13 dollarë një paket cigare në Nju Jork

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, ka nënshkruar së fundmi një ligj me të cilin çmimi minimal i një pakoje cigare do të kushtojë 13 dollarë, ndërkohë që pakëson edhe vendet ku të njëjtat mund të shiten, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është shumë cinike. Kjo ka të bëjë me lakminë”, tha de Blasio duke iu referuar pesë kompanive më të mëdha të cigareve, të cilat bashkë njihen me emrin “Big Tobacco”.

Ceremonia e nënshkrimit të ligjit u bë në spitalin Kings County Hospital në Brooklyn.

“Kemi të bëjmë me korporata ndërkombëtare të cilat e dinë mirë punën që bëjnë për të përfituar dollarë, duke bërë të varur për produktet e duhanit një gjenaratë të tërë të rinjsh, ndërkohë që ne e kemi patjetër t’i shpëtojmë ata”, tha ai.

Rritja e çmimit të cigareve nga 10.50 dollarë në 13 dollarë, bën Nju Jorkun qytetin me cigaret më të shtrenjta në Amerikë.

Një nga ligjet ndalon shitjen e cigareve në farmacitë, përfshirë edhe dyqanet ushqimore/zinxhirë farmacie.

“Vendi në të cilin shkoni për kujdesin tuaj shëndetësor, nuk guxon t’u shesë produkte vdekjeprurëse”, tha de Blasio.

Masat do të hyjnë në fuqi më 1 qershor 2018 dhe të njëjtat synojnë të ulin numrin e duhanpirësve për 160.000 në tre vitet e ardhshme.

Metropoli amerikan aktualisht ka mbi 950.000 duhanpirës, ose 14.3 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve, thuhet në një publikim të organizatës jofitimprurëse Public Health Solutions, sipas të cilës përkujdesi shëndetësor ndaj këtyre personave i kushton qytetit 10.39 miliardë dollarë në vit.


Loading...
loading...