Komuna e Strugës ndan rreth 4.2 milionë euro të buxhetit të saj vetëm për rroga dhe punësime, një shifër që ngre pikëpyetje mbi menaxhimin financiar dhe prioritetet zhvillimore të qytetit shkruan Strugalajm.
Buxheti i Strugës për vitin 2025 u prezantua me shumë bujë, duke arritur një vlerë prej 25 milionë eurosh. Megjithatë, analiza tregon se gjysma e këtyre mjeteve janë dotacione dhe transferta nga qeveria qendrore, ndërsa pjesa tjetër varet nga burime vendore që rrallëherë realizohen në masën 100%.
Nëse analizojmë më tej, shifra prej 4.2 milionë eurosh e dedikuar për paga dhe shpërblime tregon qartë se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të qytetarëve të Strugës shkojnë për administratën vendore, në vend që të investohen në projekte infrastrukturore dhe zhvillimore.
Struga vazhdon të jetë një nga komunat me një administratë të rënduar, në raport me numrin e banorëve. Aktualisht, administrata komunale numëron rreth 250 të punësuar, ndërsa punësimet e reja vazhdojnë pandërprerë, duke rënduar më tej arkën komunale.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për mungesën e projekteve konkrete që do të përmirësonin cilësinë e jetesës, ndërsa një pjesë e mirë e buxhetit mbetet e bllokuar për shpenzime administrative. Pyetja që mbetet është: Kur do të kthehen prioritetet e Strugës drejt zhvillimit dhe jo vetëm drejt mbajtjes së një administrate të rënduar?(Strugalajm.com)