65 milionë euro të tjera për blerjen e energjisë elektrike
Ministri i financave, Fatmir Besimi ka paralajmëruar se po ndërmerren hapa adekuat për zbutur pasojat nga kriza energjetike. Ai ka njoftuar se nga buxheti i 2021 janë transferuar 4 miliardë denarë apo rreth 65 milionë euro në llogarinë e SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” për sigurimin e sasive plotësuese të energjisë elektrike, përcjell INA.
Sipas tij, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale po angazhohen edhe për masat për mbështetjen e kategorive më të varfëra sociale për ti siguruar mjete për përballimin e krizës energjetike. Kjo masë parasheh dhënien e 1000 denarëve shtesë për mbulimin e harxhimeve për ngrohje. Ministria ka paralajmëruar se situata me energjinë në nivel global pritet të stabilizohet më së voni nga mesi i 2022.(INA)