Aktuale

84-vjet shkollë Shqipe në Livadhi të Strugës

Kryetari i Komunës së Strugës mori pjesë sot në manifestimin solemn kushtuar 84-vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe në Livadhi, një ngjarje me peshë të veçantë historike dhe emocionale për komunitetin lokal.

Në fjalën e tij, kryetari theksoi se kjo shkollë nuk përfaqëson vetëm një institucion arsimor, por një pikënisje të rrugëtimit të dijes për breza të tërë. Ai kujtoi se shkolla mban me krenari emrin e dajës së tij, Aki Dikës, se aty ka mësuar nëna e tij e ndjerë dhe se pikërisht në këtë ndërtesë ai vetë hodhi hapat e parë drejt formimit personal dhe profesional.

Moment i veçantë i ceremonisë ishte edhe takimi me Vedat Dikën, një nga nxënësit e parë të kësaj shkolle. Me plis të bardhë në kokë, ai u vlerësua si simbol i sakrificës, këmbënguljes dhe përkushtimit të paraardhësve që ruajtën gjuhën dhe identitetin shqiptar në kohë të vështira.

Kryetari shtoi se ky jubile është një kujtesë e fortë se dija mbetet trashëgimia më e çmuar kombëtare, ndërsa brezat e sotëm mbajnë përgjegjësinë për ta ruajtur dhe çuar përpara këtë amanet të shenjtë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button