Xhevat Limani, një arketip që nxjerr në sipërfaqe jehonën e një vullkani të pashpëthyer

Emin Azemi

Xhevat Limani, një emër emblematik në artin skenik dhe kinematografik, kësaj radhe vjen para publikut shqiptar me një traktat estetik, të cilin ai e ka titulluar ‘’Artisti pa atdhe’’. Shkruar me gjuhën e shkathtë të një krijuesi të sprovuar me artin e fjalës, Xhevat Limani në këtë vepër sjell një kombinim të diskurseve narrative përmes udhëtimit në kohë e hapësirë, duke e ballafaquar historinë me aktualitetin, në një optikë krejt të veçantë filozofike e estetike.

Shkruan Emin Azemi

Ideja për të përmbledhur në një strukturë kaq të ngjeshur tregimtare një histori të tërë, që nga koha e vakumeve historike në mes të akullit dhe zjarrit, atëherë kur epoka pellazgjike po ngjizte kujtesën mitike për një popull që vjen nga larg mbi krahët e Shqiponjës, e deri në ditët e sotme, do të ketë qenë sigurisht ideja më sublime por edhe shpirtërisht më torturuese e kredos krijuese të Xhevat Limanit brenda këtyre 40 viteve karrierë dhe krijimtari. Dalta e kujtesës së narratorit ka ditur të gdhend ato filigrane narrative të cilat si tërësi formojnë një reliev të gjerë polisemantik ngjarjesh e figurash, të cilat kontekstualizojnë kodin e përgjithshëm të udhëtimit nga brezi në brez, të vlerave e porosive.

Krejt këtë shqetësim të tij, narratori nuk ka mundur ta rrëfente ndryshe pos përmes një procesi dinamik të kalimit nga përjetimi i autorit në orbitën e veprës letrare. Ndërfutja e episodeve të ndryshme që lidhen me kohë e ngjarje të caktuara, i kanë ndihmuar autorit të rikrijoj galaktikën e tij botkuptimore përmes një sfondi kompleks narrativ. Kjo galaktikë nuk është statike. Ajo lëviz, ashtu siç lëviz edhe karvani i madh i autorit nën petkun hijerëndë të krytretrimit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për të risjellë në Vlorë jehonën e një krenarie të harruar kombëtare, që origjinën e kishte dikund buzë liqenit të Ohrit, atje ku është edhe vendlindja e autorit, e cila në këtë traktat estetik të Xhevat Limanit merr dimensionet e një vendlindje që duhet të jetë epiqendra e ardhshme e projektit të madh kombëtar, që ai e quan Shtetet e Bashkuara Shqiptare, në Strugën Pellazgo-ilirike-arbërore-shqiptare (Engjalon), siç thotë autori, Kadmi dhe Harmonia, 2435 vite më parë në brigjet e Liqenit të Ohrit, aty ku derdhet Drini i Zi, lindën Ilirin i cili fluturoi lirshëm qiejve si shqiponja që Shqipëria jonë të bëhet Kryezonjë.

Në një rrjedhë koherente të ngjarjeve që shpesh burimin e kishin në toposin antropolgjik e gjysmëmitik të vendlindjes, vepra na shfaqet si unitet tematiko-përmbajtësor në mes të idesë së gjallimit njerëzor e kombëtar dhe amanetit të babait i cili ishte kthyer në një peng të një kumti që s’kumtohej dot, për arsye se Shqipëria ende s’ishte bërë ashtu si ëndërronte babai…

‘’Gjithë jetën kam ëndërruar t’i flas shqip popullit tim. Më është lodhur shpirti e trupi, që nga Shkodra e gjer në Shkup me fjalime mercenarësh, shpirtshitur e tradhëtarësh që predikojnë paqen dhe qetësinë duke përqafuar robërinë e skllavërinë. Këta shpirtskllevër na kanë nxjerrë në pazar dhe po na shesin si kafshë…’’

