Vendi po zbrazet, do të ngelim edhe pa vajtojca!

Vendi po zbrazet dhe ka rrezik që një ditë nuk do të ketë as vajtojca për t’i qarë shtëpitë e bukura që do të ngelin me drita të ndezura, të cilat nuk do të ketë kush t’i fikë… Do të ngelin sorrat, por ato nuk do ta dinë baladën për vatrat e lëna shkretë, dhe për djepat e zbrazur, që do të zëvendësohen me kukullat e braktisura nga vocërrakët që fëmijërinë e vazhdojnë në ndonjë vend të largët e të harruar të botës.

Nga Emin AZEMI

Kompanitë në Maqedoni, sipas statistikave aktuale, kanë nevojë për tetë mijë punëtorë, ndërkohë që për çdo ditë stacionet e autobusëve dhe aeroportet mbushen me të rinj që duan të largohen jashtë vendit. Mungesa e kuadrove të profesionalizuara është më e theksuar në sektorin e turizmit, industrinë e metalit, atë të elektronikës, makinerisë dhe ndërtimtarisë.
Të gjithë ata që duan të ikin, përveç pagës, përmendin edhe kushtet tjera që lidhen me standardin, statusin dhe perspektivën e tyre si profesionistë dhe si qytetarë.
Gjysmë milion qytetarë ose një e katërta e popullsisë janë shpërngulur nga Maqedonia, kurse dy të tretat e tyre janë duke punuar, prej të cilëve një numër i madh në fusha cpecifike – IT, mjekësi, financa, inxhinieri ndërtimi etj.
Bankierët botërorë paralajmërojnë se duhen ndërmarrë hapa për të parandaluar rrjedhjen e talenteve nga vendi, pasi do të rrezikojë të gjithë ekonominë, tregun e punës dhe qëndrueshmërinë e fondit të pensioneve dhe shëndetësisë.
Drejtori i një shkolle të mesme në Shkup, një ditë po më thoshte se në vitet në vijim do të ndjehet edhe mungesa e kuadrove të lëndëve matematiko-natyrore (matematikë, fizikë, kimi, biologji).
Të gjithë flasin për këtë shqetësim, kurse nëse bisedoni me ndonjë politikan, pasi që ata i ndjekin minutë pas minute e hapa pas hapi, rrjedhat globale, në maje të gjuhës e kanë një përgjigje : ‘Ky është trend global vëllaçko’.
Me një përgjigje të tillë që të përplaset në fytyrë, ti duhesh të heshtësh, duhesh të pajtohesh me situatën globale të migrimeve. Bile po i bie që ne si shtet i varfër po kontribuojmë sado kudo në këto trende globale të migrimeve dhe për rrjedhojë mund të ndodhë që një ditë të marrim edhe ndonjë medalje në formë patkoi mushke me motivacion: ‘Hallall ju qoft qumështi i nanës që i dhatë botës kaq shumë fuqi punëtore’.
Banka Botërore dhe institucionet me relevancë ndërkombëtare i kanë kërkuar Qeverisë së Maqedonisë që të shpejtojë reformën e sistemit arsimor për të krijuar një staf të gatshëm për ekonominë, i cili do të punonte për të përmirësuar klimën e biznesit dhe shtetin ligjor. Kur jemi te ky i fundit – shteti ligjor, Maqedonia ndodhet edhe më tej në top listën e shteteve me sistem më të pa reformuar drejtësie, ku oligarkia politiko-biznesore ende është padron i gjykatësve dhe prokurorëve.
Në rrethana të tilla ku besueshmëria ndaj gjyqësorit është zero e madhe, ku hajnat e veshur me pushtet politik shëtitën shlirë nëpër botë, duke mbajtur në njërën dorë çantat e mbushura me para të vjedhura kurse në dorën tjetër dosjet me aktakuza të rënda penale, vështirë është të mendosh për ndonjë klimë të shëndoshë biznesi dhe më pak për ndonjë strategji që do të parandalonte të rinjtë dhe profesionistët e zhgënjyer të këtij vendi.
Largimi nga vendlindja vërtetë që është trend global, por secili vend i ka specifikat e veta dhe në fund asnjë vend nuk paguan koston e pasojave të një vendi tjetër. Një Qeveri që zgjidhet nga votat e qytetarëve, është e obliguar që të ofroj strategji për situata edhe emergjente, siç është ikja e të rinjve dhe profesionistëve. Kjo është një punë shumë serioze, madje më serioze se fushatat zgjedhore, ku premtohet parajsë sociale, por pas akomodimit në pushtet, partitë bëhen indiferente ndaj asaj që qytetarët e paraqesin si ferr.
Sigurisht që nuk është krejt ferr dhe sigurisht që ka ekzagjerime sa i përket ikjeve, sepse kjo tash më është shndërruar në njëfarë psikoze kolektive, por politikanët serioz që duan vërtetë të mbahen mend për punë të mençura, duhet urgjentisht të përgatiten për këto sfida, që nuk janë të vogla, por jo edhe të patejkalueshme.
Vendi po zbrazet dhe ka rrezik që një ditë nuk do të ketë as vajtojca për t’i qarë shtëpitë e bukura që do të ngelin me drita të ndezura, të cilat nuk do të ketë kush t’i fikë… Do të ngelin sorrat, por ato nuk do ta dinë baladën për vatrat e lëna shkretë, dhe për djepat e zbrazur, që do të zëvendësohen me kukullat e braktisura nga vocërrakët që fëmijërinë e vazhdojnë në ndonjë vend të largët e të harruar të botës. Do të na merr malli për një vaj foshnjeje, por pleqtë e mbetur vetëm dinë vetëm të vajtojnë fëmijët që s’i kanë pranë, të cilët çdo vit po ‘zbukurohen’ me thinjat e mallit përvëlues, atje dikund larg ku aroma e bukës mrume nuk depërton dot, atje ku aroma e nanës loke humb në parfumet e luksit të rrejshëm.

Loading...
loading...











Loading…


loading…