Aktuale

A DUHET TË LEXOJMË DHE PSE?

A DUHET TË LEXOJMË DHE PSE?

Shtrohet pyetja:

A duhet të lexojmë?

Pse duhet të lexojmë?

Sa duhet të lexojmë?

Çfarë duhet të lexojmë?

Për t’u përgjigjur në këto pyetje, do të përpiqem të jap një shënim të shkurtër, i cili, për të thënë të drejtën, më është diktuar nga koha në të cilën jetojmë dhe veprojmë. Këto pyetje duhet t’i ketë parasysh çdo person, nga mosha e hershme rinore e deri në pleqëri (derisa shëndeti ia mundëson të lexojë).

Arsyet pse duhet të lexojmë janë të shumta, por unë do të përmend disa nga më kryesoret në procesin e leximit dhe të shkrimit për çdo individ:

Leximi pasuron fjalorin. Sa më shumë të lexosh, aq më shumë përfiton aftësi për t’u shprehur qartë dhe bukur në situata të ndryshme. Fiton shkathtësi të artikulimit dhe përmirëson komunikimin në jetën e përditshme.

Leximi përmirëson kujtesën. Kur lexon një libër, përpiqesh të mbash mend personazhe, karakteret e tyre dhe ngjarjet. Duke e ushtruar kështu kujtesën, truri bëhet më aktiv dhe më i mprehtë.

Leximi rrit përqendrimin. Ndërkohë që je i zhytur në libër, harron për një moment angazhimet e përditshme, çlodhesh dhe largohesh nga stresi.

Leximi përmirëson të shkruarit. Një fjalor më i pasur, struktura më e saktë gjuhësore dhe idetë e qarta janë rezultat i leximit të vazhdueshëm. Jo më kot themi: “Ky tekst është shkruar bukur, pa gabime dhe me mendime të thella.”

Leximi qetëson. Një libër i mirë është shoqërues i çasteve të qeta dhe të vështira.

Libri është një mjet i lirë argëtimi. Bibliotekat janë burime falas diturie. Vetëm rruga deri aty kërkon kohë, por edhe ajo shpeshherë na mban larg prej leximit.

Leximi nxit të menduarit. Siç ka nevojë trupi për ushtrime, ashtu edhe truri ka nevojë për stimulim, dhe këtë e ofron leximi.

Zhvillimi i teknologjisë (interneti, celularët, rrjetet sociale) ka ndikuar në uljen e dëshirës për lexim. Informacioni i shpejtë dhe i gatshëm na ka mësuar ta marrim gjithçka me lehtësi, por siç mësojmë shpejt, ashtu edhe harrojmë shpejt. Kjo është arsyeja pse sot, fatkeqësisht, dyert e bibliotekave hapen më rrallë.

Sot shumë preferojnë ta marrin të gatshme një përmbledhje në vend se të lodhen për të lexuar një roman, por harrojnë se leximi e pasuron shpirtin dhe mendjen. Kur përfundon një libër, ndihesh sikur ke bërë një vepër të mirë. Prandaj, rikthehuni te libri – shoku dhe miku më besnik i njeriut. Ai na shoqëron përmes kohëve dhe ngjarjeve të jetës.

Të lexosh një libër do të thotë të hapësh një dritare drejt botës, në një hapësirë të re që mund ta kuptosh vetëm pasi ta kesh mbyllur librin.

Një fjalë e urtë thotë:
“Përdore çelësin, hape derën dhe hyr në botën e imagjinatës – botën që ta mundëson vetëm libri.”
Ky libër, i cili sot shpesh është lënë në harresë, pret të lexohet ndërkohë që fletët e tij pushojnë nën pluhur.

Leximi ndihmon edhe kujtesën afatgjatë. Sipas një studimi kanadez, leximi me zë e përforcon këtë efekt përmes të ashtuquajturit “efekt i prodhimit”, që do të thotë: “T’i shqiptosh fjalët dhe t’i dëgjosh përsëri.” Pra, një lexim – dy përfitime: lexon dhe dëgjon.

Mesazhi im për fund:

Të nderuar lexues, mos e lini librin pas dore. Mjetet moderne janë të dobishme, por vendin e librit në zemrat tona nuk duhet ta zëvendësojë asgjë. Nga libri mësojmë të lexojmë, të kuptojmë dhe të komunikojmë. Bëhuni miq të tij.

Shumë prej profesionistëve që kemi sot – mjekë, inxhinierë, arkitektë, profesorë – kanë pasur mik të ngushtë librin, dhe shumë prej tyre edhe sot nuk i ndahen.

Resul Bekteshi, Strugë

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button