Krizës politike në Maqedoni jo që nuk po i duket fundi, por ajo ndodhet para shpërthimit edhe në aspekt të sigurisë, paralajmërojnë njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë, njofton REL.
Komentet e tyre pasojnë kërcënimet e fundit të presidentit Gjorge Ivanov dhe të kreut të VMRO-së, Nikolla Gruevski, se nuk do të heqin asnjëherë dorë nga bllokimi i formimit të institucioneve të reja, për shkak të, siç thonë, ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të Maqedonisë nga platformat e huaja duke aluduar në deklaratën e partive politike shqiptare, që të mos bëhet pjesë e programit të ri qeveritar të LSDM-së dhe partive shqiptare.
Madje, Gruevski ka thënë se “në rast të ndonjë përpjekjeje që me forcë të merret pushteti, atëherë do të ndodhë populli” duke e paralajmëruar që të përgatitet për rezistencë afatgjate.
Debati në Kuvend për zgjedhjet e kryetarit të ri nga partitë e shumicës së re LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, po hyn në javën e tretë, por për shkak të pengesave procedurale të VMRO-së përfundimit të saj nuk i duket fundit.
Nga LSDM-ja, kanë bërë të ditur se kanë plan për zhbllokimin e seancës që nënkupton zgjedhjen e kryetarit duke anashkaluar kryesuesin aktual të VMRO-së, por njohësit e çështjeve politike thonë se kjo mund të ndodhë, porse nuk mund të kalojë pa pasoja.
“Gabim është të mendohet se VMRO-ja mund të tërhiqet në mënyrë demokratike, se do të legjitimojë pushtet tjetër apo se do ta dorëzojë pushtetin. Madje, unë mendoj se ajo ka projekt edhe për ndonjë konflikt lokal varësisht se si do ta menaxhonte. Mundësia e vetme që të zhbllokohet puna e Kuvendit është ajo e dhunës apo gjysmë dhunës në atë mënyrë që LSDM-ja dhe partnerët e tyre të mbajnë një seancë dhe ta zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit”.
“Por, kjo do të prodhojë dhunë për arsye se VMRO-ja është e vendosur, ajo ka skenar perfekt pasi në mënyrë institucionale, apo demokratike gjendja e tanishme nuk mund të kapërcehet”, thotë për Radion Evropa e lirë, Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.
I pyetur se a mund të pritet përkeqësim i gjendjes edhe në aspekt të sigurisë nëse shumica e re parlamentare ndërmerr hapa për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Lubomir Fërçkovski, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe ish-kandidat për president, thotë për Radion Evropa e Lirë, se VMRO-ja ka shkelur të gjitha ligjet sa i përket konstituimit të Kuvendit, andaj hapat e tillë nga shumica e re nuk duhet kuptuar si zgjedhje me forcë të kryeparlamentarit. Ai thotë se këtë të drejtë partitë e kësaj shumice e kanë marrë nga qytetarët në zgjedhje.
“Kjo që aktualisht ndodh në Kuvend, është përjashtim nga praktikat e kaluara kur seancën konstitutive e drejtonte deputeti më i moshuar deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Këtu kemi të bëjmë me uzurpim të këtij posti nga kryetari i vjetër që nuk ka asnjë mandat për të kryesuar me seancën… Kësaj agonie duhet t’i jepet fundi dhe njerëzit nuk duhet të frikësohen pasi këtu nuk bëhet fjalë për incident, por për marrjen e përgjegjësisë nga kjo shumicë e re parlamentare”, thotë Fërçkovski
Disa nga partitë tjera politike, në veçanti ato shqiptare, ditëve të fundit dolën me propozime për një takim të ri të liderëve të partive politike, por analisti Alajdin Demiri, nuk sheh zgjidhje nga një veprim i tillë pasi, siç thotë, Gruevski është i vendosur që deri në fund ta çojë bllokimin e institucioneve, që tani do të reflektohet edhe në pushtetin lokal që mund të nxisë protesta sociale.
“Marrëveshje nuk mund të arrihet me liderin e VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai fuqishëm po e bllokon punën e Kuvendit dhe të Qeverisë, ndërsa nga muaji maj do ta bllokojë edhe pushtetin lokal dhe atëherë do të kemi ‘bomba’ ekonomike me protesta të llojeve të ndryshme. Kjo paralajmërohet me bujqit, ndërsa këtë do ta bëjnë edhe sektorë të tjerë që do të bllokohen nga kriza politike”, konsideron Demiri.
Shumica e re parlamentare beson se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mund t’i hap rrugën formimit edhe të Qeverisë, edhe pse presidenti Ivanov ka thënë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që mund të vijë nga kryeparlamentari i ri për mandatimin për kryeministër të Zoran Zaevit të LSDM-së.
Ndërkohë, pengimi i formimit të institucioneve të reja është paralajmëruar edhe nga organizata “Për Maqedoni të bashkuar”, e cila tani 40 ditë po proteston në Shkup dhe qytete tjera.
Drejtuesit e saj, kanë paralajmëruar edhe hyrjen me dhunë në Kuvend, nëse do të ketë përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të ri pa u distancuar paraprakisht nga “platforma e Tiranës”, siç e quajnë deklaratën e partive politike shqiptare.