshta ashtu e kishin porositur. Madje, jo ndoshta, por me siguri, sado që regjimi qe zbutur pas vdekjes së Enverit pak vjet më parë. Ky që kishte ardhur në krye të partisë dhe të shtetit, Ramiz Alia, nga të rrallët që kishte mbijetuar, nuk ishte si pararendësi i tij. Ishte më i butë. Kadareja thotë diku, më duket te libri Pesha e kryqit, njëri nga librat e tij publicistikë, që botoi menjëherë pas largimit në Paris: “Ky nuk vret! Ai tjetri po!”.

Nuk kisha qenë në Shqipëri nga viti 1979. Televizionin na e mbyllën pas ’81-shit, për ta penguar propagandën e “Parties Punës Shqipnies”, si thoshte “shoku Sinan”, Sinan Hasani, funksionar i lartë politik dhe shkrimtar. Romancier. Autori i romanit të parë në Kosovë Rrushi ka nisë me u pjekë, të botuar një vit para Gjarpijve të gjakut, në vitin 1957. Kishte mbetur vetëm radioja, të cilën e mbaja te kryet. Por a mjaftonte? Jo. Sigurisht që jo. Prandaj shfrytëzova rastin e ardhjes në vizitë të kushërirës që ta pyesja për punët e Shqipërisë: nga ekonomia e ushtria e deri te arti e letërsia. Thuase ajo ishte ndonjë ministreshë e jo një punëtore e thjeshtë.

“Filloi intervista tani!”, thoshte mbrëmjeve kur mbeteshim vetëm, kur unë “e gërryeja” për gjendjen në Shqipëri.

Nuk e dija, nuk mund ta merrja me mend, se punët në Shqipëri ishin keq, shumë më keq se në vitet ‘70, sidomos në planin ekonomik.

Atëherë unë e kisha lëshuar mjekrën. Kishte dy vjet. Në verë të vitit 1988. Së bashku me kolegun tim të fakultetit, Agim Devën. Me marrëveshje. “A i lëshojmë mjekrat, bacëlok?” “I lëshojmë!”. Përtonim të rruheshim. Por edhe krijues ishim: poetë, shkrimtarë, studiues të letërsisë…

Kur lodhej nga “intervista”, duke dashur të më ndërpriste, kushërira Ymygjyl më pyeste: “Kur do ta heqësh mjekrën?”.

“Kur të bëhet Kosova Republikë!” – i thosha.

“Po u bë”, ma kthente ajo, duke aluduar te Deklarata e 2 Korrikut.

“Jo, ende jo! Është shpallur, po nuk është bërë! Duhet edhe shumë punë për t’u bërë!”.

Atëherë Doruntina ishte në klasë të parë, shumë-shumë në të dytën, por si dreq që ishte, ishte në gjendje t’i dallonte shkronjat e alfabetit shqip prej atij latin, me të cilin unë i shtypja në makinë shkrimet kundër diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, që botoja në të përjavshmen e famshme të Zagrebit “Danas” dhe më “denonconte” tek e ëma. Tetën nga Tirana e donte shumë dhe nuk i shqitej. E ndiqte pas ngado që shkonte. Por edhe ajo e donte shumë, pa masë, vajzën e gjallë me emrin Doruntinë, emër që ia kishte lënë babai i saj profesor, sipas baladës së lashtë të Konstantinit dhe Doruntinës, por edhe romanit Kush e solli Doruntinën të Ismail Kadaresë, lindur e rritur në Gjirokastër, në Sokakun e të Marrëve, jo larg nga shtëpia e Hoxhatëve.

Tani ime bijë, Doruntina, bijë Vincallarësh nga Prishtina, jeton në Tiranë, ku është martuar me një djalë me origjinë nga Gjirokastra le e rritur në Tiranë. Florian quhet dhëndri, shkurt Flori. Avokat me profesion, që ka mbrojtur Kadarenë në kontestin për dorëshkrimin origjinal të romanit Dimri i vetmisë së madhe, të cilin autori ia kishte falur Nexhmije Hoxhës në shenjë falënderimi, kurse tani kërkonte t’ia kthente.

Kur e bënë dasmën, buzë detit, te Currilat në Durrës, shokët dhe shoqet e tyre kishin shkruar në hyrje të kompleksit turistik “Charlie Max” të djaloshit çam Bledi Shuaipi me lule në formë harku: ”FLORUNTINA”, duke bërë bashkë dy emrat e tyre. Ideja ishte e “regjisores” së ceremonisë, mbesës së shokut tim të vjetër Pandeli Koçi, Erit.

Floriani dhe Doruntina, ose thjesht: Flori dhe Dori, vijnë gati për çdo javë nga Tirana në Prishtinë. Me makinë për tri orë nga “Myslym Shyri” në Ulpianë nëpër “Rrugën e Kombit”. Ndonjëherë, kur Flori është i zënë me punë, vjen vetëm Doruntina me autobus.

Kur e çel derën dhe hedh nga shpina torbën me plaçka, unë i them: ”Mis’erdhe, tota Mije!”.

(Nga libri më i ri i Prof. A. Vincës, “Dritë dhe mjegull”, që këto ditë pritet të dalë nga shtypi në botim të shtëpisë botuese “SYTH” në Tetovë)


Loading...
loading...