Aktuale

Abazi priti ambasadorin Rokas, bashkëpunimi me BE-në vazhdon të thellohet në të mirë të komunës

Kryetari i Bogovinës, Feti Abazi ka pritur në hapësirat e komunës ambasadorin e BE-së në vend, Michalis Rokas.

Në kuadër të takimit janë prekur tema me rëndësi për zhvillimin e komunës, si dhe prioritetet gjatë mandatit katërvjeçar të kreut të Bogovinës.

“Shprehim falënderimin tonë të sinqertë për ambasadorin e Bashkimit Europian, Sh.T.Z. Michalis Rokas, për kohën dhe përkushtimin që ndau një ditë të tërë për vizitë në Komunën e Bogovinës. Njëkohësisht e falënderojmë për përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian ndaj projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e komunës sonë. Gjatë vizitës, ambasadori zhvilloi takim me mua si kryetar i Komunës së Bogovinës me Këshillin e Komunës, si dhe pati një takim të frytshëm me përfaqësues të shoqërisë civile. Poashtu është vizituar edhe një projekt i përkrahur nga BE-ja, i cili është një dëshmi konkrete e mbështetjes dhe partneritetit tonë të përbashkët”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, prioritete kryesore mbeten zgjidhja e problemeve me ujin e pijshëm, zhvillimi i turizmit malor dhe përkrahja e bizneseve lokale, me qëllim krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë.

“Shpresojmë që ky bashkëpunim i shkëlqyer me Bashkimin Evropian të vazhdojë dhe të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në të mirë të Komunës së Bogovinës dhe qytetarëve të saj”, thekson Abazi.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button