Agim Nuhiu, profili i një modeli jo të mire

Kuadrot që lojalitetin e kuptojnë si mjet për të mbijetuar në karrierë, nuk është mirë t’ua zënë vendin profesionistëve me dinjitet, të cilët nuk do të kenë nevojë asnjëherë ta përdorin partinë vetëm si gomë shpëtimi për të fshehur mungesën e ballafaqimit me problemet serioze

Nga Emin AZEMI

Një dilemë që ka shoqëruar gjithmonë njerëzit që nuk e kanë pasur mjaft të qartë natyrën dhe profilin e një zyrtari të lartë që merr obligime për të zbatuar politika dhe strategji të caktuara brenda digasterit ku ata udhëheqin, sikur bëhet edhe më aktuale kohët e fundit, kur duhet sërish të zgjidhen e emërohen kuadro me peshë relevante vendimmarrëse.
Një prej atyre dilemave ka qenë, nëse, bie fjala, zyrtari i lartë (ministri, drejtori, kryeshefi) është aty vetëm sa për të marrë një pagë mujore, apo është në rolin e një shtetndërtuesi që punën e ka pasion dhe mision, kurse marrjen e pagës e ka prioritetin e fundit? Sepse, po ta kishte objektivin e parë, atëherë ai do të ishte një rrogëtar i zakonshëm, që nuk i intereson se çka po ndodhë më larg se hunda e tij. Ose, edhe më keq, shumëçka që ndodhë në dikasterin e tij, ai do të sillet si një “autsajder”, si një “jabanxhi” që në çdo fillim-muaji, e pyet sekretareshën: “kur do të jepen rrogat”, ose ia qanë dertin shoferit: “nëse je lodhë, mund të të zëvendësoj pak”.
Në gjithë këtë përshkrim karakterologjik të profilit të një zyrtari të lartë, ku do të kishim mundur ta vendosim, bie fjala, Agim Nuhiun, ministrin aktual të Punëve të Brendshme?
A ndodhë që ai është aty vetëm sa për të marrë rrogë dhe për t’u sjellë herë-herë si “jabanxhi” në shtëpi të vet, apo ka edhe ndonjë gajle (mision, pasion) më të madhe si zyrtar me përgjegjësi, fjala e të cilit duhet të jetë ligj.
Ka plotë momente në karrierën e zyrtarëve dhe politikanëve, që jo gjithmonë – rrjedha e ngjarjeve e proceseve shkon vaj. Kështu mund të thuhet edhe për Agimin, i cili ka mundur të ketë ndonjë shkëlqim në karrierën e tij, por faktet flasin se ai – në të shumtën e rasteve është sjellë sikur të mos ishte drejtues i MPB-së. Apo është sjellë sikur vetëm ai, dhe askush tjetër mund të jetë në atë pozicion, prandaj edhe ka menduar se është jashtë reflektorëve të opinionit publik!
Agim Nuhiu kështu u soll pardje dhe dje, kur Policia Speciale pengoi prokuroren kujdestare të Prokurorisë Themelore në Tetovë, Lejla Kadriu, që të zbatojë ekzekutimin e punimeve në ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Siniçan, me ç’rast pati edhe një tentim për ballafaqim të drejtpërdrejt në mes të popullatës lokale dhe policisë së përgatitur si për luftë (!)
Në mesditën e pardjeshme, gjithashtu, kryetari i Komunës së Bogovinës ishte ndaluar nga Policia Speciale që të shkojë në vendin ku eskavatorët kishin nisur punën me arsyetim se komuna nuk e posedon dokumentacionin e duhur. Pse kjo ndërhyrje e policisë, shef i së cilës është Agim Nuhiu, në punën e një institucioni të pavarur të sistemit të drejtësisë, siç është Prokuroria themelore? Çfarë mesazhi dërgon kjo arrogancë policore në Bruksel e Uashington, ku Maqedonia e Veriut po pret me padurim të testohet në rrugëtimin e saj euro-atlantik?
A e di Agim Nuhiu, si profesor i fushës që është, se policia është në shërbim të segmenteve të organeve të drejtësisë, në formë asistence, por assesi arbitër që vendos supremacion mbi Prokurorinë?StrugaLajm

StrugaLajm

Performanca e ministrit Agim Nuhiu ka qenë e diskutueshme edhe në disa raste. Mjafton të përmendim fazën e reformave në Agjencinë për Siguri Nacionale, me ç’rast opinioni publik (përmes gazetës sonë) u pat njoftuar për një varg shkeljesh që kishin bërë drejtuesit e kësaj Agjencie në selektimin joobjektiv e tepër tendencioz të kuadrove, duke lënë jashtë angazhimit edhe disa profesionistë të dëshmuar shqiptarë, në emër të disa vërejtjeve tepër banale e qesharake.
Edhe sot, derisa po i kujtojmë këto ndodhi, nuk kemi arritur ta kuptojmë se ku ka qenë gjatë gjithë asaj kohe Agim Nuhiu, atëherë njeriu i dytë në Ministrinë e Brendshme. Në cilin “bunker” ka qenë i barrikaduar ky zog-bylbyli, kur kuadrot shqiptare trajtoheshin si leckë nga shefat e tyre dhe kjo ta përkujton kohën e monizmit kur funksionarët shqiptarë ndodheshin nëpër institucione, ose për të grimcuar ndonjë farë kungulli që ua linin shefat e tyre, ose vegjetonin me lojalitetin dhe pavendosmërinë e tyre lapidare, teksa legjitimonin shumë vendime antishqiptare.
Të njëjtat pyetje mund t’i bëhen Agimit edhe për ngjarjet e 27 Prillit 2017, atëherë kur ai pati humbur, siç thoshte ai, kontaktet jo vetëm me ish shefin e tij Çavkovin, por edhe me realitetin tragjik që ndodhte në ambientet e Parlamentit, ku hordhitë barbare nga rruga kishin tentuar të vendosnin ligjin e tyre të xhunglës.
Agim Nuhiu mund të jetë një djalë i mirë, që e çon në shtëpi çdo muaj pagën e ministrit, por ai do ta ketë problem nesër të na lë një model të mirë të zyrtarit të përgjegjshëm, të zyrtarit që ka vendosur në mënyrë autonome për shumë çështje që kanë prekur edhe interesat e popullatës prej nga vjen ai (siç ishte edhe çështja me letërnjoftimet, që u patën shtypur vetëm në gjuhën maqedonase), pa pasur nevojë të demonstrojë një lojalitet kaq të lodhur, madje edhe duke e bashkëngjitur në profilin e tij në viber, shefin Spasovskin, sikur të ishte në javët e fundit të maturës.
Kuadrot që lojalitetin e kuptojnë si mjet për të mbijetuar në karrierë, nuk është mirë t’ua zënë vendin kuadrove me dinjitet, të cilët nuk do të kenë nevojë asnjëherë ta përdorin partinë vetëm si gomë shpëtimi për të fshehur mungesën e ballafaqimit me problemet serioze. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...