11 SHTATOR , DITA QË NDRYSHOI BOTËN

 

Edhe pse kanë kaluar 17 vite e ndjej ende atë tronditje të asaj dite. Përcillja si i shastisur raportimet televizive nga vendngjarja, si miliona sy dhe zemra të ngrira, duke u ndjerë gjithnjë dyshues për atë që po ndodhte. Kanë kaluar 17 vite qysh prej atij momenti ngjethës, asaj të shkuare që kafshon me makth botën e qytetëruar edhe sot. Gjithçka ndodhi kaq befas dhe kaq shpejt, tamam si parathënia e një apokalipsi. U sulmua zemra e SHBA-ve, zemra e demokracisë, zemra e nevojës për të besuar tek e mundshmja e parajsës tokësore. Vijmë sot në këtë përvjetor të tragjedisë amerikane dhe përulemi me respekt për jetët që u flijuan në themelet e kësaj zgafelle vdekjeje, klithmë frike, paniku dhe pasigurie, me të cilën bota e qytetëruar po përballej.
Çdo ferr tjetër faqe kësaj toke, veç 11 Shtatorit 2001 që kaploi Nju Jorkun, është thjeshtë një përfytyrim që e mban tmerrin në periferi dhe kurrë një panoramim i ditës së territ që na trand pambarimisht. Ata që e panë dhe e përjetuan këtë ngjarje apokaliptike, nuk kanë aftësi të përshkruajnë dhe ta rijetojnë në përmasat e saj të njëmendta, sikundër edhe ta shuajnë. Sulmi terrorist, i projektuar dhe i zbatuar mbi Kullat Binjake të Uorlld Trejd Sentër të Manhatanit në Nju Jork dhe mbi Pentagonin në Uashington, i ngjante më shumë një mirazhi fantashkencor sesa një ngjarjeje të vërtetë. Edhe sot pas kaq vitesh ende ndër ne ka njerëz që vazhdojnë të mos e besojnë atë që ka ndodhur. As fantazia më e shpenguar e territ dhe panikut nuk mund të parashikonte një dhunim kaq brutal e kaq të pamëshirshëm të një prej krenarive të civilizimit modern, vendit që ka shkruar faqet më të rëndësishme të paqes dhe demokracisë moderne. 11 Shtatori 2001 ishte dhe mbeti një ngjarje kulmore e historisë së SHBA-ve dhe mbarë njerëzimin, ngjarje që lëkundi nga themelet ekuilibrat botërore, ndryshoi botën duke e hedhur atë vrullshëm në një erë të re.
Civilizimi modern, e sotmja që pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, ka ndryshuar. 17 vite janë të mjaftueshme për ta dëshmuar këtë. Asgjë nuk është si më parë. Gjithçka në perëndimin e ëndërruar nga të gjithë ka ndryshuar në themel. Frika, droja dhe pengimi janë tashmë vetëdija e kohës ku jetojmë. Njeriu modern e ka humbur aftësinë e sundimit të parajsës së premtuar, të cilën ai e ndërtoi me kaq pasion e përkushtim, me kast për të besuar se ajo mund të ishte kaq e prekshme sa ishte e dëshiruar.
E shkuara cyt përfytyrimet më të përbindshme të frikës. E sotmja, pa mundur të nxjerrë dhe aq mësime nga pësimet e së shkuares, fatalisht vazhdon ta shtrojë me kafka rrugën e bashkëjetesës dhe afrinë në përplasjen mes qytetërimeve. Me vdekje dhe varre po lëron lavrat e përtëritjes së botës njeriu modern, ky njeri që rreket çdo ditë të përmirësojë jetën e tij, duke i besuar rrejshëm se gjithçka është e mundshme nëpërmjet parasë dhe teknologjisë. Paqja dhe siguria dhanë shpirt përnjëherash me 2996 jetët që u bënë “theror” për transformimin e botës, për ndryshimet e ngulmëta të saj. Sulmet terroriste të 11 Shtatorit bënë fli jetën e njerëzve të pafajshëm dhe e gremisi të sotmen e Amerikës dhe botës së qytetëruar në një spirale paniku dhe paranoje. Askush nuk beson më tek askush. Kudo je i survejuar dhe i përndjekur nga frika. Çdo avion që merret peng është një çelës që hap portën e ferrit, është një tmerr që kërkon me ngulm të vrasë paqen dhe të kërcënojë jetën e njeriut, është një tjetër hap apokaliptik i njeriut në të pamundurën për të jetuar në një botë të të gjithëve. Gjithqysh, 11 Shtatori është një vragë në tru të njerëzisë, një e pamundur për t’u shpërbërë prej harresës.
Albert Vataj

In : Aktuale

Loading...
loading...