19 xhami dhe 5 kisha nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë

Pas kontrolleve, nga ana e inspektorëve është dhënë udhëzim që në afat prej 10 ditëve t’i plotësojnë kushtet, respektivisht të vendosin aparate kundër zjarrit, të hartojnë plan evakuimi dhe të kenë dalje shtesë në raste urgjente
Urim HASIPI
Tetovë, 21 prill – Mbi 60 inspektime janë kryer në territorin e Komunës së Tetovës nga ana e inspektoriatit komunal, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Brigadës së Zjarrfikësve në objekte shtetërore, shkolla, objekte fetare, lokale hotelerike-gastronomike dhe kompani me kapacitetete më të mëdha. Pas kontrolleve të kryera, janë konstatuar shumë lëshime për sa i përket sigurisë së këtyre objekteve, ndërsa shumë pak prej tyre i plotësojnë kushtet në rast të zjarreve dhe fatkeqësive tjera natyrore. Ndërkaq, asnjë xhami dhe asnjë kishë nuk i plotëson kushtet e parapara me ligj për sa i përket sigurisë së objekteve.
“Gjithsej në objekte shtetërore janë kryer 22 kontrolle. Objektet që i plotësojnë të gjitha kushtet janë, Gjykata Themelore e Tetovës dhe Spitali Klinik i Tetovës. Në shkolla janë kryer 24 kontrolle, ku përfshihen shkollat e mesme, çerdhe dhe universitete. Në të gjitha këto objekte, kushtet i plotësojnë shkolla e mesme ‘Nikolla Shtejn’, shkolla ‘Besa’ në Reçicë të Vogël, çerdhja ‘Rinia’, shkolla ndërkombëtare ‘Marif’, shkolla e mesme ‘Gjoce Stojçevski’ dhe Universiteti i Evropës Juglindore. Po ashtu kontrolle janë kryer edhe në objekte fetare. Janë kontrolluar 19 xhami dhe 5 kisha, nga të cilat asnjë nuk i plotëson kushtet e nevojshme”, njoftoi Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Krahas kësaj, një hotel dhe një objekt gastronomik i plotësojnë kushtet e sigurisë. “Kontrolle janë kryer edhe në objekte gastronomike, ku janë kontrolluar 29 objekte, ku vetëm restoranti ‘Ema’ i plotëson kushtet. Inspektime janë kryer edhe në objekte hotelerike dhe kompani të ndryshme, ku janë kryer 20 inspektime, ku vetëm disa prej tyre i plotësojnë kushtet. Nga hotelet, vetëm hotel ‘Merkur’ i plotëson të gjitha kushtet, kurse tek disa mungojnë aparatet kundër zjarrit, aparate me afat të skaduar, nuk kanë plan evakuimi e kështu me radhë”, tha zëdhënësi Alili.
Pas kontrolleve, nga ana e inspektorëve është dhënë udhëzim që në afat prej 10 ditëve t’i plotësojnë kushtet, respektivisht të vendosin aparate kundër zjarrit, të hartojnë plan evakuimi dhe të kenë dalje shtesë në raste urgjente. “Në ato objekte që janë kontrolluar dhe janë konstatuar mangësi, u është dhënë afat për t’i plotësuar kushtet, në të kundërtën do të ketë edhe dënime. Prej ditës së martë të javës së ardhshme, inspektorati do të del në terren për të parë nëse këto objekte kanë marrë masat e nevojshme për të plotësuar kushtet. Afati për ti plotësuar të gjitha kushtet që iu është dhënë pronarëve – është prej 7 deri në 10 ditë”, sqaroi zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Ndryshe, kontrollet nëpër objekte publike, shkolla, objekte fetare, lokale hotelerike-gastronomike dhe kështu me radhë, pasuan pas zjarrit në një diskotekë në Koçan, ku jetën e humbën 59 persona vetëm natën e parë. Deri më tash nuk ka njoftime se sa dënime gjithsej janë shqiptuar pas kontrolleve të kryera nëpër objekte dhe institucione shtetërore që nuk i plotësojnë kushtet.