Afrim Gashi: Dil PËR të ardhmen europiane  

Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin, nëpërmjet një kumtesë paralajmëron zyrtarisht hapjen e fushatës për referendumin e 30 shtatorit me moton “Dil PËR të ardhmen evropiane”, njofton Portalb.mk.

“Në të vërtetë, ne jemi në fushatë tashmë disa ditë, sepse për neve ky sukses më shumë është përkushtim programor e politik sesa një fushatë e thjeshtë, por prej sot po e shpalosim edhe zyrtarisht fushatën për referendumin e 30 shtatorit. Me këtë rast do të më lejoni t’i përcjell disa mesazhe që kujtoj se janë me rëndësi për suksesin e këtij referendumi. Pas shumë viteve pritjeje e bisedime, mund të konstatojmë se më në fund pengesa për integrimin euro-atlantik tashmë po hiqet dhe ne jemi gjenerata që mund ta vulosim këtë sukses. Më në fund, me Marrëveshjen e Prespës, ne e kemi hapur derën dhe e kemi prekur me dorë integrimin euro-atlantik”, thuhet në letrën e Gashit.

Në letër gjithashtu thuhet se duke gjykuar se secili brez i ka meritat dhe përgjegjësitë e tij, mendojmë se tash jemi para momentit kur me dorën tonë duhet ta përcaktojmë të ardhmen tonë. Koha është për një histori të re.

“Nëse të tjerët në këtë shtet kanë një arsye që të dalin në këtë referendum, ne shqiptarët kemi dhjetëra arsye që t’i themi PO pyetjes së këtij referendumi. Diskriminimi, padrejtësitë dhe varfërimi ekonomik na kanë lënë pasoja që assesi të riparohen. Prandaj, shpresa e vetme që diskriminimi të përfundojë, që drejtësia të aplikohet për të gjithë pa dallim dhe që të rritet mirëqenia ekonomike e të gjithëve është pikërisht integrimi euro-atlantik i vendit tonë. Prandaj, një PO për referendumin e 30 shtatorit, përveç që është PO për të ardhmen euro-atlantike të vendit, është edhe një PO patriotike shqiptare për të ardhmen tonë në Maqedoni.

Duke u prirë nga këto konstatime, Lëvizja BESA do të jetë aktive në këtë fushatë, do të trokasë në çdo derë që të flasë me të gjithë qytetarët tanë dhe t’i ndërgjegjësojë se ky është një shans historik që nuk mund të nëpërkëmbet”, thuhet më tej në letër.

Gashi thotë se edhe pse është shumë dakord me ata shqiptarë që druajnë për identitetin shqiptar në Maqedoni, gjë që flet për dinjitetin dhe kujdesin që kanë ata për kombin shqiptar në Maqedoni, megjithatë – sipas tyre – ky identitet mund të mbrohet vetëm nëse ky shtet mbijeton dhe merr rrugën euro-atlantike.

“Prandaj, referendumi i 30 shtatorit është një mundësi e shkëlqyeshme që ne ta shpëtojmë veten nga rreziku i zhbërjes dhe ndikimet antishqiptare, aq më shumë që në skenë kemi plot forca që duan të na zmbrapsin në këtë rrugë. Ne mbrëmë ishim në Kumanovë, sonte do të jemi në Gostivar dhe deri në fund të kësaj fushate, për çdo ditë, do t’i vizitojmë të gjitha vendbanimet shqiptare për t’ju thënë të gjithëve se referendumi i 30 shtatorit është një moment historik që ne duhet ta marrim seriozisht, sepse aty vendoset e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e familjeve tona.  Ftesa jonë do të jetë “Dil PËR të ardhmen europiane!”. Dhe, këtë “dil” nuk e kemi përdorur vetëm në kuptimin e daljes në referendum, por edhe në kuptim të daljes nga letargjia dhe orientimit drejt perspektivës”, thotë Gashi.

In : Aktuale

Loading...
loading...







©