20 vjet Marrëveshja e Ohrit, po tani…

Partitizimi është shtri në sektorin më jetik siç është arsimi, ku tashmë nuk ka rëndësi çfarë përgatitjesh ke, por ai ke punët mirë me partinë. Sot, shqiptarët në Maqedoni kanë universitete, por i kanë pesëfish më të dobët se ata maqedonase dhe në pjesën më të madhe – janë të mbushura me kuadro “akademik” që vijnë nga “mëma parti” apo marrin bekimin nga ajo. Sot, shqiptarët kanë në shumicë të diplomuar, por kanë shumë pak profesionistë

Nga Patriot LUMANI

Teza se agjenda etnike është finalizuar dhe tashmë duhet të përqendrohemi në agjendën e gjelbër, nuk është thelbi i gjësë, por duket se është pafuqia për të bërë më shumë për shqiptarët. BDI e shpalli se ky është tavani që projekti i tyre etnik parashikon për shqiptarët. Por, problemi nuk është vetëm te BDI, sepse në fund të fundit – kjo është lojë politike dhe fiton gjithmonë ai që objektivat politike di ti paketojë më mirë dhe të njëjtat i ”shiten” te votuesi, pra te populli dhe, përderisa ky i fundit e voton, logjika politike duket se funksionon për këtë parti. BDI ka arritur të shes dhe stërshesë mirë MO në këto 20 vjet dhe agjendën e gjelbër – me shumë mundësi e ka strategji-dalje. Problematike në këtë drejtim është edhe opozita, e cila do të duhet të ishte më këmbëngulëse duke prezantuar një projekt të sajin se ku i sheh shqiptarët në Maqedoni në 20 vitet e ardhshme, sepse duke thënë se “BDI është e keqja dhe ne jemi më të mirët”, është provuar që nuk ka funksionuar deri tani.

Nëse në vitin 2001, kur u nënshkrua Marrëveshja historike e Ohrit, ndoshta ky ka qenë maksimumi që mund të arrihej, por nëse analizojmë nga pikëpamja e sotme – duke e shtrirë krahasimin me vende të ngjashme europiane për nga konfiguracioni etnik të ngjashme me Maqedoninë, si Belgjika apo Zvicra, apo shtetet të tjera me popullsi heterogjen apo krahasimin ta zbresim edhe me Kosovën, lehtësisht arrijmë në konkluzion se shqiptarët e Maqedonisë janë vite-drite larg nga të drejtat që shteti i Belgjikës rezervon për valonët dhe flamanët, apo për gjermanët që janë vetëm 1 për qind e popullsisë së Belgjikës.

Ndërsa për të drejtat e garantuara që Zvicra, edhe pse në masën 65 për qind banohet nga gjermanët etnik, francezëve dhe italianëve apo edhe retoromanëve nuk u mungon asnjë e drejtë krahasuar me gjermanët. Ndërkohë, besoj të gjithë e dinë që serbët në Kosovë, edhe pse janë më pak se 5 për qind, i kanë të gjithë të drejtat e garantuara dhe tashmë synojnë jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe – një lloj autonomie e shkallës së gjerë. E shikoni sa zhurmë bëhet për gjuhën shqipe edhe pse u tha se është zyrtare në Maqedoni – nëse krahasohet me përdorimin e gjuhës serbe në Kosovë! Lehtësisht arrijmë në konkluzion se gjuha serbe është zyrtare në gjithë territorin e Kosovës dhe në çdo institucion të nivelit vendor apo qendror dhe në çdo dokument që lëshohet nga shteti kosovar, serbishtja e ka të njëjtin përdorim si gjuha shqipe. Krahasimin bëjeni vet se në çfarë spektri shqipja është zyrtare në Maqedoni! Mjafton të kujtojmë pluhurin që u ngrit pasi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, foli në shqip në Bruksel. Pra, me pak fjalë mund të themi se gjuha shqipe është avancuar gjatë përdorimit institucional, por nuk është zyrtare ashtu si gjuha maqedonase. Ndërkohë, nëse krahasimin e zbresim edhe në aspektin ekonomik – do të shohim që shqiptarët kontrollojnë vetëm 5 për qind të ekonomisë së Maqedonisë (sipas disa shoqatave të biznesit) dhe në pjesën më të madhe – janë vetëm konsumator dhe taksapagues dhe nëpërmjet mërgatës, kontingjenti kryesor që mbush buxhetin e Maqedonisë me valutë të huaj nëpërmjet remitencave.StrugaLajmStrugaLajm

LUFTA PËR LIRI DHE BARAZI NUK KA FUND !

