Aferë me drutë në Strugë: Tre nga Vevçani nën kallëzim penal për abuzim dhe dëm mbi 280 mijë denarë

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se Njësia e Jashtme për Punë Kriminalistike në Strugë ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave nga komuna e Vevçanit – V.R. (56), Z.P. (61) dhe A.A. (60), për dyshime për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Sipas informacioneve zyrtare, i dyshuari i parë, në cilësinë e udhëheqësit në Ndërmarrjen Pyjore “Jabllanicë” – Strugë, nuk ka ushtruar mbikëqyrjen e duhur mbi proceset e prerjes, transportit dhe pagesës së masës drusore. Si pasojë, ai nuk ka parandaluar aktivitetet e paligjshme, duke mundësuar përfitim të kundërligjshëm.
I dyshuari i dytë, i angazhuar si referent për shfrytëzim, mbrojtje dhe kultivim të pyjeve, gjithashtu ka dështuar të kryejë mbikëqyrjen zyrtare ndaj prerjes dhe transportit të druve.
Ndërkohë, i dyshuari i tretë, në cilësinë e referentit për prerje dhe furnizim, sipas hetimeve, ka lëshuar fletë-dërgesa për transport të druve të prera në mënyrë të paligjshme për persona fizikë, ndonëse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë bie ndesh me rregulloret ligjore për menaxhimin dhe shënjimin e drurit.
Nga këto veprime, sipas MPB-së, është shkaktuar dëm material ndaj NP “Pyjet Nacionale” dhe buxhetit të shtetit në vlerë prej 280.436 denarësh.
.gif)




























