BLENDI PETROL
Aktuale

14 VJET PUNË PËR NJË BANESË! Çmimet e apartamenteve dhe të ardhurat e qytetarëve

Beogradi vijon të mbetet ndër qytetet më të shtrenjta në rajon. Një familje i nevojiten 19 vite për t’u bërë pronare. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Shkupi, ku ky tregues është 13.8 vite, dhe në Sarajevë, 13.6 vite. Ndërkohë, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë më i lartë, përkatësisht 17.5 vite

Shkup, 11 nëntor – Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën në pesë qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone. Sipas të dhënave Numbeo-s për 2024, për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 15.3 vite, ndërsa në qytetin më të shtrenjtë të Europës, Lisbonën, një familjeje i nevojiten 19.5 vite për t’u bërë pronare e një prone, shkruan Monitor.al. Në indeksin e Numbeo-s, për 293 qytete në botë për indeksin e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti deri në mesin e vitit 2024 (llogaritet si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme familjare, të shprehura si vite të ardhurave) Tirana renditet ndër shtetet europiane me apartamentet më të shtrenjta.

Krahasuar me një vit më parë, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë më i lartë, përkatësisht 17.5 vite. Ndërsa për vitin 2022, ishte 15.7 vite kurse në indeksin e vitit 2021, 16.2 vite. Në vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite. Pas tyre vjen Milano me 16.3 vite. Pas Milanos, Tirana vijon të mbetet për apartamentet më të shtrenjta në Europë. Në vitin 2023, qyteti më i shtrenjtë në Evropë ishte Parisi me 20.2 vite, i ndjekur nga Lisbona me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite dhe Milano me 19 vite. Pas Milanos, renditej Tirana me 17.5 vite.

Në renditjen botërore për vitin 2024, Tirana renditet në vendin 64, para Mynihut ku një familje për t’u bërë pronare në këtë qytet i nevojiten 15.2 vite, në Londër 14.9 vite, në Romë dhe Vjenë 14.2 vite, në Nju Jork, 13 vite, dhe Montreal të Kanadasë, 10.9 vite. Ndërkohë, Beogradi vijon të mbetet ndër qytetet më të shtrenjta në rajon. Një familje i nevojiten 19 vite për t’u bërë pronare. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Shkupi, ku ky tregues është 13.8 vite, dhe në Sarajeva, 13.6 vite. Ndryshe, qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Xiamen në Kinë përkatësisht me 48.1 vite.

Ndërtuesit paralajmëruan më parë se rritja e kostove nga taksa e ndikimit në infrastrukturë do të shtrenjtojë sërish çmimet e apartamenteve. Edhe njohësit e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë se shtimi i detyrimeve për taksat te ndërtuesit do të reflektohet te çmimet e shitjes. Pas rënies në muajt e verës, kërkesa për blerje të pronave është rritur në muajt e vjeshtës. Por për agjentët imobiliarë, krahasuar me vjet, kërkesa është në rënie.

Të blesh një shtëpi apo ta marrësh me qira? Raporti çmim/qira përdoret kudo në botë për të treguar nëse ia vlen të blesh një shtëpi, apo të jetosh në shtëpi me qira. Ai mat vlerën e një shtëpie, në krahasim me të ardhurat që mund të marrësh nga ajo. Për shembull, nëse është 15, kjo do të thotë se çmimet e shtëpisë janë sa 15 herë qiraja vjetore që do të fitohej nga këto shtëpi. Raporti i çmimit ndaj qirasë është kostoja mesatare e pronësisë e pjesëtuar me të ardhurat e marra nga qiraja (nëse blihet me qira) ose qiraja e vlerësuar që do të paguhet nëse jepet me qira (nëse blihet për të banuar). Vlerat më të ulëta sugjerojnë se është më mirë të blesh sesa të marrësh me qira, dhe vlerat më të larta tregojnë se është më mirë të marrësh me qira sesa të blesh. Sipas të dhënave që jep “Numbeo”, deri në mesin e 2024, për Tiranën ky raport është 21.76 për zonat e qendrës, dhe 17,38 për zonat jashtë qendrës. Pra për zonat jashtë qendrës, raporti është brenda kufirit të blerjes së shtëpisë. Për Shkupin, ky raport është 30.06 për zonat brenda qendrës dhe për zonat e banuara jashtë qendrës 29.09, për Podgoricën është 18.7 për zonat e qendrës dhe jashtë qendrës, 19.01. Për Athinën është 23.6 për zonat e qendrës dhe 25 për zonat jashtë qendrës.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, të marrësh një shtëpi me qira është e leverdishme nëse ky raport është më i madh sesa 20, dhe ta blesh nëse kjo normë është më pak se 15. Nëse norma është midis 15 dhe 20, atëherë ka më shumë kuptim që të blesh, në rast se blerësi synon të jetojë në shtëpi për një kohë të gjatë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button