Lufta për më shumë të drejta politike, ekonomike dhe etnike në vende si puna e Maqedonisë së Veriut është një proces që nuk mund të ketë fund dhe kush mendon se tashmë gjithçka është finalizuar, nuk e njeh historinë si atë të vjetër – apo atë bashkëkohore se si funksionojnë shtetet moderne të paktën prej revolucionit francez e këtej. Duke qenë se të gjithë gojën e kemi me shumë Europë, gjatë ligjërimit tonë politik mjafton të ndjekim shembujt e vendeve europiane sidomos të atyre me përbërje të ndryshme etnike për të konstatuar se kjo luftë nuk ka fund, por është një proces i gjatë marrëveshjesh dhe konsensusesh ndërmjet përfaqësuesve etnik. Para disa viteve, Belgjika dy vite mbeti pa qeveri sepse flamanët dhe valonët nuk arrinin të krijonin qeveri. Të mos flasim për Kataloninë në Spanjë apo vende të tjera.

Me pak fjalë, tashmë ka ardhur koha për një Strategji tjetër të veprimit etnik të shqiptarëve apo për një marrëveshje të re në Maqedoni dhe ajo elitë politike që nuk e ka kuptuar këtë fakt, do ketë kosto dhe do t’i sjell pasoja historike kombit. Marrëveshja e Ohrit nuk është as Kuran dhe as Bibël, dhe si e tillë nuk është e përjetshme. Mjafton vetëm fakti i anulimit të Regjistrimit të popullsisë nëpërmjet marrëveshjes jashtëinstitucionale Zaev-Mickovski për të kuptuar realisht esencën se si funksionon ky shtet dhe kush e ka vendimmarrjen reale dhe kush atë honorifike.StrugaLajm

 Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk duhet ta lejojnë që të varen nga disponimi i elitës maqedonase siç ishte rasti me 10-vjeçarin e Gruevskit apo të dëshirojnë një kryeministër më liberal si Zoran Zaevi që të avancojnë me të drejtat dhe detyrimet ndaj shtetit të përbashkët. Keqkuptimi më i madh te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilin fatkeqësisht e ka pranuar edhe një pjesë e elitës së këtushme politike dhe mediatike, është se tani jemi më mirë se në vitet e ’80-’90 të shekullit të kaluar dhe përmirësimi duhet të bëhet gradualisht dhe hap pas hapi, gjithmonë sipas disponimit të klasës politike maqedonase. Ky keqkuptim i madh po rezulton me pasoja për shqiptarët e këtushëm, sepse përveç se e mban të ngrira pretendimet shqiptare, po e fragmentarizon në mënyrë të tejskajshme shoqërinë shqiptare në Maqedoni duke e mbajtur atë mbyllur dhe tmerrësisht të varur nga politika. Tashmë në shoqërinë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut nuk dihet ku fillon politika dhe ku mbaron krimi, sepse në shumë raste – kemi një simbiozë për mrekulli të politikës me krimin dhe anasjelltas.

Mbi të gjitha, në këto 30 vjet, kush më shumë e kush më pak gjunjëzoi meritokracinë në shoqërinë shqiptare në Maqedoni dhe instaloi partizimin në çdo pore të shoqërisë shqiptare – gjë që sot po rezulton shkatërrimtare për të ardhmen shqiptare në Maqedoni. Nëse një shqiptar diferencohej dhe nuk pranohej në punë në vitet ’80-’90 sepse ishte shqiptar dhe mbronte kauzën e tij etnike, sot sërish janë me qindra shqiptarë që nuk mund të punësohen apo të realizojnë një të drejtë, sepse janë apo mendohet që nuk mendojnë dhe veprojnë si këta që janë rehatuar në çdo drejtim me partinë që është në qeveri apo i takojnë taborit opozitar. Te shqiptarët gjen familje që, siç thonë në Strugë, “me mace e minj” i ka të punësuar në shtet dhe të tjerë që duhet të mendojnë mërgimin, sepse nuk mund të integrohen pa e kaluar ylberin partiak, pra me pak fjalë – nëse dikur kishte më shumë diskriminim etnik, sot kemi diskriminim brenda-etnik.

