Ajri në kopshtet dhe shkollat e Strugës është i ndotur dy herë mbi kufirin e lejuar, UNDP bëri një analizë në pesë qytete në vend
Ajri në ambientet e brendshme të shkollave dhe kopshteve në Gostivar, Kumanovë, Strugë, Strumicë dhe Kavadar është i ndotur dy herë mbi kufirin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky rezultat u zbulua nga analiza e kryer nga UNDP me mbështetje financiare nga Suedia, e cila u prezantua sot.
Dejan Mirakovski, profesor në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip dhe pjesë e kërkimit, tha se ajri në ambientet e mbyllura të shkollave dhe kopshteve, ngjashëm si ajri i jashtëm, tejkalon kufirin e lejuar të grimcave të pezulluara PM 2.5. Ndërkohë, për ndotësit e tjerë, studimi tregoi se janë brenda kufijve të pranueshëm. Edhe pse janë të lidhura, nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë të ajrit të jashtëm në ajrin e brendshëm. Studimi tregoi se gjatë periudhës së dimrit, kur grimcat e pezulluara kanë përqendrime jashtëzakonisht të larta jashtë, ato nuk depërtojnë plotësisht brenda, kështu që në dimër përqendrimet janë më të ulëta në hapësirat e mbyllura në krahasim me periudhën e verës kur janë më të larta.