Është kjo një vegëz ku lidhet lajtmotivi i veprës përmes ideve të cilat shndërrohen në realitet artisitik përmes gjuhës së pasur me kolorit stilistik dhe shkathtësi retorike. Makineria e mosharrimit të historisë i jep veprës në brendi zhurmën e ndërgjegjes për të zgjuar në vetëdijen e brezave idetë panshqiptare, të cilat autori po mundohet t’i mbindërtoj kulturalisht përmes projekteve artisitike, siç ishte odisejada dramatike e kryeprotagonistëve të historisë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali e Adem Jashari , dhe tash së fundi përmes këtij traktati estetik me titull domethënës ‘’Artisti pa atdhe’’.

Të projektuara si metangjarje brenda sfondit të gjerë tematik e motivor, idetë e autorit nuk përmbyllen, ashtu si edhe vetë mimetika fundamentale e veprës e cila synon që mesazhin nga skena ta përcjellë jashtë skenës skematike, në përditshmërinë e jetës, në konkretësinë tonë të dëshiruar.

Xhevat Limani udhëton dhe kërkon pa rreshtur ëndërrën e lënë përgjysmë që nga fëmijëria, që atëherë kur babai i kishte pëshpëritur në veshin e njomë ninullën e pambarim të shqiptarisë. Ai saherë që udhëton drejt Nju Jorkut, e kujton fytyrën e babait, në një horizont të largët të kujtesës së virgjër, e dëgjon ritmin e një valleje të hedhur për nder të profesorëve nga Tirana e Prishtina, që me vizitën e tyre e kishin nderuar vatrën e një burri fisnik dhe tepër të dashur. Në kërkim të Atdheut të munguar, Xhevat Limani shpesh iu kthye kujtimit për babain, sepse vetëm ai e kuptonte se kur duhej mbajtur zi për ndonjë President Amerike dhe vetëm ai ishte një demiurg që ndiqte hapa pas hapi rrugën e suksesit por edhe të telasheveve të të birit. Netëve pagjumë buzë Atlantikut, në dritaren e Xhevat Limanit do të trokas edhe ndonjë laraskë e trembur, e cila do t’ia kujtoj atij kalldërmin e lagur me jargën e mefistofilëve në Bit Pazar që në vend se të bëhen aktor teatri, ata dramatizuan fatin e kolegëve në skena jashtëteatrore. Por, qielli nuk ishte gjithmonë i zymtë dhe mbi folenë e mallkuar të laraskave ndodhte të ateronte ndonjë shqiponjë a kanjushë e verdhë, sepse vetëm ashtu do të stërvitej zanati i pasprovuar i zbutësit të njerëzve me sy prej zymridi.

Në këtë udhëtim të parreshtur, me një barrë që s’e gjen dot ende stacionin e prehjes, Xhevat Limani sërish ngelë dikund në rrugë, në kërkim të pluhurit që lë prapa karvani i historisë. Është po ai pluhur që atë e pengon ta shikoj të pastër pejsazhin e atdheut të plotë, të asaj historie lëvizëse që i ngjan një anije të dehur në mes të oqeanit, prej nga vjen zëri kumbues i Xhevat Limanit, i cili përmes kësaj vepre gjakon t’i rikthejë muret e humbura të një arkitekture etno-gjeografike.

Nëse do ta shikonim si artefakt diskurziv këtë traktat estetik të autorit, na del se ai përmes vlerave semantike të kodit narrativ e projekton imagjinatën e tij si një arketip që nxjerr në sipërfaqe jehonën e një vullkani të pashpëthyer. Autori ka kohë që po e ndjen nxehtësinë e këtij vullkani, prandaj ai kishte nevojë të na jep këtë vepër në formë udhëzimi për të trajnuar brezat me refuzimin e madh etik e kombëtar ndaj fuqive dezintegruese, që vinë nga jashtë e më tepër nga brenda.

In : Aktuale

Loading...
loading...