Partitizimi është shtri në sektorin më jetik siç është arsimi, ku tashmë nuk ka rëndësi çfarë përgatitjesh ke, por ai ke punët mirë me partinë. Sot, shqiptarët në Maqedoni kanë universitete, por i kanë pesëfish më të dobët se ata maqedonase dhe në pjesën më të madhe – janë të mbushura me kuadro “akademik” që vijnë nga “mëma parti” apo marrin bekimin nga ajo. Sot, shqiptarët kanë në shumicë të diplomuar, por kanë shumë pak profesionistë. Sot, shqiptarët kanë qindra doktorë shkencash (jo të gjithë) të cilët të vetme punime akademike i kanë materialet e vjedhura nga interneti dhe titujt i kanë marrë (blerë) në universitete që prodhojnë diploma. Nëse dikur nga vendlindja largoheshin punëtorët e pakualifikuar, sot po ndodh e kundërta – po largohen të mirëkualifikuarit gjë që në një periudhë afatmesme, do të rezultojë me pasoja për shoqërinë shqiptare. Sot, një pjesë e madhe e mjekëve dhe profesionistëve në disa fusha deficitare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që kanë diplomuar në universitete të ndryshme europiane, jo që nuk kthehen në vendlindje, por po tërheqin drejt largimit edhe shumë të tjerë që janë punësuar në sektorin shëndetësor dhe sektorët e tjerë me rëndësi për zhvillimin e këtushëm.

TEZA POLITIKE SE SHQIPTARËT NË MAQEDONI PO ZGJEROHEN, ËSHTË NJË LAJTHITJE!

Në këto 100 vjet, nëse ka një popull që ka reduktuar prezencën gjeografike në një territor, padyshim janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut (përjashto rastet ku është kryer spastrim etnik). Në fillim të shekullit 20, shqiptarët në Maqedoni ishin popullsi dominuese apo e konsiderueshme në Ohër, Manastir, Prilep, Resnjë, Veles dhe qytetet të tjera. Sot, prezenca e shqiptarëve në këto qytetet varion nga 1 deri 5 për qind. Nuk ishte rastësi që Kongresi i Alfabetit u zhvillua në Manastir. Nuk ishin aksidentale thirrjet e rilindësve që kryeqytet i Shqipërisë të bëhet Ohri, pasi kjo ishte e mbështetur në prezencën etnike dhe në këtë drejtim janë statistikat osmane që dokumentojnë këtë prezencë. Ndërsa statistikat e sotme dokumentojnë se shqiptarët tashmë përfundimisht janë minorencë në këto qytete dhe gradualisht po rrezikojnë në një të ardhme jo shumë të largët nga një popullsi shumicë në rrethin e Strugës, Kërçovës apo Dibrës, ta humbin primatin e popullsisë shumicë dhe në këtë drejtim – mjafton të shihen statistikat e nxënësve që vijojnë procesin mësimor në shkollat fillore dhe të mesme. Rreth e afër partisë në pushtet, në biseda informale të thonë se tashmë si rezultat i politikës së BDI-së, shqiptarët kontrollojnë Dollnenin dhe së shpejti do kontrollojnë Çashkën dhe Butelin. Ky konstatim edhe mund të jetë real, por çfarë kuptimi do kishte kjo në rast se shqiptarët humbin kontrollin e Strugës, Dibrës dhe Kërçovës dhe, ashtu siç shkojnë punët, nuk do të jetë e largët dita që edhe kjo mund të ndodh. (koha.mk)


Loading...
loading...