Aktuale

Aksion i fuqishëm policor në Maqedoni , goditet rrjeti i drogës – bien emra të njohur


Një aksion i gjerë dhe i koordinuar policor është duke u zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në disa qytete të Maqedonia e Veriut, duke vënë në shënjestër rrjetet e trafikimit të narkotikëve.
Sipas burimeve nga mediat vendase, operacioni po udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Brendshme – Byroja e Sigurisë Publike, në bashkëpunim me Departamentin për Krim të Organizuar dhe Prokurorinë përkatëse, ndërsa në terren janë angazhuar edhe njësitë speciale të policisë.
Aksioni po zhvillohet paralelisht në disa qytete, përfshirë Shkup, Shtip dhe Strumicë, si dhe në fshatin Gërçec në rajonin e Shkupit.
Sipas informacioneve të para, në fokus të hetimeve është një rrjet i organizuar që merret me tregtinë e paligjshme të kokainës. Deri më tani janë realizuar kontrolle në rreth 15 lokacione, ndërsa disa persona janë arrestuar.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se në mesin e të ndaluarve dyshohet të ketë edhe emra të njohur të botës kriminale, përfshirë Pokrajçevaliev, Bojadziski, Kocev dhe Vele, i njohur me nofkën “Demi”.
Autoritetet pritet të dalin gjatë ditës me më shumë detaje rreth këtij operacioni të madh, i cili konsiderohet si një nga goditjet më serioze ndaj krimit të organizuar në vend në periudhën e fundit.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button