Zelanda e Re nuk ka më raste me Covid-19, por kufijtë nuk do të hapen për një kohë të gjatë

Zelanda e Re nuk ka më raste të reja nga Covid-19, e megjithatë do të vazhdojë t’i mbajë dyert e mbyllura për pjesën tjetër të botës, edhe për shumë kohë.

Këtë e tha kryeministrja Jacinda Ardern, pas një videokonference me kabinetin australian të martën. Në takim u diskutua mbi mundësinë e krijimit të një zone të sigurt udhëtimi mes tyre Australisë dhe Zelandës së Re, për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa karantinim. Por, vizitorët nga shtete të tjera nuk do të hyjnë dot në vend në të ardhmen e afërt, sqaroi Ardern.

“Po diskutojmë mbi mundësinë e krijimit të një zone të sigurt udhëtimi midis nesh dhe Australisë, në mënyrë që qytetarët të mos u nënshtrohen karantinimit. Sa i përket pjesës tjetër të botës, nuk do t’i hapim kufijtë për një kohë të gjatë”, tha Jacinda Ardern.

Si Australia dhe Zelanda e Re i kanë mbyllur dyer për gati të gjithë të huajt si pjesë e kundërpërgjigjes për frenimin e pandemisë. Turizmi është një prej industrive më të mëdha të Zelandës së Re, që punëson 10 përqind të fuqisë punëtore në vend, duke kontribuar me gati 6 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Shumica e vizitorëve janë nga Australia, Kina, SHBA dhe Britania e Madhe. Të martën Zelanda e Re nuk raportoi asnjë rast të ri për të dytën ditë radhazi. I vlerësuar si një prej vendeve me reagimin më të suksesshëm ndaj pandemisë, atje numërohen vetëm 1500 raste dhe 20 vdekje. Australia, me një popullsi prej 25 milionë banorësh, 5 herë më e madhe se e Zelandës së Re, ka gati 7 mijë te infektuar dhe 96 viktima. Edhe ky shtet e ka sheshuar në mënyrë të suksesshme kurbën e infektimeve dhe shumë territore kanë lehtësuar kufizimet.

In : Aktuale

Loading...
loading...