4 ditët pa gjumë të Armand Dukës dhe mijera kilometra brenda dy muajve

Nga Anila Basha
Armand Duka u mendua jo shumë gjatë, nëse do të donte të hidhte një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. 55 vjeçari me profesion ekonomist, biznesmen i suksesshëm në Shqipëri dhe për më tepër drejtues i Federatës Shqiptare të Futbollit që prej vitit 2002, e dinte fare mirë se sfida e re që po përpiqej të përfshinte veten nuk do t’i shërbente vetëm atij si individ, por edhe vendit që do të përfaqësojë, Shqipërisë.
Kishte në xhep vetëm dy favore të rëndësishme: emrin e mirë që Shqipëria “çimentoi” në Euro2016, si dhe kontaktet tejet të rëndësishme ndërkombëtare që kishte vendosur prej vitesh në botën e futbollit.
E pas kësaj, një mëngjes janari e vendosi: Ai do të ishte një ndër emrat që do të kandidonin për pozicionin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA.
Shumë prej miqve e shokëve e panë ndoshta me skepticizëm kandidimin e tij për postin e lartë të qeverisë së futbollit botëror. Të tjerë, e konsideruan këtë thjesht një aventurë ku biznesmeni shqiptar po përfshinte veten.
Mund të jetë në fakt edhe aventurë. Por ajo që do të shohim pas katër ditësh, është fakti i thjeshtë se shqiptarët anembanë, dhe më së shumti ata të botës së futbollit do të mbajnë frymën një çast, në votimin e 5 prillit që do të mbahet në Helsinki.
Emri ALBANIA do të përmendet shumë shpesh në botën e futbollit ndërkombëtar atë ditë. Nga krerë federatash e presidentë që kanë lënë gjurmë në futbollin ndërkombëtar. Më e pakta, është publiciteti i garantuar. Më e shumta, zgjedhja e Armand Dukës do të jetë historike për Shqipërinë, fundja, siç ishte historike edhe kualifikimi dhe pjesmarrja e Shqipërisë për herë të parë në Euro2016, kur të gjithë e panë me skepticizëm të madh, që nga goli i parë i Bekim Balajt në ndeshjen kundër Portugalisë, tek gjyqi i fituar me shumë mund në KAS ndaj Serbisë, e deri në përfundim, me fitoren në ndeshjen me Armeninë.
Në fund të janarit, tej pyetje-përgjigjeve, telefonatave, ecejakeve të vetmuara, në një pjesë të madhe të kancelarive evropiane të futbollit, biznesmeni shqiptar 55 vjeçar e vendosi që do të futej në kandidim.
UEFA e lancoi me pompozitet lajmin në 9 shkurt, ndërsa shkroi se “kjo është hera e parë në historinë e futbollit shqiptar që një përfaqësues i futbollit shqiptar mund të jetë një kandidat potencial në organizatën më të lartë të futbollit evropian, UEFA”.
Janë 55 shtete që do të votojnë për 13 kandidatë nga vende të ndryshme, e prej tyre do të zgjidhen 8. Padyshim që gara është e vështirë, po të mendosh se disa shtete, me futboll të rëndësishëm e të fuqishëm, duke përfshirë, Gjermaninë, Anglinë, Spanjën apo Italinë mund të futen pa bërë shumë lobing.
Por, për Shqipërinë, e për Presidentin Duka, si hera e parë, puna do të ishte pa ndalim. Orë pa gjumë e orë në avion; mijëra kilometra e distanca të përshkruara që nuk do t’i linin shumë kohë të mendohej për skepticizëm.
Në një vështrim të shpejtë, brenda dy muajve, takimet e tij kanë vijuar nga Podgorica në Linz, nga Bratislava në Vjenë, nga Rumania në Luksenburg, nga Sofja në Shkup nga Beogradi në Sarajevë, nga Lubjana në Romë, nga Kopenhageni në Vjenë, nga Zyrihu në Moldavi, nga Kievi në Minsk të Bjellorusisë, nga Athina në Bruksel, nga Gjeneva në Tel Aviv, nga Larnaca e Qipros në Stamboll të Turqisë, nga Lisbona në Paris, nga Praga në Bern e Lihtejnshtejn e këshu me radhë ditët nuk kanë mjaftuar për të shkelur çdo shtet, dhe për të kërkuar çdo votë, jo vetëm për emrin e tij, por edhe për emrin e Shqipërisë.
Dhe për të folur troç e pa dorashka, jo pak syresh janë habitur për energjinë e treguar nga kandidati shqiptar që derimëtani, katër ditë para votimit të rëndësishëm, ka takuar përfaqësuesit e 53 shteteve, nga 55 që do të votojnë për komitetin e ri.
Të gjithë duhet të urojnë të shohin presidentin e futbollit shqiptar në zyrat e larta të UEFA. Me apo pa dorashka, me apo pa skepticizëm, me apo pa inat, vullneti, energjia, pasioni, dëshira, ambicia e vrulli i shfaqur prej zotit Duka për të qenë pjesë e qeverisë së futbollit ndërkombëtar, do të jenë ndoshta edhe arma e tij më e fortë në një garë tejet të vështirë.
Aty ku janë luajtur edhe fije “diplomatike” mes shtetesh për të fituar vota, Duka, ka qenë i vetëm e pa ndihmën e askujt. Kur të jetë pjesë e qeverisjes së futbollit evropian, nuk do të mungojnë vlerësimet, mesazhet, përgëzimet pse jo, edhe deklaratat kush më shumë e kush më pak se kanë dhënë të gjithë nga një dorë në fitoren e tij, nëse kjo bëhet realitet.
Në fund fare, siç ndodh në botën e futbollit, ka rëndësi rezultati. Të gjithë që e kanë ndjekur nga pak ecejaken e Armand Dukës për këtë post, e dinë fare mirë se ky do të jetë një sukses dhe sfidë personale e 55 vjeçarit. Do të presim dhe katër ditë të shohim. Ndoshta Duka ka luftuar i vetëm për të qenë pjesë e qeverisjes evropiane të futbollit, por zgjedhja e Armando Dukës, do t’i bëjë mirë edhe Shqipërisë. Suksese zoti President!/NewSport.alStrugaLajmStrugaLajm

StrugaLajm

Loading...
loading...