4 BIZNESE TË MBYLLURA NË OHËR DHE STRUGË PËR MOSLËSHIM TË FISKALEVE

Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) ka zhvilluar kontrolle të gjera për respektimin e fiskalizimit nga 28 korriku deri më 3 gusht në disa qytete të vendit, përfshirë zonat turistike. Rezultatet tregojnë se tek 30% e subjekteve të kontrolluara janë konstatuar shkelje, ndërsa 4 biznese janë mbyllur – tre në Ohër dhe një në Strugë, për shkak të moslëshimit të kuponëve fiskalë.
Në total janë kontrolluar 214 subjekte, si restorante, kafene, bare plazhi, pastiçeri, markete, dyqane veshjesh dhe bizhuterish, hotele, transportues, parkingje dhe pika të tjera shitjeje me pakicë. Nga to, 66 kanë rezultuar me parregullsi, për të cilat janë shqiptuar gjoba në varësi të madhësisë së biznesit. Katër prej tyre morën masën e mbylljes së përkohshme, pasi kishin përsëritur shkeljen brenda dy viteve.
Numri më i madh i kontrolleve është kryer në Strugë, Ohër dhe Manastir (126 gjithsej), ku janë konstatuar 29 parregullsi — 11 në Strugë dhe 18 në Ohër. Në Shkup u kryen 14 kontrolle me 4 shkelje, në Prilep 7 kontrolle me 3 shkelje, ndërsa në Tetovë dhe Gostivar gjithsej 32 kontrolle me 14 shkelje (13 në Tetovë, 1 në Gostivar). Në qytetet tjera si Shtip, Negotinë, Demir Kapi, Kavadar, Veles dhe Kumanovë janë kryer 35 kontrolle dhe janë konstatuar 16 shkelje.
Nga DAP apelojnë që të gjithë tatimpaguesit të veprojnë në përputhje me ligjin, duke lëshuar kuponë fiskalë dhe duke përdorur pajisje fiskale mobile, pasi kjo nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi të ndershëm e transparent biznesi